Gazeta “Si” rindërton me hollësi me anë të këtij grafiku të thjeshtuar rrugën e ndjekur nga grabitësit në Aeroportin e Rinasit, sipas të dhënave që janë bërë publike deri më tani në media, por edhe sipas elementëve të siguruar nga burimet e gazetës në Policinë e Shtetit.
Shpjegimi:
Pika 1 - Grabitësit hyjnë me furgonin me mbishkrim “Hetimi Tatimor” nga porta e zjarrfikëses në pistën e avionëve, pasi më parë kanë prerë me pinca zinxhirin që e mbyllte këtë derë. Më pas, ata zhvendosin një masiv betoni për të hapur derën e dytë duke vazhduar me mjet në drejtim të avionëve.
Pika 2 – Të maskuar dhe me armë e jelekë antiplumb, tre grabitësit mbërrijnë tek objektivi i tyre, avioni ku po ngarkohej shuma prej miliona eurosh e dërguar nga një kompani private e sigurisë fizike. Në këto momente avioni ka qenë me motorët e ndezur. Autorët kërcënojnë punonjësit e sigurisë dhe nisin marrjen e parave. Një punonjës i zjarrfikëses, që ndodhej në vendngjarje në momentin e grabitjes la të ndezur radiomarrësen, e cila transmetonte tek grupi i gatshëm dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Policia dhe FNSH kanë dëgjuar kërcënimet e grabitësve dhe janë nisur menjëherë në veprim. Kur policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, autorët kishin ngarkuar një pjesë të konsiderueshme të parave. Mes tyre dhe policisë ka patur të shtëna. Pavarësisht kësaj, tre grabitësit ja kanë dalë mbanë që të largohen së bashku me furgonin “Hetimi Tatimor”.
Pika 3 – Furgoni çan portën veri-perëndimore të murit rrethues të aeroportit dhe hyn në rrugë dytësore me drejtimin djathtas. Policia dhe FNSH e ndjekin nga pas.
Pika 4 – Grabitësit kanë braktisur trupin e pajetë të Admir Muratajt, i cili besohet se është qëlluar gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë brenda në pistë. Bashkë me të është braktisur edhe furgoni me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”.
Pika 5 – Autorët marrin një tjetër mjet që i priste aty dhe largohen humbin gjurmët nga policia që po i ndiqte. Dyshohet se ata kanë ndjekur rrugën me të kuqe për të dalë në autostradën Tiranë-Fushë Krujë. Një tjetër mundësi është që të kenë vazhduar në rrugën përmes zonave të banuara, (të ngjyrosur me blu në këtë hartë) deri në momentin e braktisjes së mjetit të dytë. Në hapësirën e rrethit të ngjyrosur me të kuqe, policia ka gjetur një automjet të djegur, pranë fshatit Tapizë.
Pika 6 – Pasi kanë hyrë në autostradë, autorët mendohet se kanë marrë kthesën për në fshatin Dritas. Këtij varianti i qëndron më fort edhe Policia e Shtetit, e cila ka vendosur në shtetrrethim këtë fshat dhe ka ndërmarrë një operacion të imtësishëm kontrolli shtëpi më shtëpi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.