Gazeta Si – Përveç Hamza Licit dhe Arlind Bushatit, të cilët mbetën viktima në masakrën e Dobraçit një ditë më parë në Shkodër, në makinën me të cilën udhëtonin, mësohet se ka qenë edhe një person i tretë. Ai i ka shpëtuar breshërisë së plumbave nga autorët.
Viktimat udhëtonin me një automjet tip “Benz” me targa kroate në momentin që u sulmuan nga një mjet në lëvizje tip “Range Rover”.
Mësohet se personi i tretë ka qenë bashkë me dy viktimat, por që në momentin pas sulmit është larguar nga vendngjarja. Policia nuk e ka identifikuar ende.
Kjo e dhënë e mbërritur në zyrat qendrore të Policisë Shkodër, ka kaluar në verifikim për të mësuar mbi identitetin e personazhit në fjalë, pasi dyshohet se dikush mund t’i ketë ndihmuar duke i nxjerrë nga makina me targa kroate.
Kjo pistë dyshimi është ngritur për shkak se brenda makinës së viktimave u gjetën 3 pistoleta. Çka mendohet se brenda mjetit kanë qenë 3 vetë. Dhe ky person i tretë mund të jetë larguar menjëherë pas atentatit.
Nuk dihet nëse ka mbetur i lënduar ose jo, megjithatë grupi hetimor ka marrë mostra gjaku brenda mjetit dhe do të konfirmohet nëse i përkasin edhe një personi të tretë apo vetëm dy viktimave Lici e Bushati, përkarësisht 23 dhe 32 vjeç.
Gjithashtu, brenda makinës së viktimave u gjetën edhe gëzhoja armësh, çka do të thotë se ata i janë kundërpërgjigjur me armë atentatorëve.
Pistat e hetimit dhe autorët Mali i Zi?
Pistë kryesore për policinë mbetet hakmarrja dhe përplasja mes anëtarëve të familjes Lici me eksponentë të tjerë në Shkodër.
Mbi 50 gëzhoja janë gjetur në një distancë prej rreth 150 metër. Dyshohet se kanë qenë 3 autorë, njëri drejtues i automjetit “Range Rover” dhe dy të tjerë, të cilët kanë qëlluar.
Hetuesit dyshojnë se autorët janë vrasës me pagesë të ardhur nga Mali i Zi. Ata e dogjën makinën e përdorur në atentat, tip Range Rover, brenda së cilës u gjetën 2 kallashnikovë.
Në lidhje me pistat hetimore, nuk është përcaktuar ende motivi. Por shumë persona u shoqëruan, mes të cilëve edhe Safet Bajri. Të gjithë u lanë të lirë pas marrjes në pyetje.
Ky i fundit ka qëndruar rreth 2 orë në polici dhe mësohet se ka mohuar të ketë lidhje me atentatin. Burimet thonë se Bajri ka deklaruar se gjatë kohës kur ka ndodhur atentati ka qenë në shtëpi me familjen.
Sipas tij, shtëpia është e monitoruar me kamera, që provon se ka qenë në banesë në momentin kur ka ndodhur atentati.
Ajo që dihet është se familja Lici ka qenë në konflikt të hapur me familjen Bajri. Por nuk përjashtohen as pista të tjera.
Nga ana tjetër, disa javë më parë, Arlind Bushati, që është djali i Xhemal Bushatit ish-kandidatit për Bashkinë e Shkodrës, u kërcënua hapur në pedonalen e qytetit nga dy persona me motor, për të cilët ai bëri denoncim dhe tha se i nxorrën pistoletën. Por arma nuk shkrepi.
Viktimat
Viktimë e atentatit mbeti Hamza Lici, vëllai i vogël i Ibrahim Licit, i arrestuar dhe i liruar në Turqi, ku autoritetet atje refuzuan ekstradimin në Shqipëri.
Disa orë më vonë humbi jetën në spital dhe Arlind Bushati. Djali i Xhemal Bushatit, ish-kandidati i PD për kryebashkiak të qytetit të Shkodrës, që po udhëtonte me Hamza Licin në makinën Benz C- Class me targa kroate.
Viktimë mbeti dhe Flutura Basha, një qytetare e pafajshme që po udhëtonte me bashkëshortin e saj me motorçikletë në momentin kur ndodhi atentati. Ndërsa në spital në gjendje të rëndë është Bashkim Basha, bashkëshorti i Fatbadhës, që humbi jetën.
Sipas të njëjtave burime, i plagosuri rëndë nga kjo ngjarje, Bashkim Basha, po lufton me jetën në Spitalin Rajonal të Shkodrës.
Ai ka qenë duke lëvizur me motor së bashku me bashkëshorten e tij kur është përplasur nga makina me të cilën udhëtonin 2 viktimat, Hamza Lici dhe Arlind Bushati.
Në momentin që ata ranë pre e breshërive të plumbave, makina humbi kontrollin dhe përplasi 2 kalimtarët fatkeq.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.