Rend dhe Ligj

I manipuloi apo jo të dhënat e vrasjes së Egli Progës / Përplasje e re mes policisë dhe Prokurorisë së Korçës për inspektorin e hetimit

Gazeta Si – Përplasja mes Prokurorisë së Korçës dhe Policisë së Shtetit e nisur një ditë më parë për vrasjen e Egli Progës në Pogradec, ka vijuar edhe këtë të enjte.

Policia i ka dalë në mbrojtje inspektorit Artur Lilo, pasi nuk ka asnjë lidhje me hetimin policor të ngjarjes dhe as me operacionin e policisë për kapjen e autorit. 

Inspektori Artur Lilo, u vu në hetim nga Prokuroria e Korçës për shpërdorim detyre, me dyshimin se tentoi të manipulojë ngjarjen pas vrasjes së Egli Progës në një lokal në Pogradec pasditen e 10 gushtit nga Denis Meçe.

Sipas Prokurorisë, inspektori i policisë rezulton se nuk mori asnjë masë për të dokumentuar apo bërë prezent shkakun e vdekjes së Egli Progës në Pogradec.

“Lidhur me ngjarjen janë pyetur shtetasit V.Sh., A.B., A.Sh., R.B., L.G., A.M., dhe D.M. Nga deklarimi i shtetasit A.B., rezultoi se në momentin që ka qenë në spital ku ka shoqëruar viktimën, ka dëgjuar duke folur në telefon Inspektorin, A.L., i cili ka komunikuar faktin se një person është i pirë dhe është rrëzuar. A.B. i ka thënë se kushëriri i tiij (viktima) ishte goditur, por inspektori i ka thënë ‘ore ik andej’”, – tha Prokuroria e Korçës.

Reagimi i Policisë

Por në reagimin e saj zyrtar, Policia e Shtetit thotë se Lilo ka kryer të gjitha veprimet në përputhje me atë që i përcakton ligji si dhe ka përmbushur të gjitha detyrat funksionale.

“Punonjësi i Policisë inspektor A.L me të mbërritur në vendngjarje ka komunikuar me të pranishmit, ka bërë sigurimin e vendngjarjes, ka informuar sallën operative mbi ngjarjen, gjeneralitetet e të dëmtuarit, si dhe kërkesën për ndihmë mjekësore. Pas mbërritjes së ambulancës, ka bërë shoqërimin me automjetin e policisë për në spital, ku ka qëndruar në pritje për të marrë informacion mbi ecurinë e gjendjes shëndetësore të të dëmtuarit. Me marrjen e njoftimit nga mjekët, ka bërë njoftimin për grupin hetimor, që i dëmtuari ka ndërruar jetë. Sqarojmë opinionin publik se, punonjësi i Patrullës së Përgjithshme ka përmbushur të gjitha detyrat funksionale. Sqarojmë opinionin publik se, nuk ka asnjë lidhje mes punonjësit të Patrullës së Përgjithshme që është vënë nën akuzë dhe hetimit të ngjarjes, për të cilën Policia e Shtetit ka kapur, arrestuar dhe dërguar para drejtësisë autorin e dyshuar të ngjarjes” – deklaron policia.

Teksa shpreh keqardhjen për reagimin e Prokurorisë së Korçës, policia përgjigjet edhe për akuzat për akt-ekspertimit ligjor për ngjarjen.

Sipas policisë së Shtetit ‘akt-ekspertizën e kryen Instituti i Policisë Shkencore, përkundrejt vendimeve për kryerjen e ekzaminimit, dhe asnjëherë kjo nuk bëhet aty për aty për vetë mënyrën se si funksionon procesi dhe përpilimi i Aktit të Ekspertimit.’

Policia e Shtetit nënvizon më tej se “nuk komenton arsyet apo shkaqet e këtyre gjykimeve të Prokurorisë, ashtu siç nuk komentuam edhe ngritjen e akuzës për “vrasje nga pakujdesia”, pa pritur aktin e ekspertizës mjeko-ligjore dhe duke hedhur poshtë akuzën e ngritur nga Policia e Shtetit për “vrasje me dashje”.’

“Gjithashtu, në lidhje me hetimin e kësaj ngjarjeje, Policia ka dërguar në Prokurori të gjitha materialet e nevojshme hetimore që kryhen në vendngjarje dhe gjatë hetimit paraprak, materiale procedurale të cilat janë dorëzuar në Prokurori me numër protokolli, çka hedh poshtë akuzën e Prokurorisë për mangësi në aktet e referuara nga Policia” – thotë policia.

Përplasja mes institucioneve

E gjitha kjo ka shkaktuar një përplasje mes institucioneve ligjore dhe gjyqësore në vend, mes Prokurorisë së Korçës, Gjykatës së Korçës dhe Policisë së Shtetit. Pasi blutë e Pogradecit kanë dalë me deklaratë zyrtare për ngjarjen pas rreth 16 orësh dhe kanë njoftuar se ishte vrasje dhe materialet janë referuar në Prokurori nën akuzën vrasje me dashje.

Këtu nis edhe “ping-pongu” i institucioneve. Prokuroria thotë se ka zbutur akuzën në vrasje nga pakujdesia në bazë të provave që ka referuar policia, ndërkohë Gjykata po ashtu zhvishet nga ‘përgjegjësia’ duke thënë se ka lënë në fuqi masën e kërkuar nga Prokuroria.

Gjykata thotë se çështja është në fazën e hetimit paraprak dhe se në këtë fazë gjyqtari nuk mund të bënte ndryshimin e veprës penale dhe as të caktojë një masë sigurimi më të rëndë se ajo e kërkuar nga Prokuroria.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë