Sport

Hektor Shaqiri – ‘Ja pengu i karrierës sime’

Ai është padyshim traineri më i suksesshëm në sportin e peshëngritjes, kjo të paktën pas viteve ‘90. Mjafton të përmendim emrat dhe medaljet e fituara prej Eljon Agos, Ilirjan Sulit, Ilir Kafaranit, Fetie Kasajt, Romela Begajt, Daniel Godellit etj, për të kuptuar përkushtimin, kohën dhe cilësinë në veprimtarinë sportive të Hektor Shaqirit ose “Toles” sic njihet ndryshe. Më shumë se 45 vite në drejtimin e një ndër pak sporteve që kanë sjellë medalje për Shqipërinë, ai do të mbahet mend për periudhën e artë të binomit Suli-Kafarani me të cilët arriti dhe sukseset më të mëdha për të rritur. Ndërsa në konkurimin për të rinj, Daniel Godelli është sportisti që u krijua dhe u rrit profesionalisht nga Tolja. Madje edhe Kristi Ramadani (shpresa aktuale e peshëngritjes shqiptare) e filloi sportin në moshën 6 vjecare nën drejtimin e Shaqirit.

Në një bisedë me “Gazetën Si” ai kujton se si erdhi në moshë fare të re në Tiranë në shkollën “Harry Fultz” dhe paralelisht ushtrohej si boksier pranë klubit shumësportësh nën drejtimin e trainerit Ahmet Golemi. Aktivitet që vazhdoi deri në mesin e viteve ‘60, kur me vendim të drejtuesve të kohës, sporti i boksit u mbyll dhe të gjithë sportistët u shpërndanë nëpër disiplina të tjera si mundje, peshëngritje deri edhe ciklizëm. Në atë moment Shaqiri vendosi të kalonte nga ringu në pedanë ku qëndroi deri në tërheqjen përfundimtare për arësye shëndetësore. Ai kujton punën e bërë me talente dhe kampionë ndër vite me të cilët ai konkuroi dhe mori medalje pothuajse në të gjithë kontinentet, kampionatet evropiane, botërore dhe olimpiadat. Por pengu i karrierës së tij do të mbeten Lojërat Olimpike të Sidnejt. 25 vite më parë Ilirjan Suli ishte shpresa e Shqipërisë për medalje në Lojërat Olimpike dhe puna e bërë ishte e konsiderueshme.

Por presioni i lartë nga drejtuesit politikë të asaj kohe e dëmtuan shtangistin shqiptar i cili vetëm një mbrëmje përpara konkurimit u ngjit më shumë se 2 kg mbi peshën trupore 77 kg. Tolja kujton se bashkë me Fidel Yllin (drejtuesi i delegacionit në atë kohë dhe President i KOKSH sot), e gdhinë në sauna dhe sallën e forcës për ta kthyer Sulin në peshën 77 kg (saktësisht 76.66 kg). Në provën e parë në shkëputje Suli ngriti 162.5 kg por sërish (kujton Shaqiri) ai nuk ishte i qetë dhe humbi dy provat e rradhës duke e mbyllur stilin e shkëputjes në vendin e 4. Në stilin e shtytjes, Ilirjan Suli ngriti 192.5 kg, në provën e dytë u dorëzua përpara 200 kg dhe provën e 3 nuk e realizoi. Me 355 kg në dygarësh, Suli u rendit në vendin e 5. Rezultat që është barazuar nga Briken Calja në Olimpiadën e Rio de Janeiro’s në vitin 2016 (326 kg në dygarësh për peshën 69 kg) dhe u thye nga i njëjti shtangist, 4 vite më vonë në Tokio (341 kg në dygarësh në peshën 73 kg). 

Ai vend i 5 i Sulit sërish vlerësohet nga Shaqiri për kohën dhe kushtet në të cilat u arrit. Por pengu mbetet pasi me talentin që zotëronte Suli do të duhej të kishte arritur rezultate shumë herë më të larta. I përjashtuar vite më parë në mënyrë absurde nga drejtuesit e Federatës së Peshëngritjes, Hektor Shaqiri vazhdon të jetë traineri model dhe njeriu që vendosi i pari standartet e një sporti profesionist elitar në shtangën shqiptare. Rezultate e tij janë ende të paarritshme (numri i sportistëve dhe medaljeve të fituara nën drejtimin e tij), pavarësisht ndërrimit të Presidentëve dhe stafeve drejtuese në Federatë. Aktualisht ai është në rolin e një vëzhguesi të interesuar për sportin që i kushtoi jetën dhe vëren me keqardhje që mungojnë emrat e rinj dhe talentet që do të garantonin paraqitjet dinjitoze dhe do të sillnin medaljet e rradhës nga aktivitet ndërkombëtare. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë