Menaxhim

Hiqet nafta falas për fermerët, ministri: Skemë e re! Mbështetje dhe për derrat

Nga Gazeta ‘SI’ – Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, në një dalje për mediat njoftoi se është miratuar skema e re e mbështetjes për fermerët, me një fond prej 5.2 mld lekësh.

Salla tha se skema e re është gjithëpërfshirëse, por nuk do të ketë më kompensim të naftës për fermerët.

“Skema e Naftës në tërësi mbështet uljen e kostos së fermerit. Edhe në vitet e tjera, mbështetja ka qenë në dhënien e karburantit drejtpërdrejt. Më pas ka kaluar në mbështetje me pagesë, për uljen e kostos sipas standardeve të BE-së. Ne do ta mbulojmë në 2026-ën, sepse është një nga skemat që është diskutuar më së shumti, por duhet të jemi korrektë me fermerët. Kemi menduar dhe me të gjitha masat që përmenda sot, çdo fermer përfiton, por është edhe masa 10% e faturimit të tyre. Pra, sot bëjmë një auto-faturim, që duhet ta depozitojë te Tatimet dhe të marrë shumën 10% të çdo fature, çdo prodhim do të jetë pjesë e mbështetjes që do të japë qeveria. Skema që paraqitëm sot është gjithëpërfshirëse”, tha ministri.

Më tej ai tregoi se do të rritet mbështetja për blegtorinë dhe bletarinë, duke theksuar se ka dhe një zë të ri përfitues, për fermerët e derrave.

Do të hapim investime për thirrje të reja, për fermerët e rinj të cilët do të mbështeten me 10 milionë lekë ose 10 mijë euro grant, kryesisht në blegtori. Për ndërtimin e staneve për blegtorët me grant diku te 3 milion lekë, për pajisje dhe makineri bujqësore me grant 500 mijë lekë, ku përfshihen tankerat për ruajtjen e qumështit dhe vajin e ullirit. Prioritet do ketë në blegtori, ku për gjedhë do të rritet mbështetja nga 10 mijë lekë në 12 mijë lekë, për të imtat nga 1200 lekë në 1500 lekë, ku dyfishohet për bletën nga 1 mijë lekë në 2 mijë lekë, që është një nga mbështetjet që i kemi dhënë bletarisë. Kemi rreth 600 mijë koshere dhe duam ta çojmë në vitin 2027 në 1 milion. Për herë të parë, japim 7 mijë lekë për dosën, në sektorin e derrit. Është një masë e re që e kanë adresuar fermerët”, shtoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë