Libra

Hosseini i lutet detit në lundrimet e refugjatëve

Foto Credit: Bukinist.al

Khaled Hosseini njihet për librat e tij rreth Afganistanit: "Gjuetari i Balonave", "Njëmijë Diej Vezullues" dhe "Malet Oshtinë". Vepra e tij e fundit “Lutja e Detit”, e cila ka mbërritur edhe në libraritë shqiptare, botuar nga OMSCA-1, është një vepër e shkurtër letrare që mbërthen vuajtjen e krizës së refugjatëve sirianë. Është rrëfyer si një letër poetike, nga një atë për të birin ndërsa përgatiten të nisen në një lundrim  nëpër det, shoqëruar me ilustrimet e Dan Williams.

Një  libër për të gjitha moshat, një histori për të rriturit, për prindërit, për ata që përpiqen të gjejnë një vend, një strehë pa luftë në botë. Botimi i romanit ka qenë  njëkohshëm, si në SHBA ashtu edhe në Shqipëri. Ky tregim poetik i rrëfyer me shumë intensitet hapet me përshkrimin e një plazhi të ndriçuar nga drita e hënës, ku një baba mban në krahë të birin që fle, teksa presin zbardhjen e agimit dhe mbërritjen e varkës.

Ai nis duke e transportuar lexuesin në qytetin perëndimor të Homsit, prej nga vijnë edhe ky baba dhe bir.

Do të doja ta mbaje mend Homsin, siç unë, Marwan.

Me  qytetin e vjetër n’gumëzhitje,

një xhami për ne myslimanët

një kishë për fqinjët tanë të krishterë,

dhe një pazar të madh për të gjithë ne

ku të bëjmë ujdi për varëset e floririt dhe

prodhimet e freskëta dhe fustanet e nusërisë.

Do të doja të mbaje mend

rrugicat plot me njerëz që erëmojnë prej qoftesh të fërguara

dhe shëtitjet mbrëmësore që bënim

me nënën tënde

rreth sheshit të Kullës së Sahatit.

Është e qartë se fëmija nuk do e shohë kurrë atë version të Homsit.

“Flet për përvojën e shumë fëmijëve refugjatë, qofshin duke folur rreth Sirisë apo Aganistanit – një brez i tërë fëmijësh që po rriten mes trazirave, dhunës dhe luftës, dhe nuk kanë lidhje vetjake  me bukurinë dhe pasurinë e vendeve të tyre përpara se të nisnin trazirat”, ka thënë në një intervistë Hosseini. “Dhe kjo është një përvoja që e kam hasur duke biseduar me refugjatë nga e gjithë bota.”


Hosseini është ambasador për UNHCR dhe kohëve të fundit ka qenë në Liban për t’u takuar me refugjatë sirianë.

“Është jetë e vështirë,  shtrënguese dhe ndëshkuese të jesh refugjat sirian në Liban”, thotë autori. “Një nga gjashtë njerëz në rrugë është refugjat sirian. Pjesa më e madhe jetojnë me më pak se 4 dollarë në ditë, në struktura të improvizuara strehimi si garazhe të braktisur apo magazina dhe, madje, edhe një qendër tregtare e papërfunduar  që mban erë si gjiriz i hapur dhe nuk ka kanalizime – dhe mbi njëmijë njerëz jetojnë atje. Është jetë e rëndë. Dhe kur flisja me këta refugjatë, mund të imagjinoja sesi edhe unë, si baba, që nuk do të ishte në gjendje të siguronte jetën për fëmijët e tij, mund të zgjidhja të paguaja trafikantë dhe të përpiqesha në një prej atyre lundrimeve të dëshpëruara  në detin Mesdhe për të mbërritur në brigjet europiane dhe të përpiqesha të siguroja jetë më të mirë për familjen time.”

Lutje Detit u frymëzua veçanërisht nga një refugjat. Më 2015-ën, vogëlushi sirian me emrin Alan Kurdi u mbyt,  së bashku me pjesën më të madhe të familjes së tij, ndërsa përpiqeshin të lundronin drejt Greqisë. Trupi i djalit u fotografua me fytyrën në rërën e një plazhi turk dhe më pas duke u mbajtur nga një oficer policie. Hosseini thotë se u shkatërrua nga ato pamje.

“Si baba që jam, u përpoqa të imagjinoja makthin emocional, psikologjik që ai baba kalonte sa herë shihte fotot e të birit dhe të të huajit që mbartte trupin e pajetë të fëmijës së tij – një i huaj që nuk ia njihte zërin Alanit, apo të qeshurën apo lodrën e tij të parapëlqyer,” thotë Hosseini.  “Kështu që shpresoj që ky libër “Lutje Detit” të jetë një homazh i vogël jo vetëm ndaj familjes së tij, por gjithashtu, në një nivel më të gjerë shpresoj të theksoj dëshpërimin e paimagjinueshëm që mijëra të tjerë, njerëz të zakonshëm ballafaqohen çdo ditë për të braktisur shtëpitë dhe komunitetin dhe të kërkojnë një shans në këtë udhëtim të vrazhdë, shpesh vdekjeprurës nëpër det.” “Lutje Detit” lexohet si një poemë, por gjithashtu të kujton  gjuhën e lutjes. Ati në libër, e di se ç’gjëje po i shkon ballë dhe përgjërohet për fat të mirë. Ja si mbyllet libri:

Këto janë veç fjalë.

hiletë e një ati.

E vret atin tënd,

Besimin në të.

Sepse gjithë ç’mund të mendoj sonte

Sa i thellë deti

Dhe sa i gjerë, sa shpërfillës.

Sa i pafuqishëm jam të të mbroj prej tij.

Gjithë ç’mund të bëj është të lutem.

Lutem Zoti ta manovrojë varkën drejt

Kur brigjet të rrëshqasin prej vështrimit

Dhe ne të jemi një pikëz

Në ujërat gufues, lëkundur dhe anuar

gëlltitur lehtë.

Sepse ti,

Ti je ngarkesë e çmuar, Marwan,

Më e çmuara që ka pasur ndonjëherë.

Lutem deti ta dijë këtë.

Inshallah!

Sa lutem deti ta dijë këtë.

“E imagjinoj veten si një prej etërve që ka braktisur shtëpinë, tokën, komunitetin, që është shtrënguar të ecë kilometra e kilometra, ndonjëherë me javë të tëra, me raste edhe me muaj, me të bijtë, duke e ditur se gjatë asaj rruge mund të ndalohej, mund të rrihej, se fëmijët mund t’i shiteshin në punë të detyruar – dhe më pas për të mbërritur detin dhe për të vendosur kursimet në duart e trafikantëve dhe të dalësh në det të hapur, duke e ditur se me mijëra kanë vdekur përpara teje në përpjekje për të njëjtin udhëtim, me asgjë që të mbron – qielli nxihet, nuk e dallon dot më qiellin prej detit – asgjë që të mbron dhe jeta jote në duart e trafikantëve , që nuk duan t’ia dinë për jetën njerëzore dhe i gjithë ky biznes lulëzon mbi vuajtjet e tua,” thotë Hosseini.  Kush do ta zgjidhte këtë për familjen e tij? Nëse do të isha një prej atyre  në plazhin e ndriçuar nga hëna, gati për t’u nisur në një prej atyre lundrimeve me siguri që do e bëja ...thotë një nga këto lutje.”Libri është realizuar në bashkëpunim me UNHCR-në, Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët dhe fillimisht është promovuar si film virtual i Guardian-it në shtatorin vitit të kaluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë