Gazeta Si – Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, ka deklaruar se do të zbatojë vendimin e Gjykatës së Lartë në lidhje me “21 Janarin” dhe se për këtë dosje do të ndiqet procedura normale.
Në një takim informal me gazetarët, Dumani theksoi se do të ketë nevojë për koordinim me Prokurorinë e Tiranës për transferimin e çështjes për hetim në SPAK.
“Jemi të detyruar të zbatojmë vendimin e Gjykatës së Lartë. Kur të vijnë aktet do të regjistrojmë hetimin penal. Do të shihet në vijim edhe bashkëpunimi me Prokurorinë e Tiranës”, tha Dumani.
Në bazë të vendimit të Gjykatës së Lartë, kërkohet që çështjen e “21 Janarit” ta hetojë SPAK, duke i hapur rrugë tashmë regjistrimit të kallëzimin të familjes Nika.
Në arsyetimin e zbardhur nga Gjykata e Lartë pak ditë më parë, kërkohet hetimi për ish-kryeministrin Berisha, ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Basha dhe ish-komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, si urdhërues të “21 janarit”, të akuzuar nga trashëgimtarët e katër të vrarëve në demonstratën e “21 janarit”.
Afera “Partizani” dhe Sali Berisha
Ndërkohë, i pyetur në lidhje me hetimet për aferën e privatizimit të ish-klubit “Partizani”, Dumani tha se janë bërë hetime pasurore për ish-kryeministrin Sali Berisha, në “arrest shtëpie” bashkë me dhëndrin e tij për këtë çështje.
“Kur të përfundojnë hetimet plotësisht, dosja do t’i dorëzohet gjykatës. Janë grumbulluar provat dhe i takon prokurorëve të çështjes të vlerësojnë edhe sa do të zgjasë hetim”, tha ai.
I pyetur për hetimin pasuror e personave nën hetim, Dumani tha se hetimi pasuror për këtë çështje është kryer dhe se SPAK ka dalë edhe me një përfundim duke sekuestruar disa pasuri.
Sipas SPAK, Berisha dyshohet të ketë kryer veprën penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezin.
Për të njëjtën vepër penale akuzohet dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi pasi dyshohet se ka marrë përfitime të parregullta, si produkt i bashkëpunimit me ish-kryeministrin Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.