Ai e kishte emrin e lindjes Dod. Por, për shkak të jetës si emigrant në Greqi iu desh një emër i pranueshëm atje, si shumë shqiptarë emigrantë. Dhe mori emri Jan Prenga. Ishte fëmija i madh i pesë djemve të Ndoc Prengës. Siç thonë për gazetën “Si” ata që e njihnin nga Kaftalla e Pukës, familja Prenga u zhvendos në Bathore. Por, ndërsa katër vëllezërit e tjerë ikën në Angli, më i madhi i tyre Doda apo Jan Prenga u kthye në Kamëz për të provuar një jetë më të mirë në Shqipëri dhe për të mos lënë vetëm prindërit dhe familjen. Nga një marangoz, ai dha një ambient me qira në Kamëz dhe ata që e njihnin e tregojnë një person pa asnjë problem. Ishte pikërisht kjo e dhënë që e ka bindur policinë se diçka tjetër fshihej pas pengut të rrëmbyer. “Ishte një njeri në punë të vet, njeri i qetë”, kështu e përshkruan një banor Jan apo Dod Prengën për të cilin që prej datës 17 janar nuk dihet më asgjë. Që prej momentit kur ai shfaqet i ngrirë, me shumë mundësi i vdekur, teksa mbi të disa persona po tentojnë ta sjellin në vete, por ai nuk ka asnjë reagim. “Ndaj ne mendojmë që Jan Prenga ka ndërruar jetë”, tha për gazetën “Si” një burim, duke shpjeguar se çfarë tregonin kamerat e sigurisë.
Pafajësinë e Jan Prengës e konfirmoi edhe vëllai tjetër i tij, i cili jeton në Angli dhe punon në ndërtim. Antoni apo me emrin e mëparshëm Artani, është katër vjet më i vogël se Jani. Ai erdhi dhe foli me policinë dhe tregoi se “ata të dy jetonin me drejtësi dhe ndaj kishte dyshuar që ndonjëri nga vëllezërit mund të kishte bërë diçka”. Rrëfimi i Antonit është kyç në këtë histori që nga telefonata e familjes nga Shqipëria që e njoftoi për rrëmbimin dhe deri te llogaria që i kishte kërkuar Astritit. Ky i ka paguar që kishte vjedhur drogën dhe ka pranuar gjithçka duke treguar edhe emra kriminelësh, të cilët morën pengun derisa ai t’iu kthente drogën.
Ngjarja
49-vjeçari Jan Prenga u mor peng mesditën e17 janarit 2020 në rrugën “London”, në Kamëz. Duke qenë se rrëmbimi i tij me dhunë kishte në mes pazare droge, qëllimi ishte për të “baraspeshuar” situatën dhe presionin, por jo vrasja.
Policia në një deklaratë zyrtare do të njoftonte se rrëmbimi i tij, i ndodhur në Kamëz ka ardhur si pasojë e një konflikti që një nga vëllezërit e viktimës ka pasur me organizatorët dhe rrëmbyesit, si pasojë e disa konflikteve kriminale në Angli.
Vëllai i Jan Prengës, që jeton në Angli, është kontaktuar nga një grup i fuqishëm që me kamionin e tij të nxjerrë nga Mbretëria e Bashkuar rreth 283 kg kokainë, që mbërrinte nga Amerika Latine, Ekuadori.
Nga përgjimet rezultoi se ai e ka marrë lëndën narkotike, por nuk e ka dorëzuar në destinacion.
Për pasojë, mendohet se grupi kriminal ka urdhëruar marrjen peng të vëllait të tij, Jan Prenga, për t’u hakmarrë, i cili për shkak të torturave të shumta, gjeti edhe vdekjen.
Pas kontrolleve të ushtruara në disa subjekte private, hotele dhe tri banesa private në fshatin Pjezë, Shijak, Durrës, policia vu në pranga shtetasit: Leonard Hajri, Olsi Turja, Elton Hajri, Bajram Hajri, të gjithë banues në Shijak, ku njëri prej tyre rezultonte i dënuar më parë.
Gjithashtu, gjatë kontrolleve u gjetën dhe u sekuestruan 2 armë zjarri pistoleta, një sasi municioni, 16 aparate celular, 4 automjete dhe një shumë eurosh.
Siç njoftoi policia, të 4 shtetasit pas rrëmbimit të Jan Prengës, kanë shkuar direkt në resortin në pronësi të Altin Hajrit.
Nga veprimet hetimore rezultoi se 49-vjeçari si pasojë e goditjeve të marra në Kamzë dhe humbjes së gjakut, ka ndërruar jetë gjatë rrugës për ta transportuar për në resort, aty ku do mbahej peng. Personat janë kujdesur për ta fshehur trupin e tij, ndërkohë që policia vijon kërkimet në zonën e Shijakut, për gjetjen e trupit. Më vonë, u vu në pranga edhe Festim Bixhdili, në Kavajë, i cili akuzohej “Fshehje dhe asgjësim të kufomës”.
Automjetin me të cilin e kanë rrëmbyer autorët mendohet se e kanë djegur, një mjet “Range-Rover”, që ishte në pronësi të një këngëtareje.
Kokaina ishte porositur nga anëtarët e organizatës kriminale, prandaj edhe ata u hakmorën, por situata duket se u doli nga kontrolli.
Deri më tani janë 5 të arrestuar, të cilët janë lënë në burg nga Gjykata e Tiranës dhe janë të shpallur në kërkim 10 persona.
Në burg janë Leonard Hajri, Olsi Turja, Elton Hajri dhe Bajram Hajri, të cilët akuzohen për “Mbajtje peng personi” dhe “Armëmbajtje pa leje”, ndërsa Festim Bixhdili, i cili u arrestua në Kavajë për “Fshehje dhe asgjësim të kufomës”. Ndërkohë, njëri nga personat e shpallur në kërkim Gentian Doçi nga Shkodra, cilësohet si “truri” i kësaj pengmarrjeje. Ai rezulton i shpallur në kërkim dhe nga autoritet italiane për trafik kokaine. Po ashtu, një tjetër emër i njohur i botës së krimit në këtë ngjarje është Dritan Rexhepaj, i cili dyshohet se është dërguesi i kokainës nga Ekuadori.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.