Rend dhe Ligj

Hetimet për vrasjen misterioze të 20-vjeçarit në Shkodër, u qëllua me 6 plumba. 20 persona shoqërohen në polici

Gazeta Si – Rreth 20 persona janë shoqëruar në polici, të dyshuar se mund të kenë informacione që mund të ndihmojnë hetimet për vrasjen misterioze të 20-vjeçarit Paulin Preka në Shkodër.

Bëhet fjalë për fqinj dhe shtetas të tjerë që mund të kenë dijeni për viktimën. Sipas të njëjtave burime në pyetje janë marrë edhe njerëz që njihen si problematikë në zonë.

Pa u mbushur 24 orë nga vrasja e të riut në fshatin Guci e Re, hetuesit nuk kanë ende një pistë të qartë apo dyshime për një autor të caktuar.

Hetimet e deritanishme për vrasjen e të riut 20 vjeçar Paulin Preka në oborrin e shtëpisë së tij në fshatin “Guci e Re”, deri më tani nuk kanë çuar në dyshime për një autor të caktuar. Trupi i pajetë i të riut, u gjet nga familjarët e tij, të cilët menjëherë lajmëruan policinë.

Nga mbikëqyrja u konstatuan 6 plagë me armë zjarri, ndërsa në vendngjarje nuk është gjetur arma me të cilën është kryer krimi.

Grupi hetimor ka sekuestruar gëzhojat të cilat ndodheshin pranë njëra-tjetrës dhe dyshon se 20-vjeçari është qëlluar nga një distancë e afërt në oborrin e shtëpisë së tij ku u gjet trupi i pajetë.

Mësohet se i riu jetonte mes Dukagjinit dhe Gucisë bashkë me babanë dhe vëllain e tij teksa merren me bagëti atje. Viktima kishte 4 ditë që kishte ardhur në shtëpi.

Ka qenë xhaxhai i 20-vjeçarit, shtetasi Nikollë Preka personi që konstatoi se nipi i tij ishte vrarë. Viktima jetonte i vetëm në shtëpi, ndërsa ushqehej tek familja e xhaxhait që e kishte shumë afër. 

Sipas burimeve, mësohet se të afërmit e tij e kanë telefonuar disa herë për të ngrënë drekën, i riu nuk i është përgjigjur dhe xhaxhai i tij ka shkuar tek banesa duke menduar se mos ishte në gjumë.

Në ato momente e ka gjetur të shtrirë në oborr, teksa kishte ndërruar jetë nga plumbat e marrë. Menjëherë xhaxhai i viktimës ka telefonuar policinë ndërsa efektivët nisën hetimet.

Policia dyshon se në atë zonë pa kamera sigurie, autori ka ardhur në këmbë dhe është larguar po në këmbë mes arave, ndërsa ka patur shumë mundësi për t’u larguar pa lënë gjurmë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë