Politike

Historiku i marrëdhënieve Shqipëri-Itali/ Shumë pak takime, shumë pak interes dhe nisma e papërfunduar mes tyre

Dy ditë para se Italia të përfshihej në zgjedhje të parakohshme, ish-kryeministri Sali Berisha, dha mbështetjen për partinë e koalicionit të djathtë të Silvio Berlusconit, Forza Italia. Kjo e fundit është në koalicion me dy parti të tjera të djathta (partinë Liga Veriore të Matteo Salvinit dhe Vëllezërit e Italisë e Giorgia Melonit) dhe sipas sondazheve paraprake pritet të dalin fituese në rezultatet e 25 shtatorit.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha prej më shumë se një viti i shpallur “non grata” nga SHBA, së fundmi edhe nga Britania e Madhe, prej kohësh nuk e viziton Italinë.

Ai zhvilloi takimin e fundit me emigrante të Italisë përmes një komunikimi online.

Silvio Berluskoni, (të cilin Berisha e cilëson mik) ish-kryeministër dhe aktualisht eurodeputet, ka sfiduar edhe një herë pritshmëritë, duke u kthyer në qendër të skenës politike. Ndërsa për Berishën fitorja e  koalicionit të djathtë italian mund të shërbejë si kalkulim për të ardhmen e tij politike, parë më gjerë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë deri më tash kane qenë në një pozicion neutral me shumë pak vizita të nivelit të lartë. Kjo edhe për faktin se Italia ka qenë gjithnjë mbështetëse e Shqipërisë, qyshkur vendi ynë u bë anëtare e NATO-s. Italia ka qenë një zë i vazhdueshëm në integrimin e Shqipërisë në BE i konfirmuar ndër vite edhe në takimet e kryeministrit Rama me ish-kryeministrin Conte dhe me atë në detyre Draghi.

Edhe në aspektin ekonomik, marrëdhëniet mes dy vendeve kanë pasur një rritje konstante.

Italia ishte vendi me të cilin Shqipëria kreu më shumë shkëmbime tregtare edhe për gjysmën e parë të këtij viti sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave. Edhe gjetjet nga Raporti Vjetor 2021, hartuar nga Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim kanë konfirmuar këto rezultate

Ajo që mbetet si pika më e dobët ende e parealizuar mes vendeve është një nismë e Italisë e iniciuar qysh prej vitit 2015 përmes së cilës synohet bashkimi i kontributeve shoqërore për shtetasit shqiptarë dhe italianë që kanë punuar në të dy vendet. Negociimi teknik i marrëveshjes ka përfunduar vite më parë, por ende nuk është miratuar edhe pse disa herë kryeministri Edi Rama në vizitat që ka zhvilluar në Itali e ka përmendur si arritjen kryesore mes dy vendeve.

Nisma për njohjen e pensioneve është premtuar nga palët të përfundojë në fund të këtij viti.  

Ndërkohë, përpjekjet e Shqipërisë dhe Italisë për forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon e më gjerë kane qenë në një linjë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë