Lajme

Heshtja e socialistëve dhe qëndrimet e Bashës me nënkuptime ndaj Berishës

Nga Gazeta ‘Si’-Hetimi dhe akuzat ndaj Sali Berishës janë kryefjala e ditës në politikën shqiptare. Të majtët që kanë pasur si kartë të tyre sulmin kundër Berishës duke e akuzuar për korrupsion, veçanërisht për ish-kompleksin “Partizani”, për të cilin vetë Taulant Balla ka bërë kallëzim penal në SPAK, po heshtin.

Asnjë reagim nga radhët e socialistëve, madje as nga kryeministri Edi Rama. Vetë Rama u shfaq në Krujë duke ndjekur procesin e rindërtimit të apartamenteve të prekura nga tërmeti i katër viteve më parë dhe nuk bëri asnjë koment mbi zhvillimet e forta të drejtësisë shqiptare.

Siç duket ka një “ultimatum” i lëshuar që të mos bëhet asnjë koment mbi këtë çështje dhe t’i lihet në dorë gjithçka drejtësisë.  Nuk ka asnjë status të figurave të rëndësishme të PS-së, si Elisa Spiropali apo dhe vetë Taulant Balla të cilët janë më aktivitët në përballjet me Berishën në Parlament.

Situata në kampin e PD vlon

Tablo me dy pamje ofron ajo te demokratët. Ithtarët e Berishës janë hedhur në kundërsulm duke i cilësuar akuzat dhe veprimet e drejtësisë, të SPAK në kundërshtim me Kushtetutën e sulm politik, pasi nuk mund t’i kufizohet liria e deputetit pa lejen e Kuvendit.

Të dyzuar janë pjesa tjetër e grupit të deputetëve të njohur si mbështetës të Bardhit. Akuza e SPAK kundër Berishës, duket se i ka distancuar ato nga Berisha. Vetë Gazment Bardhi u shfaq pas dy ditëve nga dalja e lajmit për arrestimin e dhëndrit të Berishës dhe akuzave ndaj ish-kryeministrit. Ai i cilësoi procedurat në shkelje me Kushtetutën, duke theksuar se nuk bën betejë me drejtësinë.

“Personalisht do të votoja në favor të çdo kërkese të organeve të drejtësisë që do të vinte në Kuvend, si shenjë e besimit tim se askush nuk duhet të qëndrojë mbi ligjin apo të gëzojë një status të veçantë në raport me secilin prej votuesve tanë”, tha Bardhi, duke nënkuptuar se nuk do të dilte kundër nëse propozimi sillet në Parlament.

Ndërsa vetë kryedemokrati Lulzim Basha i vënë në akuzë nga Berisha për përfitimet e apartamenteve nga kullat në Tiranë nuk ka mbajtur ndonjë zyrtar mbi këtë zhvillim.  Ai ka preferuar të flasë me nënkuptime.

“Qytetarë të varfër, korrupsion i lartë. Ky është realiteti sot në Shqipëri që po detyron shqiptarët të largohen nga vendi. Prandaj sot është jetike t’i jepet fund pandëshkueshmërisë. Të korruptuarit duhet të japin llogari para drejtësisë e paratë që u kanë marrë shqiptarëve t’u kthehen mbrapsht.Paratë që sot shkojnë në xhepat e pushtetarëve të kthehen në të mira për qytetarët”, shprehej Basha në një postim në rrjetet sociale për takimet në Dibër.

Barra e përgjegjësisë për të reaguar nga PD e Bashës, i ra Flutura Açkës, e cila iu kundërpërgjigj Bardhit se nuk kishte pse të fliste në emër të grupit.

“Për çfarëdo arsye, është e trishtueshme për çdo demokrat, për historinë tridhjetëvjeçare të tyre, që sot demokratët të jenë lajm i keq, aq më shumë drejtuesi i tyre historik., z. Sali Berisha. Uroj që drejtësia të jetë e drejtë me këdo dhe rikonfirmoj qëndrueshmërinë e lidhjes së Partisë Demokratike me partnerët e saj, dhe të Shqipërisë, SHBA dhe BE, në kontributin e tyre të vyer në procesin e integrimit europian dhe shtetin e së drejtës.”

 Edhe ajo u shpreh se do të votonte pro çdo propozimi të SPAK për të hetuar deputetët e Kuvendit.

Ndërkohë edhe aleatët e Bashës, situata është në amulli të plotë. Veç Metës dhe Ndokës nuk ka pasur ndonjë reagim tjetër të aleatëve, siç është rasti i kryerepublikanit Fatmir Mediu, që njihej si besnik i Berishës


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë