Drejtësia

Hetimet ndaj ish-çiftit Meta-Kryemadhi, SPAK zbulon një tjetër rast korrupsioni

Gazeta Si – Nga hetimet në lidhje me dosjen, ku është i përfshirë ish-presidenti Ilir Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, deputetja Monika Kryemadhi, SPAK ka zbuluar një tjetër episod të dyshuar korrupsioni.

Sipas burimeve paraprake, bëhet fjalë për një kartë tjetër bankare, e cila rezulton se është përdorur për blerje dhe shpenzime të ndyshme.

Karta bankare i është vënë në dispozicion Kryemadhit dhe Metës nga bizmesmeni Adrian Shatku.

Nga hetimet paraprake më herët u zbulua një kartë tjetër “American Ekspress”, e cila dyshohet se ishte përdorur dhe vënë në dispozicion nga i njëjti biznesmen.

Po ashtu, SPAK pritet të saktësojë për Metën episodin që lidhet me akuzën e lobimit të ish-LSI në SHBA, pasi nga letërporositë, janë zbuluar të dhëna të reja mbi pagesat dhe kontratën.

Pas kontratave të publikuara me 3 kompani të ndryshme, Meta mohoi akuzat duke thënë se ai vetë nuk ka autorizuar veprime të paligjshme, duke u përpjekur në këtë mënyrë të ‘shmangë përgjegjësinë’.

Ndërkohë, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili që prej 21 tetorit të vitit të kaluar mbahet në paraburgim, pritet të dalë sot në orën 11:30 në Gjykatën e Posaçme, ku kërkon zbutjen e masës së sigurisë.

Erion Çela do të jetë gjyqtari i cili do të marrë vendimin mbi këtë kërkesë në të cilën janë paraqitur argumentet e mbrojtjes. Meta i është drejtuar më herët GJKKO-së edhe me argumentin se është kreu i partisë së dytë opozitare në vend dhe duhet të ushtrojë aktivitetin e tij politik.

Ilir Meta u arrestua më 21 tetor të vitit të shkuar, nën dyshimet se ka kryer korrupsion, mosdeklarim të ardhurash e pastrim parash së bashku me ish-gruan e tij, Monika Kryemadhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë