Drejtësia

Hetimet për ish-deputetin Jurgis Çyrbja, SPAK thërret Vangjush Dakon për të dhënë shpjegime

Gazeta Si - Ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka dhënë shpjegime në SPAK këtë të hënë lidhur me çështjen e Jurgis Çyrbjes, ish-deputeti socialist i arrestuar dhe akuzuar për lidhje me bandat dhe nxjerrje të sekretit hetimor pas përgjimeve në "Sky ECC".

Ai ka mbërritur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme i shoqëruar nga një efektiv policie, pasi ndodhet nën masën e “arrestit në shtëpi” deri në momentin që do marrë vendim Apeli i Posaçëm, pasi u dënua nga GJKKO me 2 vite e 8 muaj burg rreth një javë më parë, i akuzuar për “shpërdorim detyre’ në dy raste.

Dako ka qëndruar rreth 40 minuta në SPAK dhe pas daljes nuk ka dhënë deklarata për mediat. Megjithatë, sipas burimeve, ai është pyetur për listën e PS në qarkun e Durrësit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, ku Jurgis Çyrbja ishte pozicionuar në vendin e 5, pra në listë të sigurt.

Ish-deputeti Jurgis Çyrbja u vu në pranga më 20 tetor 2024, i dyshuar për bashkëpunim me bandat kriminale në Durrës.

Akuzat që rëndojnë ndaj tij janë “Korrupsion aktiv zgjedhor”, “Përkrahje e autorit të krimit” dhe “Tregtimi i sekretit shtetëror”.

Nga zbërthimi i bisedave në rrjetin "SKY ECC", u zbulua se në favor të votave për t’u zgjedhur si deputet në qarkun Durrës në zgjedhjet e 2021, Çyrbja, informonte bosë të krimit për operacionet policore me qëllim që ata të mos arrestoheshin.

Ndërkohë që Edmond Koçi, i njohur si Mond Çekici, i cili u ekzekutua në vitin 2021 dhe Altin Hajri, i shumëkërkuar për rrëmbimin e zhdukjen e Jan Prengës, dyshohet se kanë ndikuar sipas SPAK pranë zyrtarëve socialistë që emri i Çyrbjas të ishte në listë të sigurt për deputet. Së bashku me të u prangos edhe Ahmet Masha, një emër i njohur për drejtësinë dhe policinë.

Sakaq, para dy javësh, Dako u dënua nga Gjykata e Posaçme me 2 vite e 8 muaj burg rreth një javë më parë. Ai akuzohet për “shpërdorim detyre’ në dy raste.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë