Shkencë

Historike, syri i madh i njerëzimit mbërrin në destinacion

Syri më i madh i njerëzimit drejt universit të largët mbërriti në destinacion. Agjencia Hapësinore Amerikane dhe ajo europiane njoftuan se teleskopi më i fuqishëm dhe më i madh i ndërtuar ndonjëherë nga njeriu mbërriti këtë të hënë në pikën “Lagrange 2”, rreth 1.5 milion kilometra larg nga Toka.

Për t’u pozicionuar në pikën që do ta bëjë të orbitojë rreth Diellit për të paktën pesë vitet e ardhshme, teleskopi u komandua nga Toka për kryerjen e një manovre korrigjimi shpejtësie përmes aktivizimit të motorëve me djegie të brendshme. Korrigjimi e shtoi me vetëm 1.6 metra për sekondë shpejtësinë lëvizëse të “James Webb”, por të mjaftueshëm që ai të vendosej në orbitën e preferuar “Halo” rreth Lagrange 2.

Orbita e Webb-it do t’i lejojë atij një pamje të gjerë të hapësirës në çdo moment të caktuar, si dhe mundësinë që optika e teleskopit dhe instrumentet shkencore të ftohen mjaftueshëm për të funksionuar në kushte optimale.

Webb ka përdorur sa më pak shtytës që të jetë e mundur për korrigjimet e kursit, ndërsa orbiton në sferën e pikës L2 me synimin për të kursyer sa më shumë lëndë djegëse që të jetë e mundur për operacionet e zakonshme të Webb gjatë funksionimit të tij, si mbajtja e pozicionit, rregullime të vogla për të ruajtur orbitën e tij dhe vetëmbrojtjen nga rrezatimet e dëmshme të Diellit.

ESA njofton se tani që segmentet kryesore të pasqyrës dhe pasqyra dytësore e Ëebb janë vendosur nga pozicionet e tyre të nisjes, inxhinierët do të fillojnë procesin e sofistikuar tremujor të shtrirjes së optikës së teleskopit në një saktësi gati nanometër.

Webb është teleskopi më i madh dhe më i fuqishëm i lëshuar ndonjëherë në hapësirë. Si pjesë e një marrëveshjeje bashkëpunimi ndërkombëtar, mes NASA-s dhe ESA, ku kjo e fundit ka ofruar shërbimin e lëshimit të teleskopit duke përdorur mjetin lëshues Ariane 5.

ESA ishte përgjegjëse për zhvillimin dhe kualifikimin e përshtatjeve të Ariane 5 për misionin Ëebb dhe për prokurimin e shërbimit të nisjes nga Arianespace. ESA ka siguruar gjithashtu spektrografin e punës NIRSpec dhe gjysmën e instrumentit me infra të kuqe të mesme MIRI, në bashkëpunim me Universitetin e Arizonës. Webb është një partneritet ndërkombëtar midis NASA-s, ESA dhe Agjencisë Kanadeze të Hapësirës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë