Njerez

Hezitoi të vaksinohej dhe vdiq nga Covid-19, familjarët e vajzës në SHBA: E vranë lajmet e rreme!

Pas një bashkëjetese për më shumë se 10 vjet, Samantha Wendell dhe i fejuari i saj, Austin Eskew, ishin gati të kishin një fëmijë.

Pas fejesës në vitin 2019, çifti caktoi një datë martese për 21 gusht 2021, në një kishë në Lisle, Ill., ku prindërit e Wendell-it ishin martuar vite më parë.

Ata planifikuan të krijonin një familje menjëherë pas martesës. Wendell kishte shumë dëshirë për të pasur fëmijë, kështu që kur dëgjoi disa pretendime të rreme, se vaksinat e koronavirusit mund të ndikonin në shtatzëninë e saj, ajo vendosi të ndalonte imunizimin, thanë anëtarët e familjes së saj, për rrjetin “NBC News”.

Por gjatë verës, Wendell, një kirurge në Grand Rivers, ndryshoi mendje dhe caktoi një takim për t’u vaksinuar për në fund të korrikut. Por ishte tepër vonë, sepse disa ditë para takimit, ajo dhe Eskew rezultuan pozitivë me Covid 19.

Pas një shtrimi të gjatë në spital, gjatë të cilit ajo u vendos në një tub oksigjeni, Wendell vdiq më 10 shtator. Ajo ishte 29 vjeçe.

“Lajmet e rreme e vranë atë”, shkruan në një postim në Facebook një ditë më pas kushërira e Wendell-it, Maria Vibandor Hayes.

Familjarët e Wendell-it, kanë nisur të tregojnë historinë e saj dhe po inkurajojnë të tjerët të vaksinohen kundër koronavirusit.

Wendell dhe Eskew, u takuan në vitin 2010 në kolegjin e tyre në Universitetin “Olivet Nazarene”, një shkollë private e krishterë në Illinois.

Ata filluan të takoheshin atë shtator, sipas uebfaqes së tyre të dasmës. Pasi u fejuan, të dy filluan të planifikonin dasmën e tyre dhe një muaj mjalti në Meksikë.

Në korrik, ajo dhe miqtë e saj udhëtuan për në Nashville për një festë beqarie. Wendell dhe Eskew duhej të vaksinoheshin më vonë pikërisht atë muaj, por ditë më parë, ajo filloi të ndihej e sëmurë.

“Wendell nuk mund të ndalonte kollën”, tha Eskew për “NBC News”. Rreth një javë pasi filluan simptomat e saj, ajo shkoi në spital për trajtim mjekësor.

Ndërsa afrohej data e dasmës, u bë e qartë se Wendell nuk do të ishte në gjendje të festonte ditën më të lumtur të jetës së saj. Pesë ditë para ceremonisë së planifikuar, mjekët e vendosën atë në intubim.

Të afërmit u thanë ndjekësve të tyre në mediat sociale për lajmin e trishtë të shtrimit të saj në një spital Covid: “Ju lutemi, merrni parasysh vaksinimin, sepse nuk do të doja që asnjë familje apo miq të durojnë atë që po ndodh me mbesën time tani dhe me familjen dhe miqtë e saj”, është postimi në Facebook i tezes së vajzës, Denise Picicci.

“Asnjë nuk mund ta vizitojë atë, asnjë nuk mund t’i shtrëngojë dorën dhe të flasë me të dhe t’i japë kurajë për ta luftuar sëmundjen”.

Wendell nuk pati më mundësi të marrë frymë vetë, raportoi “NBC News” dhe më 10 shtator, familja e saj bëri zgjedhjen më të vështirë, duke pranuar që asaj t’i hiqeshin tubat e aparaturave, pasi shpresat për të mbijetuar ishin zero.

Të shtunën, funerali i saj u mbajt në Kishën Lutherane Trinity, ku ajo dhe Eskew planifikuan të martoheshin.

Eskewi tha “NBC News”, se e fejuara e tij kishte “thjesht një lloj paniku” në lidhje me pretendimet e paprovuara se vaksinat e koronavirusit mund të ndikojnë në aftësinë e saj për të pasur fëmijë.

Pretendimet e rreme që lidhin vaksinat e koronavirusit me infertilitetin, nxisin dyshime tek gratë shtatzëna.

Informacioni që lidh vaksinat me infertilitetin, është përhapur në mediat sociale dhe që nga 11 shtatori, vetëm 25 përqind e grave amerikane shtatzënë, kanë marrë të paktën një dozë, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Por zyrtarët e CDC-së, thonë se nuk ka asnjë dëshmi që tregon se vaksinat e koronavirusit shkaktojnë probleme të infertilitetit – agjencia rekomandon që ato që janë shtatzënë ose përpiqen të mbeten shtatzënë, të vaksinohen.

Të afërmit e Wendell-it, thonë se ata shpresojnë që vdekja e saj do të inkurajojë të tjerët që hezitojnë për t’u vaksinuar.

Disa njerëz, tashmë e kanë bërë këtë, shkroi nëna e Wendell, Jeaneen Wendell, në një koment në Facebook. “Unë nuk mund t’ju them se sa njerëz më kanë njoftuar se janë vaksinuar, sepse dëgjuan për Samantha-n. Për të jeta ishte e rëndësishme, – shkroi ajo javën e kaluar. – Edhe nëse ka vetëm disa persona që u vaksinuan, kjo do të thotë diçka”.

Burimi: “The Washington Post”; Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë