Në kohën kur kryeministri Edi Rama bënte fushatën përmbyllëse në qytetin e Fierit, mbështetësit e opozitës kishin vërshuar për protestuar, duke plotësuar kështu edhe vendimin e marrë nga struktura e re Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë. Në disa qytete të drejtuara nga opozita ka pasur protesta në Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor, duke kontestuar mbajtjen e procesit zgjedhor më 30 qershor. Plani i opozitës për mos pasur zgjedhje dhe i vendosmëria e bashkive të djathta për liruar ambientet e KZAZ-ve ka nisur të vihet në zbatim në darkë. Në Berat, Shkodër dhe Vaun e Dejës militantët e opozitës u mblodhën përpara KZAZ-ve, ndërsa forca të shumta policore ishin mbledhur për të ruajtur KZAZ-në.
Incidenti më i fortë ka ndodhur në KZAZ-në e Vaut të Dejës, ku militantët i kanë vënë zjarrin shkollës profesionale “Ndre Medja”. Mësohet se protestuesit kanë hedhur bomba artizanale molotov. Informacionet e para bëjnë të ditur se ka pasur tre policë të plagosur. Një prej efektivëve të policisë është dërguar për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Menjëherë kanë shkuar forcat zjarrfikëse për të shuar zjarrin e hedhur në KZAZ-në numër 6.
Në Shkodër demokratët janë mbledhur përpara Pallatit të Sportit “Qazim Dervishi”. Protestat kanë nisur edhe në Berat, një bashki që drejtohet nga LSI-ja.
Incidenti i rëndë në Vaun e Dejës ka sjellë edhe reagimin e menjëhershëm të ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.
“Përsëri sulmohet me molotov një shkollë në Shkodër, si shenjë skizofrenie politike e PD për të penguar zgjedhjet. Kryetarët pa mandat nuk mund të mbajnë peng bashkitë me molotov. Ligji do të veprojë”, shkruan Lleshaj në rrjetet sociale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




