Njerez

Humb jetën kryetari i ‘Shoqatës Tirana’, Arben Tafaj

Nga Gazeta Si- Është ndarë nga jeta në moshën 63-vjecare kryetari i “Shoqatës Tirana”, Arben Tafaj. Sipas njoftimit të policisë, Tafaj ka rënë nga lartësia në banesën e tij në Rrugën e Dajtit.

Në profilin e Arben Tafajt në rrjetet sociale, është publikuar një njoftim ku konfirmojnë ndarjen e tij nga jeta.

“Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të politikanit, drejtuesit, shembullit të qytetarisë, babain dhe vëllain shembullor, Kryetarit te Shoqatës Tirana, Z. Arben Tafaj! Qoftë i paharruar kujtimi i tij”.

Sakaq, për ndarjen nga jeta të Tafajt ka reaguar edhe ish-deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi.

“Me hidhërim të thellë mora vesh lajmin për ndarjen para kohe nga jeta të mikut, qytetarit, bashkëpunëtorit dhe aktivistit të palodhur për Tiranën tonë, z. Arben Tafaj. Arben Tafaj bëri kaq shumë për qytetin, kontribuoi për vlerat më të mira që ne të gjithë aspirojmë e luftojmë për to”, shkruan Këlliçi në një postim në Facebook.

Ai më tej shprehet se Arben Tafaj si kryetar i “Shoqatës Tirana”, punoi pa u lodhur për të ruajtur trashëgiminë, shpirtin e qytetit e autenticitetin tiranas.

“Si anëtar i Këshillit Bashkiak Tiranë ai ishte një përfaqësues i palodhur i qytetarëve dhe një derë e hapur për këdo që kishte një shqetësim. Pa Arbenin, Tirana është sot më e varfër, me një referencë që do të na mungojë të gjithëve”, shprehet Këlliçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë