Nevaldo Hajdaraj, 31 vjeç nuk e ka ankimuar ende vendimin që e la atë në burg. Pavarësisht se ende ai vazhdon të jetë në paraburgim si i akuzuar për vrasje në kapërcim të mbrojtjes së nevojshme, në Gjykatën e Apelit as i dyshuari dhe as avokati i tij nuk kanë dorëzuar kundërshtim për masën e sigurisë. I vendosur nën arrest me burg pa afat, polici i forcës së posaçme Shqiponja, në dosje vazhdon të jetë nën akuzë për vrasje në kapërcim të mbrojtjes së nevojshme.
Por ndërkohë prokurori i dosjes Ardian Braho, po bën gati akuzën e re të vrasjes me dashje, që do sjellë rrëzimin e veprës së parë dhe që njëkohësisht do shkaktojë një rivlerësim të dytë mase sigurie. Burime të gazetës Si pranë hetimit këmbëngulin se polici, baba i dy fëmijëve është pyetur nga agjentë të strukturës SH.Ç.B.A edhe nëse i kanë bërë apo jo instruktazhe eprorët për përdorimin e armës.
Polici këmbëngul se është paraqitur për të marrë detyrën dhe se instruktazhi i është bërë nga instruktori A. J dhe se pas kësaj procedure ai është caktuar me shërbim në sektorin ku ndodhi ngjarja. ‘A bëhen instruktazhe apo mësimtregues nga eprorët tuaj në lidhje me përballjen me situata të ndryshme dhe me përdorimin e armës së zjarrit rast pas rasti e pyet oficerin e arrestuar agjenti i SH.C.B.A?
Polici Hajdaraj përgjigjet: Po kam njohuritë përkatëse në lidhje me legjislacionin për përdorimin e armës së zjarrit dhe na bëhen për çdo turn para marrjes së shërbimit instruktazhet e duhura dhe periodikisht mësimtregues nga eprorët – shpjegon efektivi i arrestuar.
Ai shton më tej se edhe në rastin konkret, ai konstatoi se pasi personi i panjohur e ka paralajmëruar ‘mos u afro se do të qëlloj’, ai është kthyer në mënyrë kërcënuese dhe ka nxjerrë një send të dyshuar armë zjarri nga brezi. “Këtë situatë e vlerësova si në kushtet e mbrojtjes së nevojshme, duke vlerësuar vënien në rrezik të jetës”, këmbëngul polici i arrestuar.
Pyetje-Na sqaroni dhe njëherë, shtetasi në fjalë pasi ju bëtë qitjen e parë ishte me fytyrë nga ju apo me kurriz nga drejtimi juaj?
Nevaldo Hajdaraj– Shtetasi u kthye në krah anash, me drejtim për nga kthesa, për të vrapuar.
Pyetje– Më lart ju deklaroni që ishit në distancë 20 deri në 25 metra me shtetasin, a kishit ju një fushëpamje të qartë, a kishte zona ndriçim të mjaaftueshëm për një shikueshmëri të mirë?
Nevaldo Hajdaraj: Shikueshmëria ishte shumë e dobët për syrin. Në kushtet e mungesës së dritave ndricuese, duke future faktorin emocional, por një gjë e kam patur të qartë. Që unë vërejta një send në dorën e shtetasit që kishte pamjen e një arme zjarri. Gjithashtu këtë bindje e forcova edhe nga thirrja e personit që tha “mos u afro se do të qëlloj”. Theksoj se të gjitha këto veprime ndodhën në një kohë shumë të shkurtër dhe në kushtet e ndriçimit të kufizuar, duke përllogaritur këtu edhe stresin.
Nevaldo Hajdaraj, ndaj të cilit do të ngrihet akuza e vrasjes me dashje rrezikon nga dhjetë deri në 20 vite burgim, në rast se prokuroria do t’i bazojë dyshimet e saj në prova bindëse, mes të cilave edhe motivi se përse 31-vjeçari e vrau Klodian Rashën. Megjithatë, interpretimi juridik do të jetë një çështje avokatësh dhe prokurorie nga ana tjetër për sa kohë akuza do të këmbëngulë që polici i Shqiponjave nuk kishte asnjë arsye pse të qëllonte dy herë me armë zjarri, së paku bazuar në ligjin për përdorimin e armëve pa e paralajmëruar qytetarin duke qëlluar në ajër.
Po ashtu sipas akuzës polici duhet ta njoftonte shtetasin që po ndiqte duke e njoftuar “ndal policia ose do qëlloj” dhe për më tepër i riu nuk mund të qëllohej në organe jetësore. Ndonëse në dëshminë paraprake polici pretendon se e qëlloi nga këmbët nga pozicioni shtrirë, me shumë mundësi drejtim do t’i japë disa pikëpyetjeve kryerja e një eksperimenti që do të mund të jenë bindëse nëse polici ka qenë apo jo i rrëzuar kur ka qëlluar apo ka qëlluar me armë në rrëzim e sipër.
Për prokurorinë skema është e qartë, polici kishte mundësi të plota për ta evituar vrasjen e 25-vjeçarit, që u qëllua me dy plumba dhe ku njëri prej tyre e kapi në organet jetësore duke i ndërprerë jetën.
Paralelisht me këto veprime që sidoqoftë nuk e lehtësojnë pozicionin e policit, i cili do të rëndohet me akuzën, analiza më e zgjeruar ka nisur brenda policisë. Pyetja që ekspertët po analizojnë, ndonëse vrasja e Klodian Rashës është një rast i veçuar është, a janë mjaftueshëm policët të përgatitur të reagojnë në aksion e sipër teksa vihen në ndjekje të një shtetasi të dyshuar? Frika dhe emocionet që zotëruan Nevaldo Hajdarajn, një polic që jeton në zonën më të varfër të Tiranës dhe pikërisht në zonën e Yzberishtit tregojnë që jo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.