Taksa

Heqja e taksës 10% për mishin e importit hap debat

Nga Gazeta 'SI' - Kompanitë e përpunimit të mishit në vend i kanë dërguar një letër qeverisë për të vendimin e heqjes së taksë 10% të importit të mishit.

Në një letër drejtuar qeverisë, kompanitë shqiptare të mishit të përpunuar rikujtojnë se në 2006-n, ministria e Bujqësisë kishte këmbëngulur për të mbajtur taksën 10% për mishin e importit, me qëllim ruajtjen dhe rritjen e prodhimit vendas.

Kompanitë shkruajnë se ato po humbasin konkurrueshmërinë përballë rajonit, pasi vendet fqinje importojnë mish me zero taksë nga vendet europiane dhe sjellin në Shqipëri mish pa taksë, ndërsa Shqipëria eksporton me taksë 10%.

“Me nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim Asoocimit të vendit tonë me BE-në, në vitin 2006, të gjitha tarifat doganore mbi lëndët e para për përpunimin industrial u bënë zero. Por mbeti në fuqi tarifa doganore 10 % për të gjithë llojet e mishrave të importit, përfshirë edhe disa produkte që kanë vetëm një përqindje mishi. Kjo u bë me këmbënguljen e Ministrisë së Bujqësisë, “ me pretendimin për mbrojtjen e prodhimit vendas, rritjen e kafshëve për mish”. Kjo marrëveshje u pasua nga ajo e CEFTA-s në vitin 2007, e cila zeronte të gjitha tarifat doganore me vendet e rajonit, përfshirë ato të mishit dhe të nënprodukteve të tij si sallamet dhe proshutat”, thuhet në letrën e operatorëve të industrisë përpunuese të mishit dërguar ministres së Bujqësisë Anila Denaj dhe ministres së Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit Delina Ibrahimaj.  

Lajmi u njoftua për herë të parë të hënën e 9 shtatorit nga vetë ministrja Denaj, gjatë një komisioni. Ajo tha se kompanitë e importit të mishit kanë lobuar për të ulur një taksë dhe se qeveria po mendon ta bëjë pjesë të paketës Fiskale 2025.

“Sot janë 15 kompani shqiptare që tregtojnë mish importi të Brazilit nga stabilimente të licensuara nga BE-ja. Kjo është garanci për import cilësor që bëjnë kompanitë tona shqiptare. Ata na kanë kërkuar uljen e një takse 10% për të qenë konkurrentë me kompanitë e tjera në rajon. Për të ruajtur kompanitë shqiptare jemi duke e studiuar atë për ta prezantuar së bashku me ministren Ibrahimaj në paketën e re fiskale”, u shpreh ministrja Denaj.

Ministrja tha se Brazili është importuesi kryesor i mishit në Shqipëri, që konfirmohet edhe nga shifrat e INSTAT. Në 2023 Shqipëria mori rreth 13 mijë tonë mish nga Brazili dhe më shumë se 9 mijë tonë nga Greqia. Lista vijon me vende si Gjermania, Italia, Paraguaji, Argjentina etj.

Shifra të tjera të INSTAT tregojnë se politika për të mbajtur tarifat e importit dhe eksportit të larta, nuk kanë stimuluar prodhimin vendas të mishit dhe as nuk kanë rritur numrin e krerëve. Në një vit 2022-2023 numri i gjedhëve në vend ra me 35 mijë, ndërsa u zhdukën 890 mijë krerë dele. Rrjedhimisht, mishi, vezët dhe qumështi i prodhuar ka qenë po ashtu në rënie. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë