Përballja me Covid-19 erdhi si një taksë e rëndë të cilën na u desh ta paguanim të gjithë por peshën më të madhe të saj e ndjenë ata që ishin në vijë të parë, punëtorët e sektorit të shërbimeve.
Në fillimet e karantinës, kur qytetarët ishin të alarmuar sa nga mungesa e informacionit, aq dhe nga fakti që virusi ishte i padukshëm e lehtësisht i transmetueshëm, punëtorëve të supermarketeve dhe marketeve u duhej të rendnin drejt punës, për të ngritur qepenat dhe për të hapur dyert, çdo fillim dite.
Mëngjeset e tyre nuk nisnin me nge ashtu si për shumicën e qytetarëve që e shfrytëzuan karantinën për të kaluar më shumë kohë me familjen e për të kryer aktivitete në shtëpi sëbashku.
Këta punëtorë zgjoheshin që në orën gjashtë të mëngjesit dhe rendnin drejt punës dukë lënë pas fëmijët e vegjël, prindërit e moshuar dhe mbi të gjitha frikërat për virusin, sepse ata duhej të ishin aty, në shërbim të klientëve.
Tërësisht të ekspozuar dhe gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar qytetarët që bënin ecejake ndërmjet rafteve në kërkim të produkteve, ata i dolën për zot punës së tyre me të njëjtën gadishmëri si mjekët.
Albert Naso, kryetar i “Shoqatës së biznesit të Vogël dhe të Mesëm” u shpreh për gazetën “SI” se puna e tyre përgjatë gjithë kësaj periudhe pandemie ka qenë e jashtëzakonshme dhe disi e nënvlerësuar.
Ai e krahasoi atë me punën e mjekëve pasi ashtu siç këta të fundit,punëtorët qëndruan gjithë kohës në vijë të parë, pavarësisht të gjithave.
Pas një viti, tashmë të ngopur me informacion se si të mbrohemi, kemi edhe vaksinën anti-Covid e cila mesa duket këta punëtorë do i lërë për shumë gjatë në listat e pritjes edhe pse dikur ata u desh të ishin të parët.
Disa prej tyre nga “Shans Market”, “Big Market”dhe “Alb Market” treguan për gazetasi.al jo vetëm peripecitë që kanë kaluar në fillimet e karantinës por shprehën edhe shqetësimet e tyre në lidhje me procesin e vaksinimit i cili aktualisht nuk i ka në fokus ata.
“E kuptojmë që të moshuarit,mjekët dhe arsimtarët janë kategori shumë e rriskuar dhe biem dakord që duhet të vaksinohen të parët.
Por edhe ne duhet të jemi pas tyre. Jemi në kontakt me klientët gjithë kohës , vetëm këtu tek pika jonë vijnë rreth 40 klientë e përveç kësaj, shumica prej nesh janë të vetmit familjarë që punojnë.
Është një shtëpi e tërë që pret nga ne. “-tha E.Hoxha , një punëtore 40 vjeçare nga “Big Market” teksa po rregullonte me nxitim në stivë disa produkte ushqimore që sapo kishin arritur nga furnizimi i ditës.
Të njëjtit shqetësim në fakt i qëndronte edhe Liljana.M e cila kishte dhe bashkëshortin e sëmurë me 3 lloje diagnozash në shtëpi.
“Kur të gjithë njerëzit në fillim të karantinës rrinin në shtëpi për të qenë të sigurt, unë duhet të vija në punë edhe duke e ditur që bashkëshorti im kishte sëmundje bashkëshoqëruese.
A kisha frikë? Sa nuk kishte ku të shkonte më shumë ,por klienti është mbret.
I prisja me buzëqeshje pavarësisht tensionit dhe frikës time
Zgjohesha që në orën 6 të mëngjesit dhe dilja drejt rrugëve që ishin tërësisht të zbrazura vetëm për këta klientë, për të përmbushur nevojat e tyre ditore.
Kisha frikë të prekja produktet sepse virusi ishte gjithandej.
Të na vaksinojnë që edhe ne të jemi të sigurt por edhe të vijoje procesi normal i zinxhirit të punës.
Unë nuk e di se sa punëtorë mund të jenë në këtë treg pune po ma do mendja që jemi shumë.
Ashtu siç ishim në fillim të parët që i dolëm zot punës tonë duke luftuar me virusin, tani të na vaksinoje sa më shpejtë qeveria.”- citoi ajo pak e shqetësuar e jo pa ironi në të njëjtën kohë.

Vaksina do të jetë mënyra më e mirë për të vlerësuar punën e madhe dhe të vështirë të këtyre punëtorëve sipas Çlirim Xhemollarit, drejtor i “Alb Market.”
“ Profili i punës tonë të përditshme është shumë rriskoz. Ne kemi kaluar një situatë shumë të vështirë duke u mobilizuar në vijë të parë .
Është e domosdoshme që punëtorët tanë të vaksinohen jo vetëm për të mbrojtur jetën e konsumatorit por edhe vetë jetën e tyre të cilët kanë qenë në krye të detyrës edhe gjatë pandemisë.
Me punën e tyre ata vijojnë të jenë gjithë kohës të rrezikuar.”
Rëndësinë e punës së tyre e kupton vetëm kur flet nga afër me ta dhe vetëm kur në një analizë me veten, ti kupton se sa e rëndësishme është puna e tyre për komunitetin.
Marketi poshtë pallatit, supermarketi përtej rrugicës , qëndruan të hapur kur thuajse çdo gjë ishte e mbyllur.
Me thjeshtësinë e tyrë në të folur, me duart e zhdërvjellëta e me buzëqeshjen gati gjysmë të ngrirë në fytyrë, ata ia dolën të punonin pareshtur, duke vendosur në vend të parë punën përtej vetes.
I mbajtën hapur dyert e tyre për ne që mbase të përfshirë nga ritmi dhe rutina e vrullshme e ditës, e morëm për të mirëqenë punën e tyre.
Rradha e vaksinimit tani duhet të jetë për këta punëtorë, për këtë zinxhir kaq të rëndësishëm të ekonomisë, hallkat e të cilit nuk u shkëputën përgjatë gjithë pandemisë.
Rradha e vaksinimit tani duhet të jetë për ta, sepse kur erdhi fjala për punë, ajo e tyre nuk priti për rradhë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



