Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, njoftoi se pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak janë hapur për qytetarët e Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla tha se barrikadat e vendosura nga serbët në veri të Kosovës në nëntë lokacione, tashmë janë larguar plotësisht.
“Grupe të maskuara e me armë të gjata të cilët udhëhiqen nga Beogradi dhe të ardhur nga Serbia, kanë filluar sulmet ndaj qytetarëve të vendit duke i rrahur brutalisht dhe të njëjtit kanë gjuajtur sot edhe ndaj zyrtarëve policorë me qëllim të vrasjes së tyre.
Këto sulme ishin të përgatitura që një kohë të gjatë e këto përgatitje kulmuan nga takimet në Beograd e në Rashkë. Sulmet e tilla nuk i kontribuojnë stabilitetit të vendeve tona dhe rajonit sepse mbi të gjitha Qeveria jonë ka marrë dy vendime duke respektuar ligjet vendore dhe ndërkombëtare. Siç jemi zotuar edhe mbrëmë, si Qeveri e Republikës së Kosovës, me largimin e barrikadave dhe sigurimin e lirisë së lëvizjes për qytetarët tanë, ne e zhvendosëm zbatimin e vendimeve për datën 1 shtator 2022, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit në vend dhe rajon.
Krijimi i panikut, shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, lëvizja e personave të armatosur e të maskuar brenda vendit, rrahja brutale e qytetarëve tanë si dhe tentim vrasja e zyrtarëve tanë policorë janë veprime të papranueshme dhe në këtë drejtim, janë duke punuar intensivisht hetimet dhe drejtësia padyshim do të ndodhë. Përdorimi i grupeve të tilla kriminale për destabilizim të vendit nga pala serbe nuk e rrezikon vetëm vendin tonë, dhe kjo bëhet edhe më serioze kur Serbia e cila përmes grupeve të tilla synon të arrijë qëllimet e veta merr mbështetje të plotë dhe tashmë publike nga Moska.
Përveç sulmeve ndaj qytetarëve, dëmeve materiale e tentim vrasjeve ndaj zyrtarëve policorë, ne jemi ballafaquar mbrëmë edhe me sulme kibernetike të cilat kanë tentuar të pengojnë funksionimin shtetëror. Në këtë drejtim, ne kemi marrë të gjitha masat e nevojshme dhe sistemi është mbrojtur suksesshëm”, shkruan ai.
“Në kronologjinë e trazirave me të cilat u ballafaquam dje, nuk mund të mos ngre shqetësimin e madh për plasimin e informacioneve të pakonfirmuara dhe të pavërteta. Lajmet të cilat janë publikuar mbrëmë kanë cënuar rëndë zhvillimin e operacioneve policore, jetën dhe sigurinë e zyrtarëve policorë dhe në veçanti, informacioni mbi plagosjen e zyrtarit policor ka shkaktuar huti dhe shqetësim të arsyeshëm tek të gjithë familjarët e zyrtarëve policorë të cilët ishin në krye të detyrës në atë kohë. Në të gjitha thirrjet tona si Qeveri dhe Ministri e Punëve të Brendshme kemi ofruar bashkëpunim dhe informata në kohë reale”, u shpreh Sveçla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.