Drejtësia

Hetimet për ‘Sterilizimin’, shtyhet seanca për Ilir Beqajn: Sa kohë do më jepet për qëndrimet e mia?

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme ka shtyrë për me 3 tetor seancën për dosjen “Sterilizimi”, ku nën akuzë mes disa personave është edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Shkak u bë tejzgjatja prej 4 orësh e seancës dhe mosarritja që të ezaurohej leximi i akteve nga SPAK.

Ndërkohë, gjatë seancës pati një pretendim të ngritur nga Beqaj, i cili lidhet me thirrjen e tij në fillim të tetorit, në Komisionin Hetimor Parlamentar të ngritur për të njëjtën çështje.

“Jam thirrur në Komisionin Hetimor për të paraqitur pretendimet e mia dhe për të dhënë sqarime para deputetëve. Kam ndërkohë nga një tjetër trupë gjykuese një masë sigurie (për dosjen SASPAC), sa kohë do më jepet për të përgatitur qëndrimet e mia? Ky nuk është shqetësimi më i madh, pasi do duhet t’i zbërthej në komision të gjitha aktet dhe argumentet, një pjesë e të cilave përbëjnë sekret hetimor dhe deklarimet e mia atje mund të përbëjnë shkelje të vendimit të gjykatës për mosnxjerrje të sekretit hetimor. Dua të di qëndrimin e gjykatës”, u shpreh ish-ministri i arrestuar për një tjetër çështje, atë të fondeve të SASPAC.

Nga ana e prokurorëve iu bë me dije se për këtë çështje, Beqaj nuk ka masë sigurie të karakterit shtrëngues, çka do të thotë që nuk ka përse merr leje nga SPAK ose GJKKO, për t’ju përgjigjur thirrjes në Komision.

Çështja e “Sterilizimit” ka ngecur në seancë paraprake, për shkak të dosjes voluminoze, e ku mbrojtja ka kërkuar që SPAK ta lexojë në gjyq çdo akt, duke ngadalësuar kështu procesin.

Për dosjen e “Sterilizimit”, Beqaj akuzohet për “shpërdorim detyre”, ndërsa u la në masën detyrim paraqitjeje.

Ish-zëvendësi i tij, Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj ndodhen në qeli, ndërsa masa sigurie u caktuan për anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave. Të pandehurit akuzohen për koncesionin me vlerë 100 mln euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë