Shkodra ka përkujtuar sot demonstratën antikomuniste të 28 viteve më parë, ku mbeten të vrarë katër dëshmorët e demokracisë, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka.
Në ceremoninë përkujtimore për 2 prillin përveç drejtuesve të pushtetit lokal dhe të afërmve të dëshmorëve të demokracisë, të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit më të lartë të Partisë Demokratike.
Ceremonia nisi me vendosjen e kurorave me lule në Memorialin e 2 Prillit 1991.

Kryedemokrati Lulzim Basha në fjalën e tij u shpreh se 2 prilli është kujtesë e përhershme për Shqipërinë.
“2 prilli hyri në historinë tonë kombëtare dhe asnjëherë nuk do reshtim së nderuari këtë datë. Për Shqipërinë është kujtesë e përhershme se rrënjët e së keqes nuk thahen nëse nuk i shkulim njëherë e mirë, rrënjët e së keqes ushqehen me vesin, me krimin e pandëshkuar”, u shpreh Basha.
Basha tha se sot Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë po ia merr ajrin një shartesë, një monstër sa politike aq dhe kriminale dhe se sot 2 prilli është më aktual se kurrë.
“Kjo monstër është qeverisja me krimin, e cila mbijeton edhe për shkak se nuk i nxorëm siç duhet përgjegjësitë e 2 prillit 1991. 2 prilli si bashkëjetesë e krimit me qeverinë ka sot fytyrën e krerëve të qeverisë, e parlamentit, ka sot dorën e zezë që godet e përgjak qytetet tona, ka sot Kuvendin e turpit. Ne ikëm nga ajo strofull e krimit. Shkodra është e thirrur nga historia për t’u ngritur me sytë nga e ardhmja. Sot kërkohet me zor të mbahet një pushtet racist. Kjo është e njëjta betejë për demokracinë, si atëherë, si sot. Ne do të fitojmë. Lavdi dëshmorëvë të 2 Prillit 1991”, u shpreh Basha.
2 Prilli 1991
28 vite më parë, më 2 Prill 1991 ndodhi masakra e fundit e komunizmit në Shqipëri, që çoi në ekzekutimin e 4 personave të pafajshëm. Ajo ditë ishte një ndër revoltat më të mëdha popullore në vend. Pikërisht pas zgjedhjeve të marsit, edhe pse ishte rrëzuar busti i Enver Hoxhës në Tiranë, shteti autoritar vazhdonte të ishte në këmbë.
Katër viktima e dhjetëra të plagosur lanë plumbat e poicisë. Bujar Bishanaku, Arben Broci, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka ishin të vrarët e asaj dite, tanimë të shpallur martirë të demokracisë.
Protestuesit mësynë godinën e Komitetit Qendror të Partisë së Punës dhe që andej hidhnin dokumentet nga dritaret në oborr.
Disave prej tyre iu vu flaka, ndërsa të tjera u grisën e u shkelën me këmbë. Më pas në sheshin kryesor, që sot mban emrin “2 Prilli”, mbetën të vrarë edhe 4 dëshmorët e demokracisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



