Gazeta Si – Trupi i pajetë i ish-presidentit Bujar Nishani mbërriti në Presidencë mëngjesin e të mërkurës.
Arkëmorti u vendos në sallën “Skënderbeu” në Presidencë, ku familjarët po presin vizita dhe homazhe nga të afërm, miq dhe dashamirës.
Homazhet do të zhvillohen për dy ditë me radhë, në datat 1 dhe 2 qershor.
Qytetarët kane mundësi t’i japin lamtumirën nga ora 10.00 deri në 14.00 dhe pasdite 16:30-22:00 këtë të mërkurë.
Ndërsa të enjten, 2 qershor, homazhet do të jenë nga ora 10:00 deri në 12:00, para se të përcillet në banesën e fundit.
Ish-kryeministri Sali Berisha mori pjesë në homazhet e te merkures
Berisha e cilësoi Nishanin si një nga bashkëpunëtorët e tij më të mirë me të cilin kishte një miqësi të ngushtë.
Pas ish-kryeministrit Sali Berisha, në Presidencë për të bërë homazhe në nder të Bujar Nishanit u drejtuan Eduard Halimi, Isuf Çela, Edi Paloka dhe Aldo Bumçi.
Presidenti Ilir Meta vlerësoi gjithashtu figurën e ish-presidentit Bujar Nishani.
“Ai nuk ishte vetëm një bashkëshort dhe prind shembullor, por pa asnjë diskutim, ishte një nga politikanët, shtetarët më të përgjegjshëm dhe më serioz të këtyre dekadave. Ai në çdo detyrë politike dhe shtetërore shkëlqeu me korrektësinë e tij dhe me integritetit e tij, me principalitetin e tij dhe konstruktivitetin që e karakterizonte, në çdo detyrë. Në mënyrë të veçantë dhe atë të presidentit, ishte një mbrojtës i shkëlqyer i interesit kombëtar dhe interesit publik dhe i demokracisë”, tha ai.

Homazhet zyrtare do të bëhen sipas ceremonialit dhe protokollit të shtetit përmes një ceremonie të veçantë.
Më herët, trupi i pajetë ish-presidentit të Republikës, u kthye në atdhe përmes pikës kufitare në Merdare.
Ish-Kreu i shtetit ndërroi jetë të shtunën në një spital në Gjermani, ku ishte i shtruar prej një muaji.
Nishani po kurohej në spitalin universitar Charite në Berlin, pas komplikacioneve shëndetësore që i la Covid-19
Ish-presidenti u dërgua për mjekim më të specializuar, por shëndeti i tij u përkeqësua për shkak të insuficiencës polmonare të theksuar dhe fatkeqësisht humbi betejën më të rëndësishme, atë të jetës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.