Dosje

Hetimet për atentatin në ‘Don Bosko’, kamerat në autostradë pikasën vajtje-ardhje makinën e autorëve në 30 minuta

Gazeta Si - Kur kanë kaluar dy ditë nga masakra në "Don Bosko", policia akoma nuk ka persona të dyshuar për atentatin ku humbi jetën banakierja e lokalit Mimoza Paja dhe u plagosën 5 persona të tjerë.

Një ditë më parë, policia njoftoi vetëm dinamikën e ngjarjes, me autorët që kishin zbritur nga një makinë dhe hapën zjarr.

Hetuesit janë përqendruar tek sekuestrimi dhe vëzhgimi i kamerave të sigurisë përgjatë gjithë itinerarit që ka ndjekur makina e autorëve, që nga vendi i ngjarjes, deri në fshatin Likmetaj, ku u gjet e djegur me 3 kallashnikovë brenda.

Kamerat e sigurisë

Nga burime paraprake në rrugë jo zyrtare, mësohet se një kamera sigurie në orën 20:20 minuta të mbrëmjes, ka pikasur në autostradë makinën tip “BMW” me targa të huaja, e cila kalon në zonën e Qafë-Kasharit drejt Tiranës.

Më pas, ky mjet është filmuar po nga e njëjta kamera, duke u larguar me shpejtësi nga kryeqyteti në orën 20:50, ku sipas hetuesve, rreth 30 minuta iu ka mjaftuar atentatorëve për të kryer krimin.

Nuk dihet nëse agjentët kanë sekuestruar kamera sigurie në zonë ku ndodhi ngjarja, kjo pasi janë hequr nga policia në kuadër të operacionit “Fijet e krimit” disa javë më parë për ç'montimin e tyre të vendosura në mënyrë të paligjshme.

Itinerari i autorëve

Autorët janë afruar me automjetin tip "BMW", me targa të huaja në rrugën “Anastas Shundi”, kanë ndaluar makinën përbri lokalit të Fatjon Muratit dhe dy nga autorët kanë zbritur nga makina duke hapur zjarr me breshëri.

Pas kësaj autorët kanë hipur në automjet dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të spitalit ushtarak, kanë vazhduar në autostradën Tiranë - Durrës, kanë devijuar rrugën në mbikalimin e Vorës dhe kanë djegur automjetitn në fshatin Likmetaj.

Gëzhojat e gjetura në lokal janë saktësisht 17 copë dhe janë të qëlluara nga 3 armë të ndryshme, njëlloj siç u gjetën të djegura në makinë.

Pistat e hetimit

Sa i takon pistave të hetimit, prokurorët dyshojnë se është përplasje mes bandave kriminale. Hetuesit janë fokusuar para së gjithash te grupi i Ervis Martinajt për hakmarrje për vrasjen e Brilant Martinajt në Fushë Krujë verën e vitit të shkuar.

Fatjon Murati, një person me precedentë të theksuar kriminalë, është mik i ngushtë me Endrit Doklen, që ndërsa njihej për armiqësinë me grupin tjetër, atë të Ervis Martianajt (i zhdukur që në 9 gusht 2022).

As dëshmia e të plagosurve nuk ka qenë e vlefshme, pasi të gjithë kanë deklaruar se gjithçka ka ndodhur shumë shpejt dhe nuk kanë arritur të shquajnë autorët. Këta të fundit kanë qenë të maskuar shumë mirë dhe dëshmitarët nuk u kanë parë fytyrat.

Po ashtu hetuesit kanë dyshime se përveç personave që janë plagosur në lokal, të pranishëm kanë qenë edhe një rreth i ngushtë familjar dhe shoqëror i Fatjon Muratit, ku dhe ata kanë qenë të dyshuar dhe të shoqëruar për ngjarje të ndryshme kriminale.

Fatjon Murati

Nga ana tjetër, Fatjon Murati, i cili dyshohet se është arratisur nga Shqipëria duke thyer “arrestin shtëpiak” për armëmbajtje pa leje, ka shfrytëzuar marrëveshjen e lëvizjeve pa kontroll në fundjavë për të kaluar kufirin më Kosovën. Prej këtej, 32-vjeçari, në lokalin e të cilit ndodhi dhe masakra, dyshohet se të ketë udhëtuar drejt Turqisë.

Aktualisht, Fation Murati është në proces gjykimi për armëmbajtje pa leje. Mbrëmjen e së dielës nuk është gjetur në shtëpinë e tij luksoze, kur policia shkoi për verifikim pas masakrës së “Don Boskos”.

Në atentatin e 12 marsit, në lokalin e Fatjon Muratit u vra banakierja Mimoza Paja 58 vjeç dhe u plagosën 5 persona të tjerë: Shehat Murati 50 vjeç (xhaxhai i Fatjon Muratit), Astrit Meraj 42 vjeç, Emanuel Sala 47 vjeç, Ermir Bejuku 45 vjeç dhe Genc Shohalli 55 vjeç.

Në momentin që kanë qëlluar drejt fasadës së lokalit, në këmbë ka qenë 58-vjeçarja Mimoza Paja, e cila po shërbente, çfarë ka rezultuar fatale për jetën e saj, ndërsa pjesa tjetër e klientëve dhe familjarëve të Fatjon Muratit, kanë qenë të ulur.

Policia e Shtetit kërkon ndihmën e qytetarëve për të zbuluar autorët, dhe ofron një shpërblim prej 20 mijë eurosh për këdo që jep informacione të vlefshme, në këtë numër telefoni 069 41 11 546.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë