Libra

Hartimi i ‘Enciklopedisë shqiptare’, prezantohen redaktorët përgjegjës të redaksive

Prezantohen redaktorët përgjegjës të redaksive për hartimin e një ndër projekteve madhore të Akademisë së Shkencave, “Enciklopedia e Shqiptarëve”.

Prezantimi u bë në një ditë simbolike për Akademinë e Shkencave, në ditën përkujtimore të ditëlindjes së kryetarit të parë të saj, akad. Aleks Budës, në sallën “Libri Akademik”.

Mbledhja u drejtua nga kryeredaktori i “Enciklopedisë shqiptare” kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, dhe kryeredaktori i redaksisë së Shqipërisë për “Enciklopedinë shqiptare”, Shaban Sinani.

“Akademik Skënder Gjinushi përshëndeti këtë hap të rëndësishëm drejt hartimit të ‘Enciklopedisë shqiptare’, projekt madhor i Akademisë së Shkencave së Shqipërisë dhe vuri në dukje se ‘Enciklopedia shqiptare’ përfshin gjithë hapësirën mbarëshqiptare në Ballkan dhe diasporat arbëreshe. Më andej sekretari shkencor i Akademisë së Shkencave, akademik Shaban Sinani bëri një pasqyrim të hapave të ndërmarrë deri më tani duke vënë theksin se që nga ky moment ‘Enciklopedia shqiptare’, vepër madhore në albanologji, projekt ndërakademik e ndërqeveritar, me miratimin e redaksive kalon nga faza përgatitore në atë të realizimit shkencor”, shkruan Akademia e Shkencave në faqen e saj në “Facebook”.

Struktura e redaksisë është e përbërë nga strukturat qendrore dhe vendore, ku krahas 11 anëtarëve të redaksisë qendrore të “Enciklopedisë shqiptare” janë ngritur sipas fushave përkatëse 30 redaksi në Shqipëri dhe 30 në Kosovë për hartimin e “Enciklopedisë shqiptare”. 

“Enciklopedia shqiptare” është ndërmarrja akademike më voluminoze, që vlerësohet të realizohet në dhjetë vëllime e në një kohë sa më të shkurtër, për pesë vjet.

Rreth 1000 studiues nga hapësira mbarëshqiptare, nga fusha të ndryshme janë të angazhuar për projektin madhor “Enciklopedia shqiptare’, ndërsa për financimin e enciklopedisë do të kontribuojnë dy qeveritë, ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë.

Sekretari shkencor i Akademisë, Shaban Sinani, më herët në një intervistë për Gazetën “Si” do të shprehej se në hartimin e Enciklopedisë do të përfshihen edhe përfaqësues të arbëreshëve dhe arvanitasve, por nuk do të përjashtohen as albanologët e huaj, qendrat kërkimore dhe katedrat e albanistikës në botë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë