Më shumë se një vit pas vrasjes së policit të FNSH-së, Xhulio Prela në fshatin Gajush, Prokuroria e Lezhës ka mbyllur hetimet, duke çuar dosjen për gjykim.
Në lidhje me këtë ngjarje, janë marrë të pandehur Redion Hysa dhe Nikoll Sherrniku, ku ka hetimet ka dalë se Hysa është autori i dyshuar i vrasjes, ndërsa Shernikut akuzohet për “Moskallëzim krimi”.
Por si u zbulua ngjarja? Redion Hysa bashkë me kushëririn e tij Sokol Hysa u arrestuan nga Policia e Lezhës më 28 dhjetor të vitit 2020, pasi kishin qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të karburantit, kamerat e së cilit kishin filmuar vrasjen e policit.
Ndaj dy të rinjve u ngritën akuzat e “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve” dhe “Kanosjes me armë”, ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 28 gëzhoja.
Gjatë kontrollit në banesën e Hysës, policia gjeti dy armë zjarri të fshehura në depozitën e ujit që ndodhej mbi tarracën e shtëpisë. Ekspertët analizuan armët në laboratorin shkencor të kriminalistikës dhe dolën në përfundimin se pistoleta ishte përdorur në ngjarjen e 5 dhjetorit 2020, ku mbeti i vrarë efektivi i FNSH-së, Prela.
Ekspertiza balistike ka provuar shkencërisht se pistoleta që mbahej e fshehur në depozitën e ujit, ka kryer 3 qitje në fshatin Gajush të Lezhës, vendi ku u gjet i vrarë efektivi i ri.
Madje ekspertët shtojnë se edhe predha, që i ka marrë jetën punonjësit të policisë, është qitur pikërisht nga arma e gjetur në banesën e Redion Hysës.
Për këtë fakt, përgjegjësia penale ndaj Hysës është rënduar, por ai ka zgjedhur të mos flasë dhe mos japë shpjegime rreth provave të siguruara nga policia dhe prokuroria.
Aktualisht çështja është në gjykim paraprak dhe do të jetë gjykata që tashmë do të vendosë kalimin për gjykim themeli apo rikthimin në Prokurori për plotësim hetimesh.
Konflikti mes Prelës dhe autorëve, dyshohet të ketë nisur pas një sherri momental, pasi palët janë konfliktuar për dritat e makinës së njërës prej tyre që rrezatonin mbi palën tjetër.
Ndërkohë, Brilant Martinaj, i cili u shpall në kërkim qysh prej dhjetorit 2020, si autor i dyshuar i vrasjes, është lënë i lirë, sepse akuza ndaj tij është pushuar me kërkesë të prokurorisë, pasi është arritur të provohet se nuk ka lidhje me ngjarjen.
26-vjeçari po kthehej nga Shkodra, nga ku kishte marrë nga Rinasi dhe dërguar më pas në shtëpi një mikun e tij që ishte kthyer nga Anglia.
Vrasja ndodhi në afërsi të fshatit Gajush në orën 03:00 të mëngjesit, teksa dyshohet se Xhulio Prela është qëlluar nga afër me tre plumba, ndërsa njëri prej tyre ka qenë në zemër, duke i shkaktuar vdekjen.
Pasi u qëllua, makina tip “Volkswagen” ka ecur në gjendje të lirë për disa qindra metra, duke përfunduar në anë të rrugës. Edhe pse ka pasur armën e shërbimit me vete, Prela nuk ka mundur ta përdorë atë sipas ekspertëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.