Libra

‘Heart Lamp’ fiton Çmimin Ndërkombëtar ‘Booker’ – Një libër për të drejtat dhe liritë e mohuara të grave indiane

Nga Gazeta “SI”– “Heart Lamp” i autores indiane Banu Mushtaq, përkthyer nga gjuha kannada nga Deepa Bhasthi, është fituesi i Çmimit Ndërkombëtar Booker për vitin 2025, çmimi më me ndikim në botë për letërsinë e përkthyer.

Libri fitues, i pari vëllim me tregime të shkurtra që nderohet me këtë çmim, u shpall nga autori bestseller dhe i përzgjedhur më parë për listën e gjatë të çmimit Booker, Max Porter, i cili ishte edhe kryetar i jurisë për vitin 2025.

Porter u shpreh se kjo përmbledhje me tregime është diçka e veçantë që vjen për herë të parë në anglisht.

“‘Heart Lamp’ është diçka vërtetë e re për lexuesit anglishtfolës. Një përkthim radikal që trazon gjuhën, për të krijuar tekstura të reja në një shumësi të anglishtes. Ai sfidon dhe zgjeron kuptimin tonë për përkthimin.

Këto tregime të bukura, të dendura dhe afirmuese ndaj jetës, ngrihen nga gjuha kannada, të ndërthurura me pasurinë e jashtëzakonshme shoqërore-politike të gjuhëve dhe dialekteve të tjera. Ato flasin për jetët e grave, për të drejtat riprodhuese, besimin, kastën, pushtetin dhe shtypjen.

Ky ishte libri që gjyqtarët e dashuruan vërtet, që nga leximi i parë. Ka qenë një kënaqësi të dëgjosh se si është zhvilluar vlerësimi për këto tregime nga perspektiva të ndryshme të jurisë. Jemi të entuziazmuar të ndajmë këtë fituese kaq aktuale dhe emocionuese të Çmimit Ndërkombëtar Booker 2025 me lexuesit në mbarë botën.”

I shkruar ndërmjet viteve 1990 dhe 2023, “Heart Lamp” përmban 12 tregime që rrëfejnë jetët e grave dhe vajzave në komunitete patriarkale të Indisë Jugore. Mushtaq, avokate dhe zë i rëndësishëm në letërsinë progresiste në gjuhën kannada, është një mbrojtëse e spikatur e të drejtave të grave dhe një zë protestues kundër shtypjes fetare në Indi. Ajo u frymëzua për të shkruar këto tregime nga përvojat e grave që kërkonin ndihmën e saj. Me këtë fitore, ajo bëhet autorja e dytë indiane që fiton Çmimin Ndërkombëtar Booker, pas Geetanjali Shree në vitin 2022.

Autorja indiane Banu Mushtaq dhe përkthyesja Deepa Bhasthi

“Heart Lamp” është libri i parë i përkthyer nga gjuha kannada  që flitet nga rreth 65 milionë njerëz që nominohet për këtë çmim. Deepa Bhasthi bëhet përkthyesja e parë indiane që fiton Çmimin Ndërkombëtar Booker. Botuesi i pavarur me qendër në Sheffield, “And Other Stories”, gjithashtu e fiton këtë çmim për herë të parë.

Çmimi Ndërkombëtar Booker vlerëson punën e rëndësishme të përkthimit letrar dhe shuma prej 50,000 paund, ndahet në mënyrë të barabartë mes autores dhe përkthyeses.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë