Drejtësia

SPAK mund të hetojë grupin e Laert Haxhiut. Prokuroria e Elbasanit kalon dosjen  

Gazeta Si – Vrasjet e grupit të Laert Haxhiut pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Artan Tafani, kanë mbledhur këtë të mërkurë krerët më të lartë të SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Në ambientet e Prokurorisë së Posaçme në Tiranë, ka qenë i pranishëm edhe drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi.

Sipas burimeve paraprake, në takim po diskutohet për grupin e Laert Haxhiut, që u godit javën e kaluar gjatë operacionit “Kurrë mos harro” pas dëshmisë së Artan Tafanit.

Ky i fundit, anëtar i bandës së Laert Haxhiut, u bë bashkëpunëtor i drejtësisë dhe rrëfeu krimet e këtij grupi.

Hetimi u drejtua nga Prokuroria e Elbasanit dhe pritet që t’i kalojë SPAK-ut për kompetencë, e për këtë arsye besohet se drejtuesi Kreshnik Ajazi është takuar me drejtues të Prokurorisë Speciale.

Nga dëshmia e Tafanit u zbardhën 6 vrasje si dhe krime të tjera, por që një pjesë tjetër janë ende në proces verifikimi dhe hetimi.

31-vjeçari Haxhiu aktualisht ndodhet në burg në Greqi dhe akuzohet si pjesëmarrës dhe organizator.

Ndërsa në Shqipëri, në pranga u vendosën 12 persona, të cilët u lanë nga gjykata në “arrest në burg”, ndërsa 4 të tjerë janë ende në kërkim.

Sipas dëshmisë së Artan Tafanit, grupi i Laert Haxhiut kishte planifikuar të vriste dy prokurore.

Fillimisht ishte prokurorja e Lushnjës, Merita Selimi, e cila mblodhi provat dhe dëshmitë për vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës.

Ajo ngriti akuzën “grup kriminal” dhe dosja më pas i kaloi Prokurorisë së Posaçme. Në SPAK hetimet u drejtuan nga prokurorja Doloreza Musabelliu.

Si Selimi, ashtu edhe Musabelliu u morën menjëherë në mbrojtjen e strukturave policore për garantimin e sigurisë së tyre.

Dëshmia e Tafanit mblodhi të hënën në Këshillin e Lartë të Prokurorisë drejtuesit më të lartë të institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, drejtuesi i SPAK Altin Dumani, drejtori i Përgjithshëm i Policisë Muhamet Rrumbullaku, si dhe kreu i Gardës Gramos Sako zhvilluan një takim për të diskutuar për kuadrin ligjor për mbrojtjen e magjistratëve, si dhe për të diskutuar mbi rastet e fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë