Drejtësia

Hetimet për ish-çiftin Meta-Kryemadhi, SPAK dyshon se shpenzuan 240 mijë $ nga karta e biznesmenit

Gazeta Si – Hetimet ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, kanë zbuluar se ish-çifti kanë shpenzuar rreth 240 mijë dollarë nga karta e dytë bankare, që iu vu në dispozicion nga biznesmeni shqiptaro-amerikan Adrian Shatku.

Mësohet se bëhet fjalë për fatura të qëndrimit në hotele në Londër, Bevery Hills, Las Vegas, si dhe udhëtime me avion, të gjitha të kryera gjatë periudhës nga viti 2014 deri në 2017-ën.

Sipas burimeve nga SPAK, prokurorët e çështjes po hetojnë për të verifikuar nëse ka pasur shpenzime të tjera përmes kësaj karte bankare dhe organi i akuzës ka dërguar letër-porosi në shtete të tjera mbi pagesat që janë kryer online.

Nga ana tjetër, më herët ish-presidenti Meta ka mohuar të jetë përdorues i kësaj karte bankare, duke pretenduar se përdoruese ka qenë ish-bashkëshorta e tij.

Në seancën e kaluar në GJKKO ku iu rrëzua kërkesa për lirim nga qelia, Meta mohoi të ketë kryer veprime me këtë kartë bankare duke e vënë përgjegjësinë tek ish-bashkëshortja e tij.

Në reagimin e publikuar në rrjetin e tij social, ish-presidenti shprehej se një prej arsyeve të divorcit me Kryemadhin ishte edhe ekzistenca e kësaj karte, për të cilën pretendon se nuk ka patur dijeni.

Duke ritheksuar se nuk ka patur lidhje të ngushtë me biznesmenin Shatku dhe se ishte njohje e Kryemadhit, Meta u distancua nga blerjet me kartë bankare duke thënë se mban përgjegjësi vetëm për veten e tij.

SPAK pritet të saktësojë për Metën episodin që lidhet me akuzën e lobimit të ish-LSI në SHBA, pasi nga letërporositë, janë zbuluar të dhëna të reja mbi pagesat dhe kontratën.

Ilir Meta u arrestua më 21 tetor të vitit të shkuar, nën dyshimet se ka kryer korrupsion, mosdeklarim të ardhurash e pastrim parash së bashku me ish-gruan e tij, Monika Kryemadhi, e cila zbaton masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë