Ngjarje

Homazhe në vendin ku ndërroi jetë Egli Proga! E motra: I betohem dhe atyre që fshihen pas skutave se drejtësinë do e sjell me çdo kusht

Nga Gazeta ‘Si’-Qytetarët e Pogradecit kanë dalë masivisht për të bërë homazhe për vrasjen e 42-vjeçarit, Egli Proga pak ditë më parë.

Në homazhet të cilat u zhvilluan në vendin e ngjarjes, morën pjesë edhe familjarët e viktimës, mes tyre babai dhe motra.

Në një prononcim të shkurtër për mediat, babai i 42-vjeçarit u shpreh se kërkojnë vetëm drejtësi, asgjë tjetër.

Motra e të ndjerit deklaroi mes lotësh se do ta vendosë në vend drejtësinë e vëllait të saj me çdo kusht. Ajo kërkoi që ngjarja të mos politizohet dhe shtoi se sipas saj kriminelët i kanë mbyllur gojën qytetit.

Ajo bëri thirrje që dhunuesit e vëllait të saj të përfundojnë në burg.

“Të dashur miq, të njohur dhe të panjohur ju falenderoj që jeni këtu në vendin ku mori frymë për herë të fundit vëllai im Eglantini. Unë jam motra e tij, por që nga dita kur Egli mbeti këtu i pajetë pasi jetën ja morën barbarët e këtij qyteti unë do të jem mbrojtësja e tij. Do ta mbroj tani pas vdekjes, pasi nuk isha këtu për ta mbrojtur përsëgjalli. Shumëkujt mund t’i dukem e vogël, e pafuqishme, e pashpresë, apo thjesht një hallexheshkë me të zeza, por ju betohem ju që jeni këtu dhe atyre që fshihen skutave se drejtësinë do ta sjell me çdo kusht. Se jam kam borxh vëllait tim, vetes dhe familjes time.

Nuk dua që të përfitojë askush nga vëllai im, nuk dua të politizohet vdekja e tij, nuk dua të hidhërohet askush më shumë se mua dhe familja ime për të, megjithatë do të pranoj ndihmën e të gjithëve derisa drejtësia të vihet në vend.

Kriminelët që i kanë mbyllur gojën këtij qyteti dhe vëllait tim duke i mbyllur jetën do të shkojnë në burg, të gjithë, pa asnjë përjashtim. Si ata plehra që e dhunuan dhe ja morën shpirtin këtu, si ata të pashpirtët e tjerë që kërkuan të mbyllnin vrasjen me heshtje apo me letra. Kam vetëm një kërkesë që më dëgjojnë sot, për pogradecaret, flisni mos kini frikë, tregoni të vërtetat tuaja për banditët që morën jetën e Eglit, dëshmoni se ata mund  t’ju vrasin vëllezërit tuaj. Tregoni kush i mbron dhe kush janë kriminelët pas tyre.

Kërkoj nga sistemi i drejtësisë, këtë herë nuk ka para, nuk ka miq, nuk ka ndërhyrje dhe nuk ka taraf. Mos bëni gabimin ta godisnin me shkelma dhe grushta vëllain tim siç bënë barbarët që do përpiqen tju blejnë. Kërkojmë vetëm drejtësi. Duke filluar që sot i bëj thirrje avokatëve dhe juristëve të Shqipërisë dhe vijnë dhe të mbrojnë Elgin Bashkë me mua”, u shpreh motra e të ndjerit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë