Gazeta Si - Keniani Kelvin Kiptum, 24 vjeç, mbreti i maratonave, ka ndërruar jetë pas një aksidenti automobilistik bashkë me trajnerin e tij Gervais Hakizimana. Ngjarja ka ndodhur në rrugën që të çon nga Kaptagat në Eldoret.
Makina drejtohej nga atleti 24-vjeçar dhe në aksident nuk është përfshirë asnjë automjet tjetër. Lajmi është konfirmuar nga familjet e dy viktimave dhe autoritetet lokale. Kiptum lë pas bashkëshorten dhe dy fëmijë, 4 dhe 7 vjeç.
I lindur në Keiyo District, në Kenia, më 2 dhjetor 1999, Kelvin Kiptum arriti në 2018-ën rekordin botëror në gjysmë maratonën e Valencias. Në të njëjtin qytet debutoi në maratonë më 4 dhjetor 2022, duke arritur suksesin me kohën 2h01'53" dhe duke u bërë atleti i tretë më i shpejtë në histori (pas Eliud Kipçoge dhe Kenenisa Bekele) në garat e gjata.
Më 23 prill 2023 në Londër, në maratonën e dytë, fitoi dhe përmirësoi kohën me 2h01'25". Pesë muaj më pas përsëriti veten në Çikago, duke u bërë protagonist me një paraqitje të shkëlqyer. Ai vendosi rekord botëror me kohën 2h00'35".
Kiptum kishte objektiva të mëdha për 2024-ën. Ai synonte që në Roterdam të thyente ‘murin’ e dy orëve për garën 42 kilometra më 14 prill. Në Olimpiadën e Parisit do të ishte favorit absolut për medaljen e artë. Një karrierë që pritej të ishte e jashtëzakonshme, është prerë në mes nga një aksident i tmerrshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.