Njerez

Historia e nipit dhe 13 kilometra not për të hapur një qendër për fëmijët me nevoja të veçanta

Nga Sorgena Leka - Ndodh që disa sfida të duken të vështira që në mendim, pa i filluar, e kështu harrohen në një cep të pluhurosur. Ky nuk është rasti i të riut në shpirt, Ergin Borova, 51-vjeçari nga Struga që dy vite të jetës së tij ia kushtoi përgatitjes për një sfidë që zgjati vetëm pesë orë por mjaftueshëm për të bërë të lumtur për një kohë të gjatë prindër dhe fëmijë.

Borova jeton dhe punon në Holandë. Është autor dhe publicist në fushën e zhvillimit të organizatave, bashkëthemelues i një IT startup Peddy, aplikacion për HRM(Menaxhimin e burimeve njerëzore) por asnjëra nga këto nuk kanë lidhje me sfidën e tij me not.

Ergin Borova, Gazeta Si, 2 gusht 2021

Për të hapur një qendër për fëmijët me nevoja të veçanta, ku dhe ka hapur fondacionin “Care for disabled kids”, Borova notoi për 13 kilometra, nga Ohri në Strugë.

Ai tregon për Gazetasi.al se arsyeja fillestare pse ndërmori këtë sfidë është nipi i tij me aftësi të kufizuara dhe gjithë vështirësitë që hasin prindërit e tij.

Ishte një sfidë që i kushtoi shumë mund, lodhje, dhimbje por në fund, falë dhe një telefonate me nipin e tij në një moment kur lodhja kapi limitet, arriti t’ia dilte, duke fituar respektin e të gjithë njerëzve dhe një shumë të konsiderueshme parash për nismën e tij.

- Si erdhi gjithë ideja për të hapur një fondacion?

Vëllai dhe bashkëshortja e tij kanë një djalë të ëmbël, por me nevoja të veçanta dhe me aftësi të kufizuara. I shoh vit pas viti se sa sakrifikohen për mirëmbajtjen e djalit dhe gjithë ky proces dita ditës është duke u komplikuar. Pjesërisht thjesht sepse djali po rritet dhe gjithashtu është edhe mosha e prindërve të tij. Duke biseduar me vëllain kuptova se ka shumë prindër si ata dhe kështu erdha me idenë se duhet një qendër për fëmijë me nevoja të veçanta. Kjo qendra do kishte një pjesë për aktivitete ditore dhe një pjesë për vendbanim në grup nën mbikëqyrjen dhe ndihmën e profesionistëve. Armendi ka qenë për mua burim i inspirimit tim për një gjest të tillë human. Në Holandë kemi gjithashtu miq të cilët kanë një djalë me nevoja të veçanta në një situatë të komplikuar. Një shtet i zhvilluar si Holanda e ka zgjidh këtë problem për prindërit. Prej atyre kam mësuar se si është e mundur në mënyrë kolektive dhe profesionale të mbështeten prindërit me fëmijë të tillë.

- Pse pikërisht nga Ohri në Strugë dhe pse pikërisht një aktivitet i tillë?

Notin e kam pas pasion si sport kur kam qenë një djalë i ri në Strugë dhe tani noti është për mua pothuajse një ndër sportet e vetme të cilat mundem t’i bëj duke mos patur dhimbje ose dëmtim në trup. Si banor i Strugës, ku kam lindur dhe jam rritur, e kam pas një sfidë ta notoj këtë distancë dhe kështu vendosa të kombinoj sfidën time personale me sfidën humanitare për dy shkaqe. Së pari të kërkoj rritjen e ndërgjegjes qytetare në lidhje me këtë temë, një mënyrë për të tërhequr vëmendjen dhe së dyti të mbledh fonde për fondacionin. Duke qenë një sfidë interesante dhe sepse distanca Ohër-Strugë është mjaft sfiduese për një notues jo profesional, kisha besim se të gjitha këto do të ndihmonin dhe ashtu doli.

- Cili ishte reagimi i njerëzve kur ju the për nismën?

Reagimi i shumicës ishte befasues. Disi sikur nuk u besohej që një 51-vjeçar mundet ta bëjë këtë distancë me not. Në të njëjtën kohë ka qenë edhe një gjest inspirues. Moshatarët e mi tani e panë se mosha është vetëm një numër dhe se shumicën e sfidave që i kemi në jetë ballafaqohen.

- Sa kohë u deshën dhe si ishte gjithë përgatitja si fizike ashtu edhe mendore për të notuar për aq shumë kilometra?

Dy vitet e kaluara kam qenë i përfshirë në sportin e notit por jo stërvitje intensive vetëm mirëmbajtjen e trupit. Për shkak të Covid-19 kanë qenë pishinat mbyllur. Nga prilli i këtij viti kam nis me një program stërvitjeje fillimisht në pishinat e hapura e pastaj në ujërat e hapura në Holandë.

- Si ishte 29 korriku, nga mëngjesi e deri në momentin që arrite në Strugë?

Natën para 29 korrikut nuk kam bërë gjumë fare. Kanë qenë emocionet e ditës së nesërme por gjithashtu edhe “meraku” dhe stresi se a do e përballoj. Dola nga shtrati në orën 04:45. Krejt ekipi mbështetës ishte gati në orën 06:00 dhe u nisëm me tre makina për në limanin e Ohrit ku e kishim barkën ndjekëse. Në orën 06:47 fiks isha në ujë dhe nisi sfida që zgjati 5 orë e 13 minuta. Në trajnimet parapregatitëse kisha bërë distancën 10 kilometra. Deri në atë distancë i kisha të njohura dhimbjet dhe simptomat. Por pas kilometrit të 10 e kisha shumë të vështirë. Në fakt është edhe një sfidë psikologjike se prej në atë distancë duket Struga e bukur mirëpo duhet shumë punë për të aritur deri atje. Unë arrita në vendin e duhur tamam në orën 12.00.

- A kishte një moment që doje të hiqje dorë, që mendove se thjesht nuk do ia vlejë?

Afër kilometrit të 11 filluan dhimbjet në shpatullën e majtë. Nuk më shkoj në mend të ndalem por thjesht doja ti kërkoja mjekut shoqërues të më jepte një gjilpërë. Gjithsesi nuk e bëra dhe vendosa të duroj dhimbjen dhe të vazhdoj. Diku para fundit bëra një Facetime me nipin , arsyen pse po e bëja gjithë atë dhe ai më ka dhënë fuqinë e fundit për përfundimin e sfidës.

- Çfarë ndodhi më pas, cili ishte impakti që krijoj ky mision në mbledhjen e fondeve, a mendon se e arrite qëllimin tënd?

Isha edhe vetë i befasuar se sa i madh ishte impakti tek njerëzit. Mbështetja është maksimale. Deri më tani kemi ngritur fonde rreth 15.000 euro. Aktivitetet vazhdojnë dhe tani kemi nis bisedat edhe me sponzorët e mëdhenj të cilët do japin kontribute me shuma shumë më të mëdhaja.

 - Në fund të ditës, a ia vlejti çdo gjë?

Definitivisht! Është një gjest që rrit ndërgjegjen qytetare. Është një gjest që në të njëjtën kohë rrit edhe besimin tek njerëzit që ndryshimi dhe lëvizja është e mundur nëse dikush e ka kurajon të bëjë diçka. Tashmë në Strugë u bë kjo dhe tani varet nga ne se a do jemi në gjendje ta ndërtojmë qendrën për fëmijët me nevoja të veçanta.

- Do ketë më nisma nga ana juaj për arsye aq humanitare sa kjo?

Vitet që vijnë do jem i angazhuar me këtë projekt. Ky është një projekt afatgjatë dhe besoj se do të zgjasë deri në dy vite apo më shumë. Pasi të realizojmë këtë projekt do mendoj edhe për projekte të tjera humanitare. Gjithsesi do të jem gjithmonë me sytë nga sfida aktuale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë