Nga Luljeta Nelallari – Afrim Krasniqi, Beqir Meta dhe Hasan Bello janë bërë bashkë për të sjellë katër vëllime me dokumente mbi indoktrinimin komunist me dokumente arkivore të panjohura. Vëllimet nën titullin “Indoktrinimi komunist përmes kulturës, letërsisë dhe artit”, sjellin më afër si ka ndikuar pushteti diktatorial te masat përmes kulturës, letërsisë dhe artit. Agresioni mbi mendjet e artistëve dhe shkrimtarëve duket se ka qenë aq i fortë, saqë edhe sot gati tri dekada pas rënies së komunizmit, ata e kanë të vështirë të reagojnë ndaj fenomeneve të caktuara.
Historiani Beqir Meta, një ndër autorët e këtyre vëllimeve thotë për Gazetasi.al se ajo çka ka ndodhur në 45 vite gjatë sistemit diktatorial është një histori kontrolli totalitar, ku shkrimtarë e artistë kishin hapësirë mjaft të kufizuar krijimtarie.

Meta thotë se këto dokumente që pasqyrojnë gjithë vijën politike të Partisë Komuniste për indoktrinimin e popullsisë përmes kulturës, letërsisë dhe artit, sjellin risi pa fund në shumë e shumë drejtime, duke dhënë një pasqyrë të plotë që provon se sa intensive ishte kjo parti.
“Këto dokumente botohen për herë të parë dhe botohen në një fushë që edhe nuk ka pasur shumë studime. Sigurisht që janë të gjitha risi dhe nuk kanë qenë më parë në qarkullim shkencor. Një ndër ta është se si Partia Komuniste Shqiptare përdori që në momentet e para mjete të propagandës për ta shtrirë kulturën nën ndikimin e tyre politik. Ajo që bie në sy është forca dhe energjia e tyre për t’u angazhuar, duke nisur me organizatat e partisë, të shkollave, të shtypit, të radios, të shtëpive botuese”, shprehet Meta për Gazetasi.al, ndërsa shton se e rëndësishme është që “ky dokumentacion pasqyron edhe thellësinë e ndërhyrjes, pra sa thellë ndërhyri udhëheqja komuniste në kulturë, veçanërisht në letërsi ku ndërhyrja erdhi dhe u bë gjithnjë e më e thellë dhe ulëritëse, saqë çoi deri në një nivel të shkatërrimit të letërsisë dhe krijimtarisë artistike”.

Ai shton më tej se në të gjitha fotot e regjimit vihej re dhe konstatohej se kjo lloj krijimtarie, vuante nga mediokriteti, skematizmi dhe shabllonizmi.
“Artistët dhe shkrimtarët sigurisht e kuptonin, por nuk e theksonin se shkaktari kryesor ishte kjo ndërhyrje politike në letërsi dhe në art. Ka fenomene të habitshme ku shkrimtarët dhe artistët dënohen qoftë edhe për një devijancë të vogël estetike. Ata ndërhynin në shtëpitë botuese, në Lidhjen e Shkrimtarëve, po ashtu edhe në rrethe. Nëse raportohej diçka që nuk ishte në përputhje me normat e artit që donin ata, shkrimtarët pastaj u nënshtroheshin dënimeve dhe masave ndëshkuese” shton Meta.
Ndërsa thekson se në atë kohë, krijimtaria artistike ka qenë një makth për krijuesit, ai thotë se shkrimtari asnjëherë nuk e dinte nëse vepra e tij do të anatemohej ose jo.
“Fenomene të tjera janë edhe kontrolli punëtor mbi letërsinë. Kjo tregon diskriminimin që i bëhej figurës së shkrimtarit. Po kështu kishte organizata partie në bazë të cilat çonin informacione, të shumta për shkrimtarë, artistë etj”, vijon Meta.
Një tjetër detaj që ai veçon është fakti që nuk ndërhynin vetëm organizatat e partisë, por në shumë raste ndërhynte edhe Ministria e Brendshme, të cilat bënin vërejtje për vepra artistike.
Censurës së fortë nuk i ka shpëtuar as shkrimtari i madh, Ismail Kadare.
“Censorët e tij ishin të shumtë, duke filluar nga Dritëro Agolli, dhe të tjerë në Komitetin Qendror. P.sh vepra e Kadaresë që i referohej prishjes së marrëdhënieve me Kinën, një roman interesant që nuk u botua, pasi kishte shkuar shumë thellë dhe prekte interesat e Partisë Komuniste. Një sërë kritikash do të ndalonin veprën e Kadaresë nga botimi”, shprehet ai.
Në një kohë që Shqipëria ishte tërësisht e izoluar dhe censura vijonte të zgjerohej, Meta thotë se pasojat kanë qenë të jashtëzakonshme, pasoja të cilat sipas tij vihen re edhe sot.
“Izolimi nga kultura perëndimore dhe kjo ndërhyrje e thellë në të gjitha dimensionet e artit ka lënë pasoja edhe sot, megjithëse kanë kaluar 30 vjet nga komunizmi. Edhe qeveritë aktuale të viteve pas komunizmit nuk është se kanë ndërtuar një platformë për ta kapërcyer këtë trashëgimi të hidhur, madje do thosha, ata shpesh janë të përçara me njëra-tjetrën dhe madje përpiqen ta përdorin indoktrinimin komunist për interesa partiake” tregon Meta.
Sipas tij, procesi i dekomunistizimit duhet të shtrihet jo vetëm në procesin e zbulimit të spiunëve, por në radhë të parë për të kapërcyer këtë humnerë kulturore.
Ka shumë pak përpjekje, kështu që dominanca e trashëgimisë komuniste është ende e fortë, dhe duhen dekada të tjera që të kapërcehet, sipas historianit.
Meta nënvizon se kjo trashëgimi e hidhur vijon të serviret edhe në rrafshe të tjera artistike, si nëpërmjet filmave.
“Ndikimi në shoqërinë e sotme vjen edhe përmes filmave, duke krijuar në këtë mënyrë një ripërtëritje. Dëmi është shumë më i madh se e mira që vjen nga respektimi ndaj një trashëgimie, sidomos te moshat e reja që nuk e njohin atë periudhë. Jam pro lejimit, por në mënyrë të limituar dhe me komente të studiuesve, të kritikëve etj”, përfundon historiani Meta për Gazetasi.al.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





