Më shumë se 100.000 aplikime të shqyrtuara për përzgjedhjen e 11.000 personazheve sportive për stafetën e Flakës Plimpike në Francë, rituali i shëtitjes së simbolit më të madh të sportit në botë. Dhe mes tyre do të jetë një shqiptar, ish-futbollisti i Dinamos dhe i kombëtares shqiptare i viteve ’90, Adrian Sukaj.
Bartësit e Flakës Olimpike dhe Paraolimpike, të përzgjedhur nga Komiteti Organizativ i ‘Paris 2024’, ndajnë një pasion dhe energji të përbashkët, atë të sportit dhe të Lojërave, si dhe fuqinë e kolektivit dhe vrullin e territoreve sipërmarrëse që kontribuojnë në rrezatimin nga Franca, vendi që do të organizojë Olimpiadën.

Stafeta e Flakës do të përbëhet nga njerëz me histori të bukura individuale dhe të rralla, si ajo e Adrianit!
Adrian Sukaj është një ish-futbollist i Kombëtares kuqezi dhe një lojtar i nivelit të lartë edhe në Francë, veç aktivizimit me Dinamon që nga viti 1987 deri në vitin 1991. Ai ka qenë pjesë e e ekipit francez të Lavalit, që arriti deri në gjysmëfinalen e Kupës së Francës përballë PSG-së.
Rrugëtimi i tij si lojtar dhe më pas si trajner mbeti tek Entente Sannois St Gratien (ESSG), është kurorëzuar me sukses, me ngjitje të njëpasnjëshme nga kategoritë inferiore të futbollit francez.
Përvoja e tij më e gjatë ishte në ESSG, 16 vjet. Si lojtar ai ka ngjitur 6 shkallë midis 1995-ës dhe 2003-shit, duke shkuar nga Ekselenca (rajonale) në Kategorinë e Parë. Pasi përfundoi kursin e trajnimit për licencat e nevojshme për të drejtuar një ekip futbolli, në Francë ai më pas u bë trajner dhe me ekipin B përparoi tre divizione nga DHR në CFA2, CFA dhe gjithashtu në nivel kombëtar!

Më në fund, pas 16 sezonesh, ai e transformoi klubin! Për ta nderuar, SIVOM-i i vendosi emrin e tij fushës stërvitore. Aktualisht është drejtor i shërbimit të Sportit dhe Rinisë në qytetin e Saint Gratien. Ai është gjithashtu trajner i skuadrës rajonale të Val d’Oise dhe prej dy dekadash investon me fëmijët e shoqatës “Source Vive”, qëe ofron ndihmë dhe mbështetje për fëmijët me sëmundje të rënda dhe familjet e fëmijëve të tyre.
Shqipëria, nëpërmjet Adrianit, do të jetë për herë të parë në histori, mbajtëse e simbolit botëror të sportit, që është Flaka Olimpike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



