Prokuroria ka nisur hetimet për rënien e zjarrit të fuqishëm në një magazinë pranë një qendre tregtare në Kashar para pak ditësh, ku humbi jetën punonjësi i sigurisë, Arjan Sala.
Ky i fundit, në përpjekje për të shpëtuar punonjësit e magazinës, ka mbetur i bllokuar dhe i asfiksuar nga tymi, duke mos mund të dalë.
Sipas prokurorisë, magazinieri dhe administratori janë dy personat e parë që kanë vërejtur zjarrin në objekt, pasi po prisnin një kamion me mallra që do të vinte të shkarkohej.
Të dy, ata konstatuan tymin që dilte nga grilat nëntokësore dhe nxituan të fiknin zjarrin me bombol, por të rrezikuar nga asfiksia, dolën me vrap jashtë.
Në atë moment, ata vunë re një person të sigurisë së brendshme, i cili rezulton të jetë i ndjeri Arjan Sala.
Ky i fundit, ka hyrë me vrap në magazinë me një bombol të madhe në krah dhe që prej atij momenti nuk është parë më të dalë.
Magazinieri Ndriçim Kasa, ka sqaruar para grupit hetimor, se shkak i zjarrit mund të ketë qenë një dritë neoni, ndërsa së bashku me magazinierin tjetër, Elton Haxhillari, përjashton mundësinë që shkak të ketë qenë shkëndija e energjisë elektrike.
“Kolegu që ka kamerat në telefon, na njoftoi se në magazinë ka rënë zjarr, pasi kishte parë kamerat nga telefon. Në këtë moment, zbritëm, pamë se po dilte tym dhe flakë në qendër të magazinës. Në këto kushte, morëm dy bombola fikse zjarri që ishin në magazinë dhe u munduam ta shuanim, por gjatë shuarjes, flaka u bë më e madhe dhe u thye një neon, – tregon ai për TCH. – Pastaj u mbush gjithë ambienti në tym e flakë dhe ne dolëm jashtë. Duke dalë nga magazina pamë një person që hyri me një bombol të madhe zjarri për shuarje”.
Ai vijon se personin nuk e njihnin, por pohon se ishte punonjës i brendshëm i sigurisë me kostum blu dhe këmishë.
“Unë dyshoj se zjarri mund të jetë shkaktuar nga energjia elektrike, ai mund të ketë ardhur nga një dritë neoni. Ne nuk e kishim stakuar energjinë elektrike, pasi do të ktheheshim përsëri në magazinë për të shkarkuar mallin që do të vinte. Në ambientet e punës, absolutisht nuk lejohet cigarja dhe asnjë punëtor nuk pi cigare brenda magazinës”, tha Kasa, sipas dosjes hetimore.
Ndërsa administratori Altin Hysa, i cili kishte me qira magazinën që u përfshi nga zjarri, ka deklaruar se nuk ka qenë prezent në momentin e ngjarjes dhe është njoftuar nga punonjësit e tij.
Sa i përket masave të sigurisë në raste zjarri, ai ia lë përgjegjësinë qiradhënësit, duke thënë se në magazinë kanë qenë të montuara një numër i konsiderueshëm bombolash anti-zjarr.
Ai shton se vetë ka vendosur një bombol të madhe të lëvizshme, të cilën e ka marrë me qira dhe e ka vendosur në ambientet e magazinës.
Ndërkohë pronari i qendrës, Pëllumb Alimadhi, i cili është edhe qiradhënësi i magazinës, nuk ka dhënë detaje për ngjarjen, pasi ishte i rënduar psikologjikisht dhe ka kërkuar një kohë tjetër që të pyetet.
Grupi i hetimit thotë se pritet të përcaktohet nëse mungonin pajisjet anti-zjarr për menaxhimin e flakëve që u vunë nën kontroll pas 3 ditësh dhe u nxor trupi i pajetë i Arjan Salës.
Prokuroria do të hetojë edhe punën e forcave zjarrfikëse, për të parë dhe verifikuar nëse ata kanë pasur ose jo mjetet e nevojshme për të bërë të mundur shuarjen e flakëve.
I riu 33-vjeçar, Arjan Sala, u shpall “Dëshmor i Atdheut”, pasi bëri të mundur shpëtimin e rreth 25 punëtorëve në magazinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.