Art dhe Kulture

“Historia e një sigurim-si”, trofe në Festivalin e Salernos

Filmi “Amaneti” vlerësohet në edicionin e 73-të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit.

Një histori që vjen nga Shqipëria komuniste ka triumfuar në ekranin e madh të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Salerno. Filmi “Amaneti” me regji të Namik Ajazit, ka fituar trofeun e edicionit të 73-të të këtij festivali të njohur. Filmi është një bashkëprodhim shqiptaro-italian, dhe është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Ky nuk është trofeu i parë për këtë film, i cili që pas premierës në kinematë shqiptare më vitin 2015-të, ka marrë një sërë vlerësimesh në kompeticione të ndryshme ndërkombëtare ku ka marrë pjesë.

I shkruar nga dramaturgu i njohur Ruzhdi Pulaha, filmi rrëfen historinë e Mentor Hasës, një funksionari të lartë të Sigurimit të Shtetit, i cili nga “përgjues” e gjen vetën tek të përgjuarit. E në këtë kthesë dramatike që merr jeta e tij, ai vendos të rrëfejë për të vrarët e pushtetit të cilit ai i kishte shërbyer. Amaneti i tij për të birin Martin është që historia e tij t’i rrëfehej botës. Aktorët kryesorë që interpretojnë në këtë film janë  Eva Alikaj, Myzafer Ziflaj , Sokol Angjeli, Amos Zaharia, Shyqyri Caushaj dhe Sulejman Dibra.

”Është një triller, ka dhe pak aksion....Jemi në vitin 1982, menjëherë pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut. Ne synojmë të sjellim një histori tërësisht shqiptare, edhe pse e vështirë për ta prekur. Rikthimi më ‘82 është po aq i vështirë edhe nga ana e realizmit dhe produksionit. Filmi i rikthyer në kohë ka një tjetër kosto, sepse këtu asgjë nuk ngjan më me ato vite”, do të shprehej për këtë film regjisori Namik Ajazi.

Protagonisti kryesor në këtë film, Mentor Hasa, është një ish-ministër në regjimin e Enver Hoxhës, i cili ka marrë pjesë në eliminimin e miqve të tij. E ashtu siç funksiononte në diktaturë, vjen radha e eliminimit të tij. Por, para se ti dorëzohet fatit ai regjistron gjithë veprimtarinë e tij, që para çlirimit të Shqipërisë e gjithçka që kishte ndodhur, duke ia lënë amanet të birit. Pas arrestimit, familja e tij, gruaja dhe i biri internohen.

Fati i kësaj familje simbolizon fatin e gjithë familjeve të pushtetarëve që e pësuan nga regjimi. Tashmë gruaja e tij Lida punon stalliere ndërsa i biri punon në minierë. Pas shumë mundimesh i biri Martini arratiset në Itali dhe do të tregojë historinë e të atit. Ai gjen një studio dhe kur po përgatiste historinë ai ekzekutohet. Një thriller i menduar mirë nga regjisori, ky film kërkon të tregojë ndryshe atë çfarë ishte diktatura shqiptare. Vetë regjisori Ajazi tregon se e ekzekutoi të birin e Mentor Hasës, duke u bërë një homazh gjithë atyre djemve të ish-pushtetarëve të lartë, të cilët nuk u kthyen më kurrë nga minierat ku u internuan, ku u sajuan vdekje aksidentale apo vetëvrasje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë