Nga Gazeta ‘SI’ – Marrëveshja e Shqipërisë me BERZH për ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit, po shqyrtohet në komisionet ndërparlamentare, teksa ka marrë dritën jeshile nga ai i Ligjeve dhe Veprimtarive Tregtare.
Marrëveshja u prezantua nga zv.ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Enkelejda Muçaj, e cila e quajti hekurudhën Vorë-Hani i Hotit një mundësi për të lidhur vendin me Europën, duke krijuar një zinxhir hekurudhor nga Durrësi në Mal të Zi, Slloveni etj.
Në fjalën e saj Muçaj tregoi se hekurudha do të jetë kyçe për transportin e pasagjerëve dhe mallrave, por do të ketë dhe qëllime ushtarake.
“Në fakt, të gjitha këto infrastruktura, edhe në emër të faktit se të gjitha infrastrukturat në nivel europian, mbi bazën e qasjes në nivel politik. Në nivel europian do t’i shërbejnë dhe të jenë të standardeve për t’i shërbyer nevojave ushtarake. Hekurudha Vorë-Hani i Hotit do i shërbejë sigurisë në Rajon”, tha Enkelejda Muçaj, zëvendësministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ajo tregoi se kjo hekurudhë pritet të transportojë 2.3 mln pasagjerë në vit dhe 900 mijë tonë mallra. Do të jetë 120 km e gjatë, 12 stacione dhe një tunel 320 m. Trenat do të jenë tërësisht elektrikë. Muçaj tha se marrëveshja synon të marrë kredinë 133 mln euro kredi nga BERZH, për të zhvilluar më tej transportin hekurudhor në Shqipëri.
Pyetur nga deputetët prezentë në komision, zv.ministrja Muçaj tha se sipas planit, hekurudha do të punësojë rreth 1.000 individë gjatë zbatimit të projektit dhe rreth 100 kur të përfundojë.
Për çmimin e biletës, ajo tregoi se vlerat do të përcaktohen pasi të vendoset mbi operimin dhe menaxhimin e hekurudhës, por kostot pritet të jenë tejet të favorshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.