Histori

Historia e vaksinimit – Nga Edward Jenner tek lëvizjet anti-vaksina

Nga zbulimi i saj në shekullin e 18-të nga mjeku Edward Jenner te rritja e lëvizjeve anti-vaksinuese sot

Kur u shpikën vaksinat?

Që nga kohërat e lashta, sëmundja e lisë shkatërroi globin, duke prekur të gjitha qytetërimet  dhe sferat e jetës. Me një shkallë shkatërruese vdekshmërie dhe pa kurim efektiv, miliona vdisnin çdo vit dhe ata që mbijetuan mbetën të shpërfytyruar nga plagët e thella – nga kjo doli edhe  emri tjetër i lisë, ‘përbindëshi me pika’. Ishte një vrasës jashtëzakonisht i suksesshëm dhe mund të jetë akoma, po të mos ishte për mjekun dhe kirurgun anglez Edward Jenner.

Gjatë shekullit të 18-të, vaksinimi tradicional i lisë, ‘variolacioni’, ishte i rrezikshëm pasi përfshinte infektimin e një personi të shëndetshëm me një formë të lehtë të sëmundjes me shpresën e rritjes së imunitetit. Jenner – i cili, si një djalë shkolle, pësoi një përvojë hidhëruese kur u variolizua – u përpoq të gjente një barrierë më të sigurt kundër lisë. Nga praktika e tij mjekësore në qytetin e Berkeley, Gloucestershire, ai filloi kërkimet, me këshillën e mentorit të tij, John Hunter, që jehonte: “Mos mendo, provo!”

Ai vuri re se mjelëset vendase  që vuanin nga lija e lopës, një sëmundje shumë më pak e dëmshme e marrë nga bagëtia, dukeshin të imunizuar ndaj lisë. I inkurajuar, Jenner mendoi  të provonte nëse lija e lopës mund të përdoret për të shpëtuar jetë dhe kishte vetëm një mënyrë për ta zbuluar. Më 14 maj 1796, Jenner mori qelb nga plagët e një pacienteje me lijë, mjelëses Sarah Nelmes dhe e transferoi atë tek djali tetëvjeçar i kopshtarit të tij, James Phipps.

Djali u sëmur gjatë nëntë ditëve të ardhshme, por u shërua plotësisht. Jenner më pas ndërmori hapin e rrezikshëm dhe të dyshimtë etikisht për të infektuar Phipps me një dozë të butë të lisë për të testuar ‘vaksinimin’ e tij – emëruar “vacca”,  fjala latine  për lopën. Për kënaqësinë e Jenner, lija  nuk u zhvillua dhe vaksina ishte një sukses i jashtëzakonshëm.

Vaksina e Jenner u përhap, duke zëvendësuar shpejt variolacionin, ndërsa ai u vlerësua nga  e gjithë bota – veçanërisht pas 1803, kur një ekspeditë speciale lundroi në Amerikë për të vaksinuar mijëra njerëz . Vala  ishte kthyer – lija ishte e pushtueshme. “Jenner ishte shumë i respektuar për zbulimin e tij”,  shpjegon profesore  Mary Fissell i Universitetit John Hopkins. Ai kërkoi lirimin e disa robërve anglezë të luftës,  gjatë Luftërave Napoleonike dhe Napoleoni thuhet se u përgjigj: “ne nuk mund t’i refuzojmë asgjë atij njeriu”. Vaksinimi u konsiderua një dhuratë e pabesueshme për njerëzimin. ”

Puna për të çliruar botën nga një prej sëmundjeve të saj më të këqija dhe më të përhapura do të kërkonte  shekuj, por, më 1980, Organizata Botërore e Shëndetësisë më në fund njoftoi çrrënjosjen e saj totale me fjalët “Lija ka vdekur!”

Rritja e lëvizjeve anti-vax

Sot, vaksinimi është një praktikë e zakonshme në të gjithë botën. Në vitet e fundit, megjithatë, lëvizjet anti-vaksinuese (të njohura si anti-vaxxers) janë bërë gjithnjë e më të zëshme në kundërshtimin e tyre me procedurën mjekësore, duke zhvilluar platforma të mëdha në mediat sociale dhe duke organizuar marshime dhe demonstrata. Midis këtyre qarqeve, gara për të gjetur një vaksinë për Covid-19 ka provuar të jetë një çështje veçanërisht e diskutueshme. Ndërsa ekspertët mjekësorë shpallin një vaksinë si zgjidhje për pandeminë globale, anti-vaksistët janë të shqetësuar për sigurinë dhe efektivitetin e një vaksine të tillë – me ndjenja që variojnë nga shqetësimi i butë deri në kundërshti të plotë. Në Mbretërinë e Bashkuar, deputeti Chris Elmore, kryetari i grupit të të gjitha partive në Parlament në mediat sociale, ka shprehur shqetësimin në lidhje me përhapjen e teorive konspirative anti-vaksinuese, të cilat ai i përshkruan si një “bombë me sahat”.

Sipas profesoreshës Fissell,  skepticizmi ndaj vaksinave nuk është domosdo një fenomen modern. “Ndërsa vaksinimi u bë një praktikë më e pranuar në shekullin e 19-të, shteti filloi të dëshironte t’i bënte njerëzit të vaksinoheshin”,  shpjegon ajo. “Kjo krijoi lëvizje anti-vaksinuese, veçanërisht në mesin e klasës punëtore britanike, të cilët thjesht nuk donin që shteti të sundonte trupat e tyre. Kishte shumë konflikte me faktin nëse ata mund të rezistonin.

“Është një model mendoj, se  ku jemi sot në drejtim të njerëzve që argumentojnë se shteti nuk duhet të ketë të drejtë të injektojë diçka në trupat e tyre. Por ku janë kufijtë e pushtetit shtetëror dhe autoritetit shtetëror? Kjo është një pyetje shumë e thellë politike. Ndoshta nuk na pëlqen gjithmonë mënyra se si ai luan në terren, përsa i përket zgjedhjeve që bëjnë njerëzit”.

*Mary E Fissell është profesoreshë në Departamentin e Historisë së Mjekësisë,  në Universitetin Johns Hopkins.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë