Ashtu siç ishte paralajmëruar, qeveria e Holandës ka dorëzuar zyrtarisht në Komisionin Europian kërkesën për rikthimin e vizave për shqiptarët. Projekt rezoluta e dërguar në Bruksel u miratua pak kohë më parë nga parlamenti holandez, nën argumentin e rritjes së emigracionit dhe kriminalitetit shqiptar. Në letrën drejtuar Komisionerit për Emigrimin dhe Punët e Jashtme, Dimitris Avramopulos, Holanda kërkoi me shkrim që Komisioni Europian të konsiderojë pezullimin e vizave për shqiptarët.
“Gjatë viteve të fundit, çështjet që kanë të bëjnë shtetasit shqiptarë kanë marrë shumë vëmendje në Holandë. Shtetasit shqiptarë luajnë një rol të rëndësishëm në krimin e organizuar në qytete të tilla si Amsterdami dhe Roterdami dhe rajone të tjera në vendin tonë. Një zhvillim tjetër është numri në rritje i emigrantëve të paligjshëm nga Shqipëria, kryesisht njerëz të rinj që dëshirojnë të fillojnë një jetë të re në Mbretërinë e Bashkuar”, e nis Holanda kërkesën e saj. “Numri i aplikimeve për azil nga shtetas shqiptarë është gjithashtu i lartë. Këto rrethana po minojnë mbështetjen e publikut në Holandë për liberalizimin e vizave për shtetasit shqiptarë”, thekson kërkesa. Ajo ka mbërritur në duart e Komisionit Europian vetëm dy ditë pas rekomandoi hapjen e negociatave me vendin tonë.
Çfarë thuhet në kërkesën e Holandës?
Në dokumentin që qeveria Holandeze i ka dërguar Brukselit zyrtar mbizotëron përgjithësisht një gjuhë e ashpër, ku theksohet me të madhe se bandat shqiptare përbëjnë një kërcënim të menjëhershëm për sigurinë e brendshme të Holandës.
Me tej Amsterdami zyrtar përcakton edhe arsyet se përse Bashkimi Europian duhet të pezullojë lëvizjen e lirë për shqiptarët, duke theksuar mes të tjerash se rrjetet kriminale shqiptare përbëjnë rrezik edhe për sigurinë e vendeve anëtare, si Britania e Madhe.
“Një debat parlamentar mbi krimin e organizuar shqiptar në Holandë u mbajt më 11 prill. Ai rezultoi në një mocion që i kërkon qeverisë Holandës do të njoftojë Komisionin në përputhje me nenin 8 (2) të Rregullores (EU) 2018/1806 për rritjen e aktivitetit të rrjeteve kriminale shqiptare në Holandë”, thekson kërkesa.
Holanda njofton Komisionin Europian se ballafaqohet me rrethanat e mëposhtme të përmendura në nenin 8 (2) të rregullores: me një rrezik në rritje ose kërcënim i menjëhershëm për qetësinë publike ose sigurinë e brendshme të Shteteve Anëtare, rritjen e veprave të rënda penale, të ndërlidhura me shtetasit e këtij vendi të tretë; me një rritje e konsiderueshme e numrit të shtetasve të këtij vendi të tretë (Shqipëria) të cilët qëndrojnë në territorin e Shtetit Anëtar (Holandës) edhe nëse i është refuzuar leje qëndrimi; me një rritje të konsiderueshme të numrit të kërkesave për azil nga shtetasit e këtij vendi të tretë dhe një rrezik në rritje ose kërcënim i menjëhershëm për politikën publike dhe siguria e shteteve anëtare”, shkruhet në kërkesë.
Më tej, në dokumentin e hartuar nga zyrtarë të qeverisë holandeze, thuhet se që nga viti 2015, Holanda ka përjetuar një rritje të konsiderueshme të veprave penale të lidhura me bandat kriminale shqiptare.
“Kriminelët shqiptarë janë të përfshirë në trafikun e drogës (kryesisht kokainë), pastrimin e parave dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Prania e tyre në skenën kriminale në Holandë po bëhet gjithnjë e më e spikatur, pasi po bashkëpunojnë gjithnjë e më shumë me grupe të tjera të huaja kriminale. Është e qartë se aktivitetet e tyre janë një kërcënim i menjëhershëm për sigurinë e brendshme”, thekson kërkesa.
Holanda e pranon se numri i shqiptarëve të arrestuar ka rënë nga viti 2016-2018, por se numri i shtetasve shqiptarë që marrin pjesë në aktivitete të krimit të organizuar është rritur.
“Nga 710 shqiptarë të dyshuarve të ndaluar nga policia holandeze në vitin 2016, numri i të dyshuarve ra në 499 në vitin 2017, ndërsa në vitin 2018 u regjistruan 476 të dyshuar. Përveç këtyre shifrave absolute, shqetësimi kryesor është rritja dhe rreziku i aktiviteteve të tyre. Pavarësisht zvogëlimit të numrit të të dyshuarve, numri i kriminelëve shqiptarë që shfaqen në krimin e organizuar duket të jetë në rritje. Të dyshuarit shqiptarë kapen shpesh në Sistemin e Informacionit Shengen (SIS). Këto alarme SIS japin informacion mbi individët që nuk kanë të drejtë të hyjnë ose të qëndrojnë në Zonën Shengen ose që kërkohen në lidhje me aktivitetet kriminale”, thuhet në dokument.
Më tej Amsterdami thekson se Shqipëria dhe Holanda po punojnë së bashku për të luftuar çështjen e krimit të organizuar nga shtetasit shqiptarë në Holandë, por thotë se bashkëpunimi deri më tani nuk ka rezultuar me suksese konkrete në terren.
“Më 23 maj 2018 Ministri i Drejtësisë dhe Ministri për Migracionin i Holandës nënshkruan një dokument me Ministrin e Brendshëm dhe Ministrin e Drejtësisë së Shqipërisë. Më 13 dhe 14 shkurt të vitit 2019 u mbajt takimi i parë i ekspertëve për krimet e emigracionit në Holandë. Edhe pse bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve të policisë, gjyqësorit dhe emigracionit është përmirësuar, ka ende vend për përmirësime të mëtejshme dhe bashkëpunimi deri më tani nuk ka rezultuar me suksese konkrete në terren. Në raste të ndryshme, policia dhe autoritetet gjyqësore të Holandës kanë ngritur nevojën për të përmirësuar shkëmbimin e informacioneve me autoritetet shqiptare”, thekson kërkesa, duke shtuar megjithatë se “Holanda mbetet e përkushtuar të mbështesë Shqipërinë në luftën kundër krimit të organizuar”.
Kërkesa e vë theksin tek rritja e numrit të shqiptarëve të paligjshëm në Holandë, i cili sipas Amsterdamit zyrtar ka filluar që nga viti 2009. “Në vitet e fundit, autoritetet holandeze të emigrimit dhe të zbatimit të ligjit hasën sfida të konsiderueshme për të luftuar emigrimin e paligjshëm nga Shqipëria. Këto sfida kanë të bëjnë veçanërisht me udhëtarët shqiptarë që përpiqen të kalojnë në mënyrë të parregullt në Mbretërinë e Bashkuar duke u fshehur në kamionët dhe anijet që nisen nga Roterdami. Kjo shkakton dëme dhe probleme të konsiderueshme për shoferët, sektorin e transportit, komunat dhe autoritetet e zbatimit të ligjit në Holandë”, shkruan dokumenti.
Sipas tij, për të luftuar emigracionin e paligjshëm nga Shqipëria, qeveria holandeze ka marrë disa masa, përfshirë edhe intensifikimin dhe mbikëqyrjen e kufijve detarë rreth portit të Roterdamit.
“Për më tepër, bashkëpunimi me autoritetet shqiptare është intensifikuar duke përfshirë edhe operacionet e përbashkëta me Autoritetet belge dhe IOM-in në Shqipëri. Takimet e ekspertëve midis autoriteteve të Mbretërisë së Bashkuar, Holandës dhe Shqipërisë organizohen tanimë rregullisht. Ish ministri holandez për Migracionin vizitoi kohët e fundit Shqipërinë për të diskutuar masat për të luftuar emigracionin e parregullt, veçanërisht në Rotterdam”, theksohet në kërkesën e qeverisë holandeze.
Ajo ngre edhe shqetësimin për numrin e lartë të kërkesave për azil nga qytetarët shqiptarë, duke theksuar se këto kërkesa janë rritur vazhdimisht që nga viti 2010. “Pas një rënie të numrit të aplikacioneve në vitin 2017, ato kanë filluar të rriten sërish dhe 550 aplikimet për azil në vitin 2018 përbëjnë një numër të konsiderueshëm. Që nga nëntori i vitit 2015, Shqipëria është në listën holandeze të vendeve të sigurta të origjinës. Aplikimet për azil të shtetasve shqiptarë përpunohen në një procedurë të shpejtë”, thotë qeveria.
Në përfundim të kërkesës së saj, Holanda i kërkon “Komisionit Europian që të shqyrtojë informacionin e ofruar dhe, në konsultim me Shtetet Anëtare, të vendosë për veprimet e mëtejshme me qëllim që të luftojë në mënyrë efektive problemet e hasura në lidhje me shtetasit shqiptarë”.
Ambasada Holandeze në Tiranë: Por lëvizja e lirë vijon deri në një vendim
“Parlamenti Holandez i kërkoi Qeverisë holandeze në datën 16 Prill të aktivizonte mekanizmin e pezullimit të vizave për Shqipërinë për shkak të shqetësimeve në lidhje me krimin e organizuar. Për ta ekzekutuar këtë mocion, qeveria Holandeze i dërgoi një letër njoftuese Komisionit Europian në datën 31 Maj”, thotë ambasada holandeze në Tiranë.
Sipas saj, në këtë letër, Komisionit i kërkohet të shqyrtojë informacionin e dërguar nga Holanda dhe në konsultim me vendet anëtare të vendosë në lidhje me nevojën për të vepruar.
Ambasada thotë se Holanda e vlerëson bashkëpunimin konstruktiv dhe të vazhdueshëm me qeverinë dhe autoritetet shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar. Të dyja vendet po punojnë në fuqizimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.
“Në vijim të letrës njoftuese, Komisioni Europian do të vlerësojë nëse do të ketë nevojë për të ndërmarrë veprim. Komisoni do të informojë Parlamentin Europian dhe Këshillin Europian mbi rezultatet e këtij vlerësimi. Deri në një njoftim tjetër, politika e vizave për nënshtetasit shqiptarë do të mbetet e njëjtë: qytetarët shqiptarë mbajtës të një pasaporte biometrike nuk kanë nevojë për viza për të udhëtuar në zonën Shengen për maksimumi 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh”, thotë ambasada e Holandës në Tiranë.

A do të miratohet kjo kërkesë nga Komisioni?
Dhjetë vjet pas hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave për vendin tonë, parlamenti holandez votoi në prill për rikthimin e tyre, pas arrestimit të 64 anëtarëve të një rrjeti të krimit të organizuar shqiptar në katër shtete anëtare të BE, përfshirë edhe Holandën.
Ishte pikërisht lufta kundër grupeve kriminale të trafikut të lëndëve narkotike që shtyu me një vit hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe nëse vende skeptike si Holanda dhe Franca shohin se nuk është bërë përparim në këtë drejtim, negociatat rrezikojnë të shtyhen sërish edhe këtë qershor.
Edhe pse qeveria shqiptare është e sigurt se propozimi nuk do të marrë “bekimin” e Komisionit Europian për rikthimin e vizave, klima brenda BE-se pritet të jetë shumë më agresive pas zgjedhjeve të parlamentit europian .
Mekanizmi i pezullimit të vizave u prezantua për herë të parë si pjesë e politikës së vizave të BE-së në vitin 2013 në mënyrë që të sigurojë mundësinë e pezullimit të përkohshëm të lëvizjes së lirë ndaj një vendi jo anëtar të BE-së për një periudhë të shkurtër kohore.
Tani që Komisioni Europian është njoftuar nga Holanda, ai do të duhet të shqyrtojë kërkesën duke ia paraqitur më pas vlerësimet e tij Parlamentit dhe Këshillit Europian.
Nëse Komisioni vendos të ndërmarrë masa specifike ndaj Shqipërisë, mund të miratojë një akt zbatues brenda një muaji pas paraqitjes së rezultateve të shqyrtimit të tij në Parlament dhe Këshill. Nëse do të miratohej nga shumica e vendeve të Këshillit Europian, Komisioni do të rikthejë përkohësisht vizat për Shqipërinë.
Gjithçka duket se nisi më 16 prill, kur Parlamenti i Holandës ka votuar pro propozimit për rikthimin e vizave me Shqipërinë. Më anë të një mocioni, parlamenti holandez i kërkonte zyrtarisht qeverisë që të këmbëngulë në Bruksel për rikthimin e vizave për vendin tonë, pasi sipas tyre, kjo është mënyra e vetme për të luftuar mafien shqiptare.
Lajmi i mirë është se vetë ministri i Jashtëm holandez, Steff Blok e quan paraprakisht këtë kërkesën si të pamundur, duke thënë se vendet e tjera europiane nuk do të pajtohen me Holandën.
Blok iu përgjigj opozitës holandeze, duke deklaruar se Shqipëria i plotëson kërkesat që u vendosën për heqjen e vizave dhe se Komisioni Europian nuk është i interesuar për hapjen e kësaj çështjeje. Këto kushte përfshijnë marrjen e masave adekuate kundër korrupsionit dhe parandalimit të krimit ndërkufitar. Megjithatë, sipas ministrit, edhe vetë Komisioni e pranon se Shqipëria ka shumë për të përmirësuar sa i përket kushteve të liberalizimit të vizave.
Ministri holandez i Drejtësisë dhe Sigurisë Grapperhaus gjithashtu tha se kjo kërkesë nuk ka gjasa të miratohet nga Brukseli, madje sipas tij një vendim i tillë do të ishte drastik, por aspak efektiv, pasi sipas tij, “mafia nuk ka nevojë për vizë që të hyjë në Holandë”.
Dhjetë vjet pas hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave për vendin tonë, parlamenti holandez votoi në prill për rikthimin e tyre, pas arrestimit të 64 anëtarëve të një rrjeti të krimit të organizuar shqiptar në katër shtete anëtare të BE, përfshirë edhe Holandën.
Ishte pikërisht lufta kundër grupeve kriminale të trafikut të lëndëve narkotike që shtyu me një vit hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe nëse vende skeptike si Holanda dhe Franca shohin se nuk është bërë përparim në këtë drejtim, negociatat rrezikojnë të shtyhen sërish edhe këtë qershor.
Edhe pse qeveria shqiptare është e sigurt se propozimi nuk do të marrë “bekimin” e Komisionit Europian për rikthimin e vizave, klima brenda BE-se pritet të jetë shumë më agresive pas zgjedhjeve të parlamentit europian . Mekanizmi i pezullimit të vizave u prezantua për herë të parë si pjesë e politikës së vizave të BE-së në vitin 2013 në mënyrë që të sigurojë mundësinë e pezullimit të përkohshëm të lëvizjes së lirë ndaj një vendi jo anëtar të BE-së për një periudhë të shkurtër kohore.
Tani që Komisioni Europian është njoftuar nga Holanda, ai do të duhet të shqyrtojë kërkesën duke ia paraqitur më pas vlerësimet e tij Parlamentit dhe Këshillit Europian.
Nëse Komisioni vendos të ndërmarrë masa specifike ndaj Shqipërisë, mund të miratojë një akt zbatues brenda një muaji pas paraqitjes së rezultateve të shqyrtimit të tij në Parlament dhe Këshill. Nëse do të miratohej nga shumica e vendeve të Këshillit Europian, Komisioni do të rikthejë përkohësisht vizat për Shqipërinë.
Gjithçka duket se nisi më 16 prill, kur Parlamenti i Holandës ka votuar pro propozimit për rikthimin e vizave me Shqipërinë. Më anë të një mocioni, parlamenti holandez i kërkonte zyrtarisht qeverisë që të këmbëngulë në Bruksel për rikthimin e vizave për vendin tonë, pasi sipas tyre, kjo është mënyra e vetme për të luftuar mafien shqiptare.
Lajmi i mirë është se vetë ministri i Jashtëm holandez, Steff Blok e quan paraprakisht këtë kërkesën si të pamundur, duke thënë se vendet e tjera europiane nuk do të pajtohen me Holandën.

Blok iu përgjigj opozitës holandeze, duke deklaruar se Shqipëria i plotëson kërkesat që u vendosën për heqjen e vizave dhe se Komisioni Europian nuk është i interesuar për hapjen e kësaj çështjeje. Këto kushte përfshijnë marrjen e masave adekuate kundër korrupsionit dhe parandalimit të krimit ndërkufitar. Megjithatë, sipas ministrit, edhe vetë Komisioni e pranon se Shqipëria ka shumë për të përmirësuar sa i përket kushteve të liberalizimit të vizave.
Ministri holandez i Drejtësisë dhe Sigurisë Grapperhaus gjithashtu tha se kjo kërkesë nuk ka gjasa të miratohet nga Brukseli, madje sipas tij një vendim i tillë do të ishte drastik, por aspak efektiv, pasi sipas tij, “mafia nuk ka nevojë për vizë që të hyjë në Holandë”.
Mafia shqiptare në Holandë
Por përse u kthye mafia shqiptare në kryefjalën e parlamentit holandez dhe sa serioz është ky problem në Holandë?
Në fakt, i pari që ka kërkuar rivendosjen e vizave me Shqipërinë ishte Departamenti i Policisë në vitin 2017. Po ashtu përgjatë muajve të fundit, Policia holandeze ka ngritur shqetësimin se sheh se bandat shqiptarët po blejnë tonelata kokainë në Amerikën e Jugut dhe po krijojnë rrjete të fuqishme shpërndarjeje nga Holanda në vende të tjera europiane.
Në vitin 2017, Departamenti i Hetimeve penale, gjyqësori, Bashkia e Amsterdamit dhe autoritetet tatimore ndërmorën një hetim të përbashkët për numrin e shqiptarëve që janë të përfshirë në trafikun e drogës në Holandë. Atë vit, autoritetet holandeze arrestuan 499 të dyshuar shqiptarë, ndërsa në vitin 2018 u prangosën 476 shqiptarë. Numri i kërkesave për azil nga qytetarët shqiptarët u rrit ndjeshëm në vitet 2015 dhe 2016, me më shumë se 1300 aplikantë në vit. Në vitin 2018 janë dorëzuar 550 aplikime, por sipas mediave holandeze shumica e kriminelëve shqiptarë nuk janë të njohur për autoritetet, sepse nuk janë të regjistruar në Holandë.
Operacioni i fundit kundër mafies shqiptare në Holandë përfshiu rreth 600 oficerë dhe çoi në arrestimin e 64 anëtarëve të një rrjeti kriminal shqiptar. Operacioni i mbështetur nga Europol u organizuar më 5 prill dhe u zgjerua edhe në Belgjikë, Francë dhe Itali. Shqiptarët e arrestuar akuzohen për trafik drogë, trafikimin e qenieve njerëzore, prostitucion dhe pastrim parash.
Autoritetet holandeze kanë ngritur prej kohësh alarmin se mafia shqiptare po përbën një kërcënim gjithnjë e më të madh për Holandën, pasi luan një rol të rëndësishëm në rrjetin e drogës së Amsterdamit dhe Rotterdamit. Në 2017-ën, departamenti i hetimit kriminal në Amsterdam përfundoi një hetim intensiv për një dege të madhe të një organizate kriminale shqiptare, duke arrestuar 7 të dyshuar. Falë një bashkëpunimi me autoritetet italiane, u vëzhguan rreth 100 të dyshuar shqiptarë, të cilët u kapën me armë zjarri, granata, dhjetëra kilogramë kokainë dhe marihuanë.
Mediat holandeze shkruajnë se shqiptarët janë të njohur për ofrimin e kokainës së cilësisë së lartë kundrejt çmimeve të mira. Ata kanë arritur të kontrollojnë një pjesë të mirë të tregut europian, pasi janë të dhunshëm ndaj çdo konkurrenti tjetër. Sipas autoriteteve holandeze, bandat shqiptare atje trafikojnë kokainë, kryesisht nga Ekuadori, përmes porteve të Roterdamit, Hamburgut dhe Bremenit, duke e shpërndarë atë nëpër Europën Perëndimore dhe Britaninë e Madhe.
Për shembull grupi i arrestuar operonte me mjaft saktësi dhe kishte ndërtuar ndarje të fshehta nëpër banesa e makina, me sisteme hidraulike, magnetike apo elektrike, për të fshehur drogën dhe paratë. Anëtarët organizatave shqiptare banojnë në apartamente luksoze me garazhe të mbyllura, nga të cilët ata mund të hynin në shtëpi pa ngritur dyshime.
Sipas mediave holandeze, bandat shqiptare filluan të negociojnë drejtpërdrejt me kartelet kolumbiane që kontrollojnë prodhimin e kokainës. Dërgesa të mëdha u organizuan direkt nga Amerika e Jugut. Po ashtu, ekzistojnë dëshmi të konsiderueshme se jo vetëm shqiptarët punojnë me Ndrangheta-n, por se ata kanë formuar aleancat më të forta edhe me organizatat vendase, të cilat i konsiderojnë si të barabartë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.









