Art dhe Kulture

Historia e Hilma af Klint/ Gruaja që krijoi pikturën abstrakte para Kandinskit dhe Mondrianit

Nga Gazeta “SI”- Në një fshat të qetë të Suedisë, në verën e vitit 1986, një fermer has rastësisht një sasi të pazakontë kutish druri të mbyllura me kujdes në bodrumin e një ndërtese të vjetër. Ato që zbuloi brenda do të ndryshonin mënyrën se si historia e artit e kishte shkruar vetveten. Më shumë se 1.200 piktura, fletore dhe skica nga një artiste e panjohur, Hilma af Klint.

Puna e saj përfshinte forma gjeometrike, ngjyra të ndezura dhe simbole misterioze, që sillnin në mendje artin abstrakt të Kandinsky apo Mondrian. Por kishte një të papritur,  ajo i kishte pikturuar dekada më parë se ata.

E lindur më 1862 në një familje aristokrate ushtarake, Hilma af Klint studioi në Akademinë Mbretërore të Arteve në Stokholm dhe nisi karrierën si piktore peizazhesh dhe portretesh. Por që në fillimet e saj, ajo e ndjente se duhej të kërkonte përtej asaj që mund të shihej me sy.

Klint ishte thellësisht e interesuar pas spiritualizmit dhe shkencave ezoterike , një frymë që e mbërthente Europën e shekullit të 19-të. Ishte pjesë e një grupi të quajtur “De Fem” (Të Pestat), i përbërë nga gra që praktikonin meditimin, komunikimin me shpirtra dhe kanalizimin e mesazheve të “botës tjetër”.

Nga këto seanca lindën disa prej veprave më të guximshme që kishte prodhuar ndonjëherë ndonjë artiste femër e kohës së saj . Midis viteve 1906 dhe 1908, Hilma krijoi 111 piktura, ndër to dhjetëra tablo monumentale që do të përbënin ciklin “Pikturat për Tempullin”, një projekt vizionar që ajo besonte se kishte origjinë hyjnore. Ajo punonte në heshtje, me një përkushtim të rrallë, duke dokumentuar gjithçka në ditarët e saj të detajuar duke e konsideruar veten si një mjet përmes të cilit transmetohej një mesazh shpirtëror.

Megjithatë, pas një rraskapitjeje të thellë në vitin 1908, ajo u tërhoq nga piktura për disa vite. Kishte shpresa që Rudolf Steiner, filozofi dhe themeluesi i antropozofisë, do t’i interpretonte veprat e saj, por ai i tha se ato nuk duhej të shiheshin për 50 vjet. Ky refuzim e thelloi më tej ndjesinë e izolimit. Hilma hoqi dorë nga piktura për katër vite dhe u përkushtua kujdesit për nënën e saj të verbër.

Hilma af Klint nuk u martua kurrë. Nipi i saj, Johan af Klint, e përshkruan si një grua të përmbajtur, serioze, por me një humor të fshehur dhe me një ndjenjë të fortë misioni.

Hilma af Klint

 “Ajo ishte e vendosur, e kthjellët, e veshur gjithmonë me të zeza, dhe thoshte: ‘Jeta është farsë, nëse njeriu nuk i shërben të vërtetës”

 Një gjurmë e këmbës në një prej telajove të saj mbeti si një shenjë intime e pranisë së saj , e vogël në trup, por e madhe në vizion.

Ajo që e bën historinë e saj edhe më prekëse është fakti se ajo kurrë nuk pa vlerësimin për veprën e saj gjatë jetës. Pikturat që krijoi u mbajtën të mbyllura për dekada. Ato nuk u ekspozuan, nuk u shitën, nuk u komentuan nga kritika. Vetëm pas vdekjes së saj në vitin 1944, dhe veçanërisht pas zbulimit të madh në vitet ’80, bota filloi të kuptojë thellësinë dhe radikalitetin e artit të saj.

Në ditët e sotme, Hilma af Klint po zë vendin e saj të merituar në historinë e artit modern. Ekspozita të mëdha në Guggenheim Museum në New York dhe Serpentine Gallery në Londër kanë tërhequr qindra mijëra vizitorë, duke e prezantuar këtë grua të panjohur si pararendësen e artit abstrakt , shumë përpara burrave që historia kishte vënë në piedestal.

Sot, trashëgimia e saj është në duart e Hilma af Klint Foundation, themeluar në vitin 1972 nga pasardhësit e saj. Ndërsa pjesa më e madhe e veprave qëndrojnë ende në një bodrum jashtë Stokholmit, drejtues të fondacionit si Patrick O’Neill e shohin si të domosdoshme që këto vepra të bëhen më të aksesueshme  përmes ekspozitave ndërkombëtare, dijes publike dhe kërkimeve shkencore.

 “Pse duhet të qëndrojnë në errësirë, kur Hilma vetë besonte se do të vinte një kohë kur njerëzit do të ishin gati për to?”, pyet Daniel Birnbaum, kurator dhe kritik arti.

Galärvarvskyrkogården, varrezat e vjetra detare në Stokholm ndodhet edhe varri i Hilmës. Aty nuk ka asnjë gur të madh, as emër të gdhendur me germa të mëdha. Vetëm një gur modest me emrin e të atit të saj, Viktor af Klint.

“Ne vijmë dhe zhdukemi,” thotë Johan. Por vepra e Hilmës nuk është zhdukur. Ajo ka mbetur si një thirrje e heshtur nga një kohë tjetër, një dëshmi se arti mund të jetë edhe urë midis shpirtit dhe së ardhmes.

Shtatëdhjetë vjet pas vdekjes së saj, Hilma af Klint nuk është më një hije në historinë e artit. Ajo po merr vëmendjen dhe vendin e saj në historinë e artit botëror si pararendësja e pikturës abstrakte.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë