Gazeta Si – Kur kanë kaluar 24 orë pas vrasjes së Renato Hoxhajt, i cili punonte si roje në një objekt në ndërtim në Vlorë, ende nuk ka asnjë detaj në lidhje me autorin ose autorët e dyshuar.
Menjëherë pas ngjarjes, janë marrë në pyetje të paktën 5 persona, kryesisht familjarë, të afërm të tij, komshinj dhe kolegë.
Por dëshmitë e tyre në komisariatin e Vlorës nuk kanë dhënë ndonjë detaj të rëndësishëm; ata thjesht kanë pohuar se viktima ishte një njeri pa probleme dhe nuk kishte pasur konflikte me askënd. Edhe nga banorët e zonës njihej si njeri pa probleme.

Po ashtu, bashkëjetuesja e 58-vjeçarit, ka deklaruar se partneri i saj nuk ka pasur konflikte. Në dëshminë e saj, ajo tha se i kishte dëgjuar të shtënat, por kishte menduar se ishin fishekzjarre. Ajo tha se i kishte dëgjuar të shtënat, por kishte menduar se ishin fishekzjarre.
Në vendngjarje janë gjetur 4 gëzhoja të një armë tip pistoletë 9 mm. Viktima ka marrë dy plumba në kokë dhe dy në trup. Dyshohet se autori hyri dhe doli tek rruga “Kuzum Baba” dhe një prej kamerave të sigurisë në një zonë të caktuar, e fiksoi të maskuar me shall e kapele.
Askush nga banorët nuk ka parë personat që kanë kryer krimin, ndërsa 58-vjeçari është goditur nga shumë pranë.
Fillimisht në trup, për ta penalizuar që të mos lëvizte dhe më pas dy herë në kokë me armë zjarri, pistoletë. Momentalisht dyshohet se kemi të bëjmë vetëm me një person që ka kryer krimin.
Pistat kryesore të hetimit janë konfliktet e mundshme së fundmi dhe përfshirja në ndonjë ngjarje. Dyshohet se autori ka lëvizur në këmbë dhe e njihte mirë terrenin dhe itinerarin.
Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë së zonës, të cilat po analizohen. Pritet të shihet nëse prej tyre do të nxirret ndonjë detaj.
58-vjeçari jetonte i vetëm në shtëpi. Ishte babai i dy fëmijëve të rritur. Gruaja e tij e parë jetonte në Itali dhe shpesh fëmijët vinin për ta takuar. Prej kohësh jetonte me një bashkëjetuese të dytë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.