Art dhe Kulture

Hej mik!

Mik, u mbyll ditari i jetës mbaroi… dhe fletë e fundit sot u kthye. Ky çast i së vërtetës, i frymës që të shkoi fare lehtë. Në qetësi, pa lot. Na ke dhe ti, rebel i përjetshëm mbi tokë, betejën e fatit, s’e fitove dot…

Vargjet e shkruara dhe kënduara për miqtë, “që ikën pa radhë”, sot tingëllojnë përzishëm si elegji për veten, ndërsa kantautori Kujtim Prodani u nda nga jeta në moshën 57-vjeçare, si pasojë e komplikacioneve të shkaktuara nga Covid-19.

Ngjau se deshi ta sfidonte armiku e padukshëm që e izoloi botën brenda shtëpive dhe në mars të 2020-s, gjatë pandemisë, publikoi albumin “Prodan”, i cili tashmë bëhet testamenti i fundmë i artistit dhe vetëm pak muaj më vonë do të krijonte këngën “Ju flet Corona”, me tekst të Persida Asllanit.

“Sa miq e sa të afërm na more, o flamë e keqe! Klinika “Shefqet Ndroqi””, shkruante ndërsa ishte i shtruar në spital, pa e ditur ndoshta se qenë ditët e fundit të jetës dhe se, do të ikte parakohshëm si miqtë që i vajtoi në këngë. Përmendte Teodor Kekon, Artan Minarollin, Aleksandër Lalon, Xhevdet Ferin, por ikja e Gjergj Xhuvanit, thoshte se e kishte lënduar dhe “shpërfytyruar shpirtërisht”. 

“Të dashur miq do ta kalojmë edhe këtë. Bëni kujdes për shëndetin tuaj që kjo këngë të këndohet sa më rrallë”, thoshte ai në një emision televiziv, duke iu referuar këngës “Hej mik!”.

Një prej këngëve të albumit  të fundit e kishte titulluar “Prefiksi Pesë”, ku përcjell mesazhin se jeta e vërtetë  fillon pesëdhjetë vjeç.

Albumi “Prodan”, rrëfente kantautori që kishte mbledhur në të plot njëmbëdhjetë këngë dhe dhjetë videoklipe, se nuk ishte menduar për t’u shitur, por për t’u dhuruar. “Do të ikim të gjithë nga kjo botë, nuk do të marrim gjë me vete”, thoshte.

Por ndonëse fliste për vdekjen, nuk dukej se e kishte frikë atë. Nuk besonte se koronavirusi do t’ia kërcënonte aq rëndë shëndetin dhe në planet e tij kishte albume të tjerë.

Duke mos pasur vetë fëmijë, e quante albumin muzikor  foshnjën numër katër, për të cilin kishte punuar rreth gjashtë vite.   Vite të vështira për të, veçanërisht pas ndarjes nga jeta të nënës së saj, Anita Take më 2017-n, në moshën 83- vjeçare.

Rrëfente çlirët, kur e pyesnin rreth përjetimeve. Sesi e mbërthenin emocionet kur hynte në shtëpinë e nënës, ku pas ikjes së saj banonte i vetëm. Sesi i shpluhuronte pianon dhe fotografinë e saj, sesi shihte xhezven dhe filxhanin e kafesë. Emocione që duket se e kishin rënduar jo vetëm shpirtërisht, por edhe fizikisht, me disa luhatje në shëndet.

“Shtëpia ka aromën e saj”, thoshte për të ëmën dhe nuk donte të largohej nga ajo banesë. “Atë nuk e tret dheu, që unë jam vetëm sot”, thoshte i emocionuar ai, ndërsa pranonte se Kujtim Prodani kishte dy jetë “Me nënën dhe pa  nënën”. Këtë të dytën e jetoi pak, duke iu bashkuar prindërve, vetëm katër vjet pas ikjes së Anitës, e cila vdiq më 12 janar.

Për këngën “Xhelozia”, të cilën e këndoi sëbashku me Saimir Çilin, tekstin dhe muzikën e kishte gjetur mes materialeve të të atit, Agim Prodanit dhe krijimi mbante vitin 1989.

Me ikjen e parakohshme të Kujtim Prodanit, duket sikur këngët e tij ishin profeci vetjake vetëpërmbushëse, ndërsa  disa prej vargjeve në “Ju flet Corona!”, thonë:

Askush nuk ta mësoi si thyhet befas jeta

Ditënatën ta jetosh në grimca pafundësie

As dashurinë ta ndash në vakte racionale

Më kot përpiqesh, nuk gjen dot manuale. 

***

“Kur promovova këtë këngë, pati “publik” që natyrisht nuk e harroi ironinë: “Edhe ti Kujtim i beson këto “budallallëqe”?” Pashë veten në pasqyrë me urgjencë, dhe nuk m’u duk keq…!

Vazhdojnë “tipat”! Fyerje, sharje, shpifje pa fund në kërkim të një “LIKE”…! “TIPA”, që po t’u zgjatësh dorën, plus një zarf, “bëhen” me këdo”, shkruante në facebook-un e tij Prodani., ndërsa vargjet e këngës,  vijojnë:

Dhe unë të shoh nga larg, të shoh edhe nga afër

Ashtu të trembur si në klasën e parë

Hyj brenda teje, syrin t’shkel si gringo

Frymën ta marr po desha e zemrën ta ndal!

***

“Populli thotë: “Më jep një dhimbje, që të të dhuroj një këngë. Unë tani qesh, se kanë kaluar 7 javë, por ditët e para shqiptarëve edhe globit iu verit buzëqeshja. Tmerri, që na preku të gjithëve nuk mund të harrohet kaq shpejt, se është  një virus, grip, sëmundje që tronditi shpirtin njerëzor. Edhe jam i bindur, që në fund fiton njerëzimi, fiton njeriu”, shprehej ai pas publikimit të këngës, duke përcjellë mesazh reflektimi për të gjithë.

Kujtim Prodani është autor i 57 këngëve dhe shpesh është shfaqur në evente muzikore dhe spektakle televizive edhe me të ëmën, këngëtaren Anita Take.

Rrëfente se kantoja tek ai erdhi në mënyrë spontane, gjatë emigrimit  në Vjenë, ku edhe kaloi 16 vite të jetës. “Thjesht nga halli, nga nevoja sepse unë punoja në një hotel, në një pianobar dhe nuk mjaftonte fakti, që ti luan mirë apo keq në piano dhe kompozon muzikë. Çështja është që publiku duhej argëtuar dhe argëtimi vjen kryesisht nëpërmjet vokalit”, rrëfente ai.

Kur u kthye, u njoh me këngët e tij e veçanërisht emblematiken “I am from Tirana”, ku në një prej vargjeve thotë “…dhe mbetem djalë i saj”.

Rrëfente edhe marrëdhënien me të atin, kompozitorin e shquar Agim Prodani, i cili ngulmonte për të marrë më të mirën nga i biri, përmes studimit të rreptë.

“Unë isha 13-14 vjeç dhe mbaj mend një mik të ngushtë të babait, ishte inxhinier dhe vinte në familjen tonë. Duke qenë mik i afërt, babai Agimi ankohej dhe kërkonte mbështetje sepse Kujtimi nuk studion sa duhet, nuk studion frëngjishten sa duhet, nuk lexon një roman në javë, por lexon një faqe ose dy faqe para gjumit, etj. dhe donte mbështetjen e zotërisë”, ndërmente ai fundvitet ’70, ndërsa kujtonte më tej…

“Një ditë të bukur,  më thotë: O Kujtim, çfarë dëshiron ti të bësh në këtë jetë, çfarë do ti të bëhesh në këtë jetë? Isha me pantallona të shkurtra akoma, nuk e di, iu përgjigja. Po si nuk e di? Ti studion piano, ti ke babin, ke nënën, ke familjen, çfarë do bëhesh ti? Do krijosh një emër të mirë, do krijosh reputacion të mirë, do krijosh familje? Nuk e di, i thashë”, rrëfente ai në intervista, ku shtonte se gjithçka rrodhi më pas natyrshëm dhe ai e gjeti rrugën tek muzika.

Para albumit të fundit, “Prodan”, kantautori pat realizuar tre syresh si ““I Am From Tirana”, “Me Sytë Nga Dera” dhe “Shpirt i trazuar”.   Gjithashtu Kujtim Prodani qe pjesëmarrës në festivale të muzikës së lehtë si “Kënga Magjike” dhe Festivali i fundvitit në Radiotelevizionin Shqiptar.  

Ikja e tij e beftë, ndërsa edhe nga spitali dukej optimist se do ta mposhte virusin, trishtoi miqtë, të njohurit dhe kolegët e tij që nuk ende nuk duan ta besojnë.

“Nuk të  them dot lamtumirë…por do të të pres për një birrë kur të duash ti”, shkruante me dhimbje Elton Deda.  Mesazhe ngushëllimi për ikjen e Kujtim Prodanit, erdhën edhe nga institucionet shtetërore, si presidenti dhe ministria e Kulturës.

***

Hej mik në cilin yll të ndali hapi a e di?! Me engjëjt lart po flet tani, këtu gotën e jetës përgjysmë e le miku im. Gotën   e jetës, ku hidhje brengat ti. Ne ditët që fiken, më dhemb ikja jote. Heshtje ndjell vdekja, tani që s’ka radhë… këndonte për miqtë Kujtim Prodani, ndërsa la po të njëjtën brengë e dëshpërim për miqtë e tij këtu në tokë, ndërsa virusi  që i mori jetën, siç këndonte ai, e kujtoi të ishte njeri, thjesht njeri, i mirë siç lind, dashurisht njeri. / Përgatiti: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë