Gazeta Si – Një shqiptar dhe bashkëpunëtori i tij nga Lituania, janë dënuar me nga 19 vjet e 6 muaj burg nga Gjykata e Kurorës në Shefield në Britani të Madhe, pasi kishin marrë peng për 10 ditë dy shtetas shqiptarë për zbulimin e një “shtëpie bari” nga policia angleze.
SPAK dhe BKH në Shqipëri, në gusht krijuan një grup të përbashkët hetimor me britanikët, të cilët në shtator mbërritën për të siguruar prova në vendin tonë.
Ngjarja horror u zbardh nga autoritetet me ndihmën e vëllait njërit prej shqiptarëve të marrë peng që denoncoi rastin në policinë e Tiranës, kur tregoi videot që autorët i dërgonin me pamje të vëllait.
Bëhet fjalë për Andi Alushin 27 vjeç dhe lituanezin Valdemaras Kasinskas 39 vjeç, të cilët akuzohen për “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, i kryer kundër disa personave në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal.
Në njoftimin për mediat, SPAK bën të ditur se gjatë muajit shtator 2022 pjesëtarë të Skuadrës së Përbashkët Hetimore nga Shërbimi i Policisë së Yorkshire të Jugut kanë ardhur në Shqipëri, ku në bashkëpunim me hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Oficerë të shërbimit të policisë gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorit të çështjes në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kanë kryer veprime të shumta hetimore, në kuadër të hetimeve paralele që po zhvilloheshin si në Mbretërinë e Bashkuar, ashtu dhe në Shqipëri.
Në bashkëpunim me autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar hetimet vazhdojnë për zbulimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje të ndodhur më 14 maj 2022, ku në një banesë në Sheffield të Britanisë u gjetën të lidhur me zinxhirë te radiatorët në dhoma gjumi të veçanta shtetasit shqiptarë E. R. dhe O. L.
U rrëmbyen dhe keqtrajtuan fizikisht
Mediat britanike shkruajnë se të rrëmbyerit janë gjetur në dhoma gjumi të veçanta në katin e dytë të banesës, ndërsa pranë tyre ishin tasa bosh të ngjashme me ato ku ushqehen qentë.
Dy shqiptarët e rrëmbyer detyroheshin të hanin aty pasi ishin lënë pa ngrënë për ditë të tëra. Ata madje janë filmuar duke ngrënë në këto tasa gjatë 10 ditëve të marrë peng.
Gjithashtu njëri prej viktimave kishte djegie të rënda në dorë, pasi ishte sulmuar dhe përvëluar.
Kryeinspektori i policisë Mark Oughton, i cili drejtoi hetimin, tha: “Ajo që oficerët gjetën brenda asaj shtëpie ishte thellësisht shqetësuese, prova e qartë se dy persona ishin mbajtur të burgosur dhe i ishin nënshtruar një trajtimi absolutisht barbar.
Shtëpia me kanabis
Tortura është e vetmja fjalë për të përshkruar atë që Kasinskas dhe Alushi i bënë njërës prej viktimave, duke e rrahur me dhunë dhe duke e djegur me ujë përvëlues, duke i shkaktuar lëndime të konsiderueshme djegieje.
Pengmarrësit bënin me faj dy shqiptarët për zbulimin e shtëpisë me kanabis dhe kërkonin nga familjet e tyre në Shqipëri para për lirimin e dy pengjeve.
Ata kishin filmuar viktimat duke duruar trajtimin poshtërues dhe degradues me qëllim që të shantazhonin familjet e tyre në Shqipëri.
“Kur u përballën me dëshminë e viktimave, provat mjeko-ligjore, provat telefonike dhe dixhitale, kjo dyshe kriminale nuk kishte asnjë alternativë veçse të pranonte fajësinë një javë përpara se të fillonte gjyqi”, tha polici.
Si u zbuluan
Gjithçka u zbulua në momentin kur lituanezi i tregoi një lituanezi videot në celular ku viktimat hanin në tasat e qenve e kërcenin ndërsa një burrë me hanxhar në dorë i shikonte. Lituanezi i shokuar me pamjet e videove bëri denoncimin në polici.
Hetimet
Mes dy shteteve Mbretëri e Bashkuar dhe Shqipëri u kryen hetime paralele dhe u ngrit një skuadër e përbashkët hetimi.
Në lidhje me ngjarjen nga Prokuroria e Specializuar në Njësinë e Çështjeve Komplekse të Yorkshire dhe Humberside të Shërbimit të Prokurorisë së Kurorës të Anglisë dhe Uellsit, janë zhvilluar hetime në kuadër të “Operacioni Lakeside Kilo”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




