Njerez

Historia e Carmen Diodato, e vetmja balerinë e shurdhër profesioniste: Muzikën? E ndjej sipas mënyrës sime

Momenti më i vështirë ishte ai i pandemisë. “Të gjithë duhej të mbanim maska ​​ndërsa kërcenim dhe në atë moment ishte shumë e vështirë për mua të dëgjoja korrigjimet e koreografit, pasi nuk mund ta kuptoja përmes lëvizjes së buzëve. Ishte e pashmangshme humbja e disa nuancave”. Tani që i jemi kthyer (pothuajse) normalitetit, Carmen Diodato, 34 vjeçe me origjinë nga Cosentino dhe, (për të përdorur fjalët e saj, “thellësisht e shurdhër”), arrin t’i kapërcejë “mundësitë e pabarabarta” me kolegët e saj në mënyrën e zakonshme: duke punuar  trefish.

“Nëse më duhet të përgatis solo, e kaloj pasditen duke dëgjuar muzikën pa pushim derisa ta dëgjoj atë në mënyrë perfekte”, thotë ajo përmes Skype nga një dhomë në Teatro Massimo në Palermo, ku është pjesë e trupit të baletit.

Pranë saj është i dashuri i saj, Mirko Lo Coco, këngëtar dhe student në Akademinë e Artistëve në Romë, të cilin e ka njohur këtu tre vite më parë.

Ish “vajza dembele”

Carmen dëgjon në një mënyrë ndryshe nga e jona, të cilën përpiqet ta shpjegojë kështu: “Tingulli për mua është i mbytur, tamam sikur je nën ujë”

Por ajo është shumë e mirë në leximin e buzëve (intervistën e bëmë përmes një video për t’ia lehtësuar komunikimin).

“Fatmirësisht, askush nuk e përdor më fjalën shurdh-memec, sepse ne nuk jemi memec. Ne jemi në gjendje të flasim, falë ushtrimeve me logopedisten”. Ajo filloi t’i bënte ato kur ishte dy vjeç kur prindërit e saj vunë re se diçka nuk shkonte. Pediatri atëkohë këmbënguli se ajo ishte një fëmijë “dembel”. Pastaj një ditë një objekt shumë i rëndë ra dhe shpërtheu në gjithë shtëpinë. E gjithë familja reagoi, përveç Carmen, e cila vijoi të luante e qetë.

Intuita e logopedit

“Dashurinë time për kërcimin ia detyroj logopedistes time. Ishte ajo që i sugjeroi mamasë sime që të regjistrohesha në një shkollë kërcimi, sepse muzika mund të më ndihmonte: ishte Akademia e Vallëzimit Vezuvian, familja ime ishte zhvendosur në Kampania për të ndjekur babain tim që  punonte karabinier. Ndjeva dridhjet nëpër dysheme. Në atë kohë fillova të mbaj protezat e para, falë të cilave izolimi im mori fund. Sot pa proteza nuk dëgjoj asgjë, as zëra dhe as zhurma. Kur i vë, ndihem sipas mënyrës sime, jo si t’i dëgjoj njerëzit, sepse nuk mund të mbuloj të gjithë gamën. Por të njëjtën muzikë psh e dëgjoj në mënyrën time, vetëm një pjesë. Prandaj pastaj ushtrohem shumë në shtëpi, për të ecur me te njëjtin ritëm me të tjerët”.

Ëndërroj të kërcej me Bollën

Miti i tij është balerina argjentinase Marianela Núñez. Ndërsa gjithmonë ëndërron që një ditë të mund të performojë pranë Roberto Bolle: “Një herë e pashë nga afër në La Scala. Do të ishte mirë të bënim së bashku një hap bashkëkohor neoklasik kushtuar pikërisht shurdhimit”.

Carmen Diodato ka kërcyer që në moshën katër vjeçare. Në moshën 12-vjeçare ajo bëri audicionin për të hyrë në shkollën e vallëzimit San Carlo në Napoli, ku hyri dhe qëndroi vetëm një vit. Ajo thotë: “Vitin tjetër, regjisori mendoi se nuk kisha të njëjtin potencial si të tjerët, për shkak të dëgjimit tim. Ai u kishte propozuar prindërve të mi që të më lejonin të bëja një implant koklear, që ishte një operacion delikat. Prindërit e mi u konsultuan me një specialist në Piacenza, i cili na këshilloi të mos e bënim. Por unë nuk u dorëzova dhe u regjistrova në shkollën private Percorsi di danza në Somma Vesuviana, ku u diplomova me shkëlqyeshëm në vitin 2007”.

Më pas pati shumë kurse specializimi, madje edhe në Teatrin e Operas  në Romë. Dhe së fundi, pjesëmarrja në produksione të rëndësishme në Arena di Verona për opera si La Traviata dhe Aida, dhe për disa vite në Teatro Massimo në Palermo, ku ajo është pjesë e trupës së  baletit (njëmbëdhjetë vjet më parë kishte edhe një pasazh te Italia’s Got Talent).

Pasioni i një jete

Carmen është shumë e qetë dhe buzëqesh shumë: “Pasioni im ka qenë gjithmonë kërcimi dhe kërcimi ka mbetur. Në fund të fundit, ëndrra ime u bë realitet: doja të bashkohesha me trupën e baletit në një teatër dhe më në fund ia dola. Tani do të doja të krijoja një balet me temë, që ka kuptim për shurdhimin tim si një balerin profesionist. Unë mendoj se jam i vetmja profesioniste në botë në trupin e baletit të një teatri: në Itali sigurisht dhe në vende të tjera nuk kemi ende te ngjashme”.

Sa i takon pjesës tjetër pastaj, jeta e saj është si ajo e të tjerëve, vetëm me disa truke: Gjithmonë i dëgjoj prindërit dhe vëllain tim në një videotelefonatë. Dhe me Mirkon, kur grindemi, duhet të përballemi me njëri-tjetrin. Por tani edhe ai është mësuar me të. Dhe më duhet të them që ne e kuptojmë njëri-tjetrin menjëherë!”

Burimi: corriere.it / Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë