Një 58-vjeçar ka humbur jetën në Lushnjë, pasi dyshohet se ka rënë nga kati i tretë i banesës së tij. Policia thotë se viktima është shtetasi, Albert Taullau, 58 vjeç.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:35, në lagjen “Loni Dhamo” të qytetit, edhe pse burime policore bëjnë me dije jo zyrtarisht se 58-vjeçari është hedhur nga ballkoni i katit të tretë të vilës së tij.
E pranishme në momentin e ngjarjes ka qenë edhe vajza e të ndjerit. Ndërsa brenda shtëpisë ka qenë bashkëshortja. Sipas familjarëve, mësohet se viktima vuante nga depresioni prej disa muajsh dhe trajtohej me medikamente.
Në fakt, i ndjeri ishte vëllai i biznesmenit 47-vjeçar, Saimir Taullau, i cili është plagosur dy herë në dy episode të ndryshme atentatesh.
Saimir Taullau, i njohur në Shqipëri si rivali i fortë i Aldo Bares, kreut të bandës së Lushnjës, është ekstraduar drejt Zvicrës më 30 dhjetor të vitit 2020 dhe po vuan dënimin me 4 vite në një burg të Zvicrës.
Ndaj Saimir Taullaut janë bërë dy atentate, një në tetor të vitit 2017 dhe tjetri në nëntor të 2018, ku e qëlluan me armë pranë biznesit së tij në Lushnjë dhe për pasojë mbeti i plagosur në kokë. Ndërsa në vitin 2005, u vra vëlla tjetër i tij, Baki Taullau. Për këtë vrasje, Saimir Taullau ka akuzuar grupin e Aldo Bares.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.