Trend

‘Hierarkia’ e festimeve të shqiptarëve për Vitin e Ri

Nga Gazeta ‘Si’- Edhe pse gjendemi ende nën kushtet e një krize të zgjatur çmimesh, sjellja konsumatore këtë vit nuk është dhe aq e orientuar drejt festimit në shtëpi.

Burime nga agjencitë turistike në qytet pohojnë për Gazetasi.al se krahasuar me vitin e shkuar, këtë dhjetor, numri i qytetarëve që kanë zgjedhur të festojnë jashtë Shqipërisë është rritur me rreth 20%.

Listës së destinacioneve të përhershme, nënkuptuar këtu vendet e rajonit, i janë shtuar këtë vit edhe shtete ekzotike. Duke qenë se festa e ndërrimit të viteve siguron ‘një fundjavë të zgjatur’, shumë prej qytetarëve kanë zgjedhur të udhëtojnë që të premten pasdite (29 dhjetor.)

“Gjeografia nuk ka ndryshuar shumë nga viti i shkuar përpos ndonjë destinacioni që është bërë më trend, si Dubai. Zgjedhja e parë mbetet rajoni dhe kryesisht vende që ofrojnë aktivitetin e skive si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut apo Kosova. Ndërsa brenda Shqipërisë më e preferuar mbetet Korça”, deklaron Besnik Vathi, kreu i Shoqatës së Tur-operatorëve Shqiptarë.

'Rajoni mbetet destinacioni i preferuar', citon Besnik Vathi

Afërsia gjeografike, paketat interesante por dhe infrastruktura e mirë janë elementët kyçe përse qytetarët kanë zgjedhur rajonin.

Që në mes të muajit dhjetor ishte gati e pamundur të rezervoje një dhomë në fshatrat turistikë si Mavrova, Brezovica, Prevalla apo Boga. Agjencitë tregojnë se fill pas festave të Nëntorit, nisën menjëherë rezervimet për fundvit.

Nga të dhënat në Booking, rezulton që dhoma të lira mund të gjesh pas datës 4 janar.

Budva, qyteti më i kërkuar për të festuar në datën 31

Operatorët turistikë tregojnë se ndryshe nga vitet e shkuara kur udhëtimet me autobusë në rajon e kryesisht drejt Budvës, ishin të preferuara si pjesë e turizmit të organizuar, këtë vit shqiptarët zgjedhin të udhëtojnë me makinat e tyre.

Ata tregojnë që nga vendet e rajonit Budva është qyteti më i preferuar për mbrëmjen e ndërrimit të viteve duke qenë se ofron dhe më shumë gjallëri.

Në rajon, Budva mbetet destinacioni i preferuar

Ndonëse çmimet kanë pësuar rritje në të gjithë rajonin e Malit të Zi, tendenca për të rezervuar në hotelet që organizojnë mbrëmje festive ka qenë e lartë.

Në Kolashin, nga data 30 dhjetor deri në 2 janar, çmimi i një pakete për person nga agjencia Kalemi Travel është rreth 445 euro.

Paketa përfshin akomodimin në dhomë standard, mëngjesin dhe darkën si dhe akses në pishinë, jacuzzi apo sauna. Për fëmijët deri në 3 vjeç është falas ndërsa për fëmijët deri në 11 vjeç nata do të kushtojë 20 euro.

Në Europë, vëmendje të veçantë Praga, Vjena dhe Roma

Tendencat brenda Europës nuk kanë ndryshuar shumë. Duke qenë se njihen për atmosferën festive në sheshe, rrugë dhe spektaklet e fishkezjarreve, agjencitë turistike pohojnë se këto destinacione janë gjithnjë ‘in’ për festat e fundvitit.

Dyndja drejt tyre fillon disa ditë përpara Krishtlindjeve dhe zgjat deri nga data 3 janar. Edhe në këto destinacione, çmimet janë rritur krahasuar me vitin e shkuar por agjencitë turistike tregojnë se ndryshe nga rajoni, qytetarët që ikin drejt Europës, kanë tendencën për të rezervuar vetë.

Pragë

Tur-operatorët thonë për Gazetasi.al se ata nuk kërkojnë një agjenci turistike si ndërmjetëse kur vjen fjala për këto destinacione. Duke qenë se edhe çmimet e biletave drejt tyre rriten nga dita në ditë, qytetarët rezervojnë që në fillim të dhjetorit.

Megjithatë, për ata që kanë zgjedhur agjencinë, paketat për këto destinacione shkonin 300 euro personi për dy ditë.

Dubai, në krye të prenotimeve jo vetëm gjatë verës

Që Dubai ka qenë një ndër destinacionet e preferuar të shqiptarëve në verë, nuk është më lajm. Vendosja e një linje direkte fluturimi nga Tirana po e bën atë një destinacion të përzgjedhur edhe në dhjetor.

Pema e Krishtlindjeve, në Dubai

Paketat për këtë destinacion variojnë rreth 550 euro për person për 4 ditë por kërkesat më të mëdha drejt Dubait janë nga data 2 deri në datën 7 janar. Sipas agjencive, shqiptarët kanë preferuar që natën e ndërrimit të viteve ta kalojnë në Shqipëri dhe më pas të udhëtojnë drejt vendit ekzotik për të bërë kështu ‘një gërshetim’ elementësh.

Ndryshe nga viti i shkuar, preferohen edhe restorantet

Qëkur inflacioni u kthye në ‘Grinch-in’ e festave duke shkaktuar një tendencë të lartë tkurrje në konsumin jashtë shtëpisë, rezervimet në restorante për natën e ndërrimit të viteve u ulën.

Por ndryshe nga viti i shkuar kur tendenca ishte e orientuar drejt festimit në ambiente familjare ose porositjes së ushqimit delivery, këtë vit të preferuar kanë qenë edhe restorantet.

Përgjithësisht të gjithë restorantet e mëdha në kryeqytet kanë përgatitur menu festive për datën 31. Në shumicën prej tyre do të ketë edhe një band ose këngëtarë live që do të shoqërojnë me muzikë të gjithë mbrëmjen.

Ballkoni i Dajtit, një restorant me pamje panoramike nga qyteti i Tiranës i cili tipikisht mbetet shumë i preferuar për datën 31, ka ofruar një paketë prej 9400 lekë për person.

“Përpos disa ushqimeve të ndryshme në çmim përfshihet bileta e teleferikut, muzikë live me Valbona Memën dhe Genti Deda dhe atmosfera unike e fishekzjarreve”, shkruhet në njoftimin festiv të restoranit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë