Arsim

Magjistratura heq mesataren/ Qëndresa Qytetare: Ulet cilësia e gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj

Nga Gazeta Si - Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës ka vendosur të ndryshojë kriterin e mesatares për kandidatët, duke hequr kështu kërkesën për notën mesatare mbi 8 për lëndët kryesore.

Në njoftimin e Shkollës së Magjistraturës thuhet:

"Njoftohen të gjithë personat e interesuar për të marrë pjesë në provimin e pranimit në Shkollën e Magjistraturës, për vitin akademik 2024-2025 se:

Këshilli Drejtues i Shkollës, në mbledhjen e datës 29 janar 2024, vendosi të ndryshojë rregullimin e kriterit të mesatares së lëndëve, duke hequr kërkesën për notë mesatare mbi 8 (tetë) të lëndëve kryesore".

Për këtë vendim ka reaguar ditën e sotme edhe Qëndresa Qytetare duke thënë se heqja e mesatares 8 në Magjistraturë rrëzon cilësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj.

Prej të paktën dhjetë vitesh, çdo person që të mund të kandidonte për të ndjekur programin e Formimit Fillestar, krahas kriterit të notës mesatare, duhet të plotësonte dhe kriterin e notës mesatare mbi 8 (tetë) për një grup lëndësh si: e drejta civile dhe e detyrimeve; e drejta penale, pjesa e përgjithshme dhe pjesa e posaçme; procedura civile; procedura penale; e drejta administrative dhe e drejta kushtetuese.

“Ndryshimi i kritereve të pranimit duke hequr si kriter notën mesatare për këtë grup lëndësh është një thirrje që dekurajon studentët e ekselencës në drejtësi, por që mbi të gjitha rrezikon të zhbëjë sistemin e meritokracisë dhe vlerësimit nëpër fakultete”, shkruan në një reagim publik Qendresa Qytetare, duke shtuar se problemet që mund të kenë ekzistuar në lidhje me përllogaritjen e mesatares së grup lëndëve kryesore, qoftë edhe ato probleme që lidheshin me transparencës dhe integritetin e të gjithë procesit të regjistrimit të kandidatëve për ndjekjen e programit të Formimit Fillestar për magjistrat, nuk mund të zgjidhen duke e hequr këtë kriter, por duke gjetur mekanizmat përkatës për ta bërë sa më transparent dhe të besueshëm procesin e kandidimit në Shkollën e Magjistraturës.

“Zgjidhja aktuale, tashmë e miratuar nga ana e Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, që përbëhet, ndër të tjera, nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, Kryetari i KLGJ-së, Kryetari i KLP-së dhe funksionarë të tjerë të lartë, duke përfshirë këtu dhe Ministrin e Drejtësisë, jo vetëm që nuk është një zgjidhje, por në këndvështrimin tonë do të ulë ndjeshëm cilësinë e kandidatëve për në Shkollën e Magjistraturës”.

Sipas Qendresës Qytetare, vendime të tilla janë hapa që sjell regres përsa i takon besimit të publikut tek drejtësia.

“Në këtë moment kur sytë e qytetarëve janë drejtuar tek SPAK-u dhe Reforma, elitat e këtij sistemi morën një vendim që ngre dyshime, pikëpyetje dhe mosbesim tek rekrutimi i gjyqtareve dhe prokuroreve te rinj”, shkruan Qëndresa Qytetare.

Qëndresa Qytetare ngre edhe shqetësimin se Shkolla e Magjistraturës ende nuk është 'pastruar' nga të shkarkuarit dhe dorëhequrit e vetingut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë