Fluturimet direkte nga Shqipëria në drejtim të Greqisë dhe anasjelltas janë të kufizuara prej muajsh vetëm me aeroportin e Athinës. Por, duke filluar nga data 5 prill, Greqia do të hapë të gjitha aeroportet e vendit për fluturimet e Rinasit.
Njoftimi është dhënë Autoriteti i Aviacionit Civil grek, që ka përditësuar masat kufizuese duke hequr kufizimet për fluturimet me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Turqinë.
Përmes një komunikate publike, ky autoritet thotë se duke filluar prej së hënës së 5 prillit të gjitha fluturimet nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, që deri më tani kishin si portë të hapur vetëm aeroportin “Eleftheros Venizelos” të Athinës, mund të përdorin çdo aeroport tjetër të vendit. E njëjta masë është marrë edhe me Turqinë, ku fluturimet janë plotësisht të bllokuara.
“Udhëzimet për pezullimin e fluturimeve me Turqinë dhe për uljet e fluturimeve nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut vetëm në aeroportin e Athinës nuk do të zgjaten”, thuhet në deklaratën e Autoritetit grek të Aviacionit Civil.
Mes masave lehtësuese është edhe rritja e numrit të pasagjerëve nga Federata Ruse nga 500 që është aktualisht për javë në 4 mijë.
Masat e tjera, që kanë të bëjnë me detyrimin për të qëndruar në karantinë për 7 ditë mbeten në fuqi edhe për qytetarët e vendeve anëtare të BE-së dhe për vende të treta, përfshirë këtu Shqipërinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



