Drejtësia

Kalon për gjykim dosja e inceneratorit të Fierit, zbuten akuzat për Alqi Bllakon dhe Arben Dervishajn

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme ka vendosur të kalojë për gjykim çështjen e inceneratorit të Fierit, ku mes të pandehurve janë edhe ish-ministri Lefter Koka dhe ish-deputeti Alqi Bllako. Ndërkohë, dosja e inceneratorit të Elbasanit do të gjykohet veçmas me një trupë tjetër gjykuese.

Gjyqtarja e çështjes mori vendimin, pasi dëgjoi pretendimet e avokatëve mbrojtës të 19 të dyshuarve dhe pretendimet e fundit të SPAK, duke vendosur të rikualifikojë veprat penale për 5 të pandehur, mes të cilëve Alqi Bllakon, Klodian Zoton, Arben Dervishajn, Arjola Kodrën dhe Giuseppe Ciafaglione.

Për Bllakon, GJKKO vendosi ta akuzojë për korrupsion të funksionarëve /jo zyrtari të lartë dhe për shpërdorim detyre.

Sipas gjykatësit të çështjes, Alqi Bllako nuk është konsideruar zyrtar i lartë, por funksionar publik dhe ai do të akuzohet për korrupsion në bashkëveprim me sektorin privat.

Ka qenë vetë Bllako, i cili kërkoi që të rrëzohet akuza, pasi sipas tij, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit nuk mund të cilësohet zyrtar i lartë.

Për Arben Dervishajn, zv.presidenti i FSHF-së, i cili akuzohej për korrupsion të zyrtarëve të lartë dhe shpërdorim detyre, akuza e fundit bie dhe rikualifikohet e para, duke u akuzuar për falsifikim dhe korrupsion pasiv në sektorin privat.

Për Klodian Zoton, rrjedhimisht bie akuza e korrupsionit të zyrtarëve të lartë, duke u akuzuar për korrupsion të funksionarëve publik.

E njëjta vepër rëndon e rikualifikuar për Arjola Kodrën dhe Giuseppe Ciaffaglione. Nëse do të gjykohet kjo dosje me procedurë të zakonshme apo me gjykim të shkurtuar, do të vendoset gjatë procesit në themel.

Përveç Etleva Kondit, të gjithë të akuzuarit kanë kërkuar të marrin gjykim të shkurtuar në mënyrë që t’u ulet masa e dënimit me të paktën 1/3.

Të pandehur për këtë incenerator janë ish-ministri Lefter Koka, Alqi Bllako dhe 17 persona të tjerë. Akuzat e ngritura ndaj tyre janë korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash.

19 të pandehurit janë: Lefter Koka, Alqi Bllako, Pëllumb Abeshi, Azem Shatëri, Erjon Murataj, Florjan Muçaj, Klodian Zoto, Arenc Myrtezani, Sabina Cenameri, Etleva Kondi, Arben Dervishi, Regan Merdani, Gentian Zifla, Arber Denizi, Juri Ymeraj, Silvester Dreza, Arjola Kodra, Luran Dusha dhe Giuseppe Ciaffaglione.

Koncesioni për inceneratorin e Fierit, fillimisht ishte miratuar me vlerën e 25 milionë eurove, por më pas dyshohet se ka pasur abuzime, duke qenë se ka pasur një vlerë të rritur të tenderit me thuajse 5 milionë euro. Sipas Prokurorisë së Posaçme, vlera totale për të cilën është abuzuar, është mbi 14 miliardë lekë.

Seanca për inceneratorin e Fierin është shtyrë të paktën 4 herë, pasi avokatët e të akuzuarve kanë kërkuar që të pushohet çështja, por kjo kërkesë është rrëzuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë